Oroshi: Vetëvendosje duhet t’i ofrojë njërës nga tri partitë bashkëpunim

Oroshi: Vetëvendosje duhet t’i ofrojë njërës nga tri partitë bashkëpunim
Oroshi: Vetëvendosje duhet t’i ofrojë njërës nga tri partitë bashkëpunim

Nue Oroshi

  • 02 April 2025 - 23:13

Shkruan: ANALISTI-Nue Oroshi

Është fatkeqësi që prej më shumë se dy dekadash, qeveritë në Republikën e Kosovës nuk ndërtohen mbi një platformë të qartë qeverisëse mes partnerëve politikë – në këtë rast, partive që formojnë koalicionin – por mbi konceptin e sigurimit të numrave. Mjafton të sigurohen 61 mandate dhe qeverisja vazhdon pa një plan të mirëfilltë: “Ku rasha, mos u vrasha!”. Ky është një koncept i gabuar politik, i ndjekur nga partitë tona për më shumë se 25 vite.

 

-Partia që ka marrë më së shumti vota – në këtë rast, Lëvizja Vetëvendosje – duhet t’i ofrojë njërës nga tri partitë e tjera shqiptare një ftesë për bashkëpunim, duke krijuar një tryezë ku ekspertët e fushave të ndryshme nga të dyja partitë të diskutojnë për mënyrën e qeverisjes dhe të harmonizojnë planet e tyre në një program të përbashkët qeverisës. Kështu vepruan gjermanët para disa javësh, kur dy partitë që do të qeverisin Gjermaninë angazhuan ekspertët e të gjitha fushave për të ndërtuar një plan të përbashkët qeverisës për katër vitet e ardhshme. Dhe ky plan u arrit shumë shpejt, pavarësisht se zgjedhjet në Gjermani u mbajtën më 23 shkurt, ndërsa ato në Kosovë më 9 shkurt.

Pa vetëdijesimin e partive tona politike për përgjegjësinë që kanë në formimin e institucioneve, shteti ynë nuk mund të ecë përpara. Vetëvendosja, në këtë rast, nuk duhet ta luajë rolin e peshkatarit që kërkon të “peshkojë” deputetë apo të gjahtarit që synon “të kapë lepuj”, por të sillet në nivelin e duhur të detyrës. Ajo duhet të jetë e vetëdijshme se ka siguruar 48 vende në Kuvendin e Republikës së Kosovës, nuk mund të qeverisë e vetme dhe i nevojiten edhe të paktën 13 deputetë për të krijuar shumicën e thjeshtë.

Këta deputetë duhet të sigurohen përmes një koalicioni me dy parti shqiptare, duke bashkuar ekspertët e të dyja forcave politike për të hartuar dhe më pas zbatuar planet dhe programet e tyre për katër vitet e ardhshme.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".