
Trump & Kosova: Një përmendje që duhet lexuar me kujdes


Fadil Maloku
Shkruan: Prof.dr Fadil Maloku
(Një analizë sociologjike mbi mënyrën si përdoren vendet e vogla në retorikën e liderëve të mëdhenj)
Përmendja e shpeshtuar e Kosovës nga Donald Trumpi, nga një këndvështrim sociologjik, mund të interpretohet edhe si një performancë e zgjeruar politike, të cilën ai e përdor jo pa qëllim, sidomos kur është në pyetje protagonizmi i tij i theksuar, që nga ardhja në pushtet. Por njëherazi, ajo mund të shihet edhe si satisfaksion strategjik i interesave që Shtetet e Bashkuara kanë aktualisht në këtë pjesë të botës. Të dy këto projeksione, në gjykimin tim, nuk duhet parë vetëm me sy kritik, por natyrisht as me skepticizëm, e aq më pak me pesimizëm.Them kështu për disa arsye: Së pari, në diplomacinë tradicionale, por edhe në këtë të sotmen që është shumë dinamike e ofensive, fuqitë e mëdha globale priren të flasin për vendet e vogla, jo për shkak të ndonjë peshe reale strategjike që këto vende mund të kenë, por për shkak të vlerës së tyre si “certifikata legjitimuese” në situata kërcënuese që shërbejnë si mesazhe të koduara diplomatike për interesa më të mëdha gjeopolitike e gjeostrategjike. Së dyti, përmendja që i bëri Donald Trump Kosovës, si një nga shembujt e “marrëveshjeve të suksesshme” të tij, meriton një vëmendje më të thelluar, pra, përtej entuziazmit sipërfaqësor që vërehet te politikanët, mediet konformiste dhe rrjetet sociale. Ku perceptimi emocional (lexo; elektoral!) rrezikon të mbizotërojë mbi analizën racionale që ka të bëje me interesat tona afatgjata kombëtare. Kjo vëmendje e thelluar ka për “detyrë” të mos ndalet vetëm te “lisi”, por të vështrojë edhe “malin”. Së treti, mendoj se sfida kryesore për Kosovën nuk qëndron vetëm te përmendja apo mungesa e përmendjes në arenën ndërkombëtare, qofshin këto në fjalime sporadike apo diskutime për sigurinë rajonale dhe kontinentale.
Sfida reale mbetet: a do të mundet Kosova të shndërrohet në një subjekt aktiv të historisë së saj, e jo vetëm një objekt përmendjeje. Vetëm përmes një lenteje sociologjike dhe diplomatike, ku fuqia dhe ndikimi interpretohen në dritën e proceseve të dominimit dhe ndërvarësisë, mund të kuptojmë peshën reale të këtyre deklaratave. Nga dioptria e mendimit të Pierre Bourdieu-së, përmendja e Kosovës nuk është asgjë tjetër veçse shfrytëzim i kapitalit simbolik ndërkombëtar, që Trump përpiqet ta përdorë për të përforcuar narrativën e tij si negociator i suksesshëm global. Edhe pse as në intuitën e tij personale e as në katalogët e preokupimeve të tij “ovale” (jam më se i bindur!), Kosova nuk zë ndonjë vend të rëndësishëm – ajo nuk përmendet për peshën e saj reale, qoftë në gjeopolitikën rajonale, e aq më pak në atë kontinentale. Ajo përmendet thjesht si dëshmi e pretenduar për suksese personale, në një narrativë politike ku Trump paraqet veten si njeriu që “bën gjëra që askush më parë nuk i ka bërë”.
Një vëzhgues serioz i politikës ndërkombëtare e kupton shpejt se kjo përmendje – përveç protagonizmit të theksuar që tashmë po e karakterizon Trumpin – është edhe një formë retorike që i shërben një modusi vivendi diplomatik, duke e përshkruar Kosovën si një “protektorat të suksesshëm”, i cili, në retorikën amerikane, legjitimon moralitetin ndërkombëtar të SHBA-së. Kjo qasje, në fakt, i ngjan konceptit të Antonio Gramsci-t për hegjemoninë kulturore, ku fuqitë e mëdha mbështesin krijimin e strukturave të varësisë, duke i prezantuar këto si ndihmë humanitare apo si aleanca vullnetare. Pra, përmendja e Kosovës nga një lider i kalibrit të Trumpit – edhe pse ajo mbetet në periferinë e interesit të vërtetë global mund të “prodhoj” efekte të menjëhershme politike, psikologjike dhe simbolike:
• Politike, sepse mobilizon shpresat e politikanëve vendorë (si ish qeverinë ashtu edhe ish opozitën);
• Psikologjike, sepse krijon perceptimin e afërsisë (po edhe të indeferencës!) me superfuqinë globale;
• Simbolike, sepse përdoret si instrument për të (de)legjitimuar ca subjekte politike që kan ambicie e synime “shkurorëzuese” të partneritetit me Shba.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".