Bajraktari: Kosova nuk është e para që përjeton këtë përplasje të brendshme

Bajraktari: Kosova nuk është e para që përjeton këtë përplasje të brendshme
Bajraktari: Kosova nuk është e para që përjeton këtë përplasje të brendshme

Isuf Bajraktari

  • 07 July 2025 - 14:24

Nga: Isuf Bajraktari 

Në shoqëritë e reja si e jona, paragjykimi ndaj atyre që vijnë “nga opozita e kaluar”, “nga opozita aktuale”, apo “pa përvojë udhëheqjeje”, është shndërruar në një armë të heshtur që vret dinjitetin, barazinë dhe vetë shtetin. Ky nuk është vetëm një problem etik. Është një krizë kulturore dhe institucionale që rrezikon themelet e Republikës.                                                           

Aty ku kultura politike ndërtohet mbi përçmimin e rrënjëve, mbi etiketimet boshe dhe arrogancën e përkohshme të pushtetit, aty edhe shteti fillon të lëkundet.

Kosova nuk është e para që përjeton këtë përplasje të brendshme, por ka shumë për të mësuar nga historia e saj dhe e kombit shqiptar. Në çdo vend që ka dalë nga lufta, nga represioni, nga një sistem shtypës, lind përherë një betejë e heshtur: midis kujtesës dhe harresës, midis moralit të qëndresës së gjatë dhe mendjemadhësisë së elitave të reja.

Historia jonë, nga Shkodra në Prizren, nga Tropoja në Drenicë, nga Vlora në Ferizaj, nga Tetova në Preshevë, nga Ulqini në Pejë, na mëson një të vërtetë të pakundërshtueshme: nuk janë opozitat që e kanë prishur Republikën, por janë ata që kanë shkelur mbi të vërtetën për interesa personale, duke ndërtuar pushtetin pa një platformë, pa një vizion dhe shpeshherë, pa ndershmëri.

Kur Kosova digjej nga flakët e pushtimit e gjenocidit, ishin djemtë e opozitës, të margjinalizuar, të përndjekur, por të palëkundur, që u bënë mburojë e popullit. Nuk ishin zyrtarët e zyrave sterile, por bijtë e Drenicës, të Karadakut, të Dukagjinit, të Anamoravës,të Tropojës, të Kumanovës, të Preshevës, të Mërgatës, ata që u rreshtuan të parët përballë armikut. Kur Adem Jashari, Agim Ramadani, Ahmet Hoxha, Naim Beka, dhe shumë të tjerë dhanë jetën për lirinë tonë, ata nuk e ndanë Kosovën në pushtetarë e opozitarë. Ata e panë Kosovën si një tërësi, një amanet të shenjtë. Përkrah pushkës, qëndroi edhe penda. Nuk mungoi mendja e urtë, fjala e qartë dhe qëndrimi i pathyeshëm i liderëve të opozitës intelektuale si Ibrahim Rugova dhe Fehmi Agani, që krijuan urën e nevojshme ndërmjet idealit dhe realpolitikut, ndërmjet fjalës dhe veprës, ndërmjet opozitës dhe pozitës. Ishte kjo harmoni mes sakrificës dhe mençurisë që i dha Kosovës dinjitet dhe qëndresë, shumë përpara se ta fitonte njohjen ndërkombëtare.

 

Por a mundet kjo frymë të rifitohet sot?

Apo kemi lejuar që arroganca e pushtetit të zëvendësojë respektin për idealin?                                                  

  A kemi ngritur një kastë politike që përçan në vend që të bashkojë? A kemi ngatërruar pjekurinë politike me egon personale?

Nëse Republika jonë ka ngecur në vendnumëro, është sepse ajo është ndërtuar më shumë mbi lojë politike, mbi aleanca të jashtme, sesa mbi vlerat-nundësit e brendshme, mbi forcën morale që e çliroi këtë vend, dhe që e bëri atë të njohur nga mbi 119 shtete të botës.

Sot nuk ka rëndësi kush ka më shumë diploma, kush e ka më të madhe zyrën apo më të fortë partinë. Rëndësi ka kush ka ruajtur përulësinë përpara historisë, kush e ka të qartë sakrificën që është bërë për këtë vend dhe kush është gati të udhëheqë me karakter, jo me karrierë.

Shteti nuk ndërtohet duke përçmuar rrënjët. Ai forcohet duke i nderuar ato.

Kosova ka nevojë për një kthesë të thellë në frymën e udhëheqjes. Jo me fjalë, por me vepra. Jo me përjashtime, por me përfshirje. Jo me fyerje të heshtura ndaj opozitës, por me bashkëpunim institucional. Ka nevojë për ndërtim institucionesh që nuk janë vetëm funksionale, por që përfaqësojnë vlera.

Dhe vlera nuk është vetëm ligj. Vlera është kujtesë. Vlera është burrni. Vlera është respekt për ata që ndërtuan themelet e kësaj Republike. Sot, në këtë moment kritik të zhvillimit të vendit, është detyrë e secilit deputet, ministër, president e qytetar, të kujtojë se nuk mund të ndërtojmë një të ardhme të qëndrueshme, nëse ndërtojmë mbi harresë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".