
Platoni në Prishtinë: Si na mungon mendja në qeverisje


Isuf Bajraktari
Nga Isuf Bajraktari
Platoni dikur shkroi se fuqia, kur nuk është e udhëhequr nga mendja, jo ajo mendje instrumentale dhe e ftohtë që ndërton mekanizma kontrolli, por mendja e lartë, që drejtohet nga drejtësia, urtësia dhe përbashkësia bëhet një forcë vetëshkatërruese për polisin, për qytetin, për bashkësinë njerëzore. Sot, kur e shohim funksionimin institucional të Republikës së Kosovës pas 9 shkurtit 2025, ky paralajmërim i lashtë filozofik merr një dimension akut. Kosova ka hyrë në muajin e gjashtë pa arritur të prodhojë një formulë kushtetuese e politike për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, ndërsa vendi po operon me një funksionalitet të reduktuar institucional, në një situatë që nuk është as krizë zyrtare, as normalitet politik. E gjithë kjo po ndodh jo për shkak të mungesës së mjeteve kushtetuese, por për shkak të mungesës së mendjes politike. Qeverisja aktuale, në vend se të prodhojë zgjidhje, po ripërsërit arrogancën e qëndrimeve të veta dhe po e përforcon logjikën e mbylljes. Kjo nuk është politikë, kjo është stagnim me vetëdije, një kalkulim i ftohtë pushteti, që lë pezull jo vetëm institucionet, por edhe vetë përfaqësimin qytetar.
Platoni nuk kërkonte një shtet të fortë për hir të forcës, por një polis të ndërtuar mbi mendje mbi dije dhe drejtësi. Ai e kuptonte se shteti që dështon të dëgjojë qytetarin dhe të artikulojë të përbashkëtën kthehet në shfaqje të kontrollit. Edukimi filozofik, për të, nuk ishte programim, por ndriçim i arsyes. Ndërsa te ne, për fat të keq, retorika dhe moralizimi publik kanë zëvendësuar arsyen dhe bashkëvendimmarrjen. Në mungesë të një qasjeje vizionare, Kosova ka hyrë në një krizë të heshtur kushtetuese: pa një Kuvend të funksionalizuar plotësisht, me një qeveri që sillet si e vetmja zëdhënëse e të vërtetës, dhe me një sistem politik që refuzon të prodhojë konsensus institucional. Nëse, Platoni do të ecte sot në Prishtinë, do të shihte një republikë me shtetësi formale, por me substancë të vakët. Një sistem që prodhon zgjedhje, por jo zgjidhje. Një qeverisje që thërret në emër të së drejtës, por që nuk ndërton mekanizma të drejtësisë politike, as përgjegjësi kolektive. Ai do të shihte një shtet ku qytetari, përveç se voton, pak dëgjohet. Ku proceset nuk zhvillohen mbi baza të arsyes, por mbi kalkulime të heshtura për të ruajtur pozita. Dhe do të paralajmëronte se aty ku nuk ka mendje, fuqia zë vendin e saj, dhe fuqia pa drejtësi është veçse mekanizëm i ngurtë dhe vetëshkatërrues. Shteti nuk bien për shkak të mungesës së mjeteve teknike. Ato bien për shkak të mungesës së mendimit. Dhe Kosova sot nuk po vuan nga mungesa e mjeteve ligjore, por nga mungesa e vullnetit për t’i përdorur ato për të mirën e përbashkët. Platoni na mëson se një shtet i drejtë është ai që i mbështet institucionet mbi mendje dhe qytetari, jo mbi mendjemadhësi dhe taktika. Nëse ky është realiteti ynë, atëherë është koha të ndalemi dhe të pyesim: a jemi ende në rrugën e shtetformimit, apo po rrëshqasim drejt një modeli të brendshëm vetëbllokimi institucional? Në fund, nuk është një gabim teknik që po e mban Kosovën pa kryetar Kuvendi e pa rifunksionalizim institucional. Është një krizë e mendjes politike. Dhe historia na mëson se aty ku mungon mendja, mungon drejtësia. Dhe ku mungon drejtësia, mungon vetë Republika.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".