
DEPUTETËT KALKULANTË – PA DINJITET DHE PA LEGJITIMITET!


Ismail Muçiqi
Shkruan: Gazetari Ismail Muçiqi.
Ajo që po ndodh para syve të opinionit publik, me mbi 50 seanca të dështuara për konstituimin e Parlamentit të Kosovës, e ka vënë në pikëpyetje serioze seriozitetin juridik dhe kushtetues të shtetit tonë. Sherri, prapaskenat, planet bllokuese dhe veprimet e fshehta u panë qysh në mbledhjen e parë të Parlamentit të ri, me rastin e verifikimit të mandatit të deputetëve. Po të kishim një sistem të mirëfilltë juridik dhe kushtetues, në atë mbledhje, kur një pjesë e deputetëve nuk votuan për verifikimin e mandatit, ata do të duhej të konsideroheshin automatikisht të pa legjitimuar, duke humbur kredibilitetin dhe autoritetin — me vetëdije ose nga naiviteti destruktiv.
Mendoj se Gjykata Kushtetuese, aktgjykimet e së cilës po komentohen nga të gjitha shtresat e shoqërisë, është dashur të veprojë qysh në atë seancë të parë, kur verifikimi i mandateve dështoi. Kemi shkruar edhe më herët se shoqëria kosovare, respektivisht kjo plejadë e gjeneratës aktuale politike, ka degraduar rëndë imazhin dhe autoritetin e shtetit, duke e humbur çdo ditë e më shumë respektin dhe besimin e qytetarëve. Askush nuk besonte se deputetët e këtij Parlamenti, me veprimet e tyre bllokuese e destruktive, do të arrinin në këtë pikë: të humbasin çdo përkrahje dhe respekt nga qytetarët. Kjo gjendje e padurueshme ka irrituar skajshmërisht opinionin publik, i cili me të drejtë priste konstituimin e institucioneve shtetërore dhe ndërtimin e mekanizmave demokratikë që forcojnë shoqërinë dhe shtetin. Por kjo nuk ndodhi. Sepse gjithçka u pengua nga hilet, interesat personale, grupore e klanore, duke filluar nga kryetarët e partive e deri tek deputetët e fundit të kësaj legjislature. Me të vërtetë, shoqëria po dëmtohet rëndë nga korrupsioni i politikës primitive që po manifestohet në këto 50 seanca parlamentare. Morali dhe përgjegjësia kanë rënë për tokë — kjo nuk ka nevojë për koment! Është e pashpjegueshme si është e mundur që nga 100 deputetë, të mos ndryshojë qëndrim asnjëri, të mos distancohet asnjë nga kjo bllokadë e turpshme që po i ndodh Kosovës. Çfarëdo marrëveshjeje apo kompromisi që mund të arrihet deri në fund të afatit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, nuk mund të sjellë asgjë të mirë nga këto parti politike, të cilat tashmë janë zhveshur nga çdo moral politik e njerëzor karshi qytetarëve të Kosovës dhe autoritetit ndërkombëtar.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".