Opozita pa opozitë, heshtja që i jep kohë krizës

Opozita pa opozitë, heshtja që i jep kohë krizës
Opozita pa opozitë, heshtja që i jep kohë krizës

Zef Prenka

  • 29 July 2025 - 15:24

Shkruan Zef Prenka

Në kohën kur shteti i Kosovës ka rrëshqitur drejt tatëpjetës më të thellë institucionale që nga shpallja e pavarësisë, opozita politike duket se është tërhequr në një zonë komoditeti dhe kalkulimesh elektorale, në vend të një angazhimi të qartë politik për ta ndalur rënien.

Përkundër situatës së rëndë, ku Republika  që nga 9 Shkurti 2025 – ekziston më shumë në formë simbolike sesa reale, opozita nuk ka arritur të krijojë një bosht të përbashkët veprimi. Nuk ka një qëndrim të unifikuar përballë një qeverie në detyrë, që funksionon pa legjitimitet, pa program, pa projekte dhe pa zotime, por me një listë skandalesh që prek çdo sektor: nga energjia, arsimi, shëndetësia, deri te dështimi në politikën e jashtme.

Kjo qeveri, e udhëhequr nga Albin Kurti, ka dëshmuar paaftësi të plotë për të mbajtur funksionalitetin institucional të shtetit. Ajo ka konsumuar gjithë kapitalin politik të fituar dikur me premtime për drejtësi, sovranitet dhe barazi, për ta kthyer qeverisjen në një platformë hakmarrjeje personale, spektakli mediatik dhe improvizimi të rrezikshëm.

Në vend të vizionit, ofrohet kokëfortësi. Në vend të dialogut, ofrohet përbuzje e nënçmim. Në vend të qeverisjes së mirë, ofrohet propagandë dhe qeveri “në detyrë”, kopje e qeverive bolshevike me prapvijë nga e majta e kuqe, me imitim  në figurën e Leninit, që nuk përfaqëson as interesin publik, as funksionalitetin kushtetues të Republikës, po përfaqëson nismën bolshevike. Ndryshe s’ka asnjë kuptim tjetër.Po, edhe të ua ndaloj fjalën e lirë deputetëve, mbase nga fjalimet mund të kishte ndodhur ndonjë zgjidhje e ngërqit politik.

Por, përballë kësaj situate të rëndë, opozita ka zgjedhur të sillet me rezerva – sikur, për të mos gabuar në qëndrime që mund t’i kushtojnë me votë në të ardhmen. Por në këtë qasje, humbet thelbi i opozitarizmit. Roli i deputetit nuk është strehë sigurie, por përfaqësim politik aktiv në momente krizash.

Kritikat që i drejtohen qeverisë nga opozita janë të moderuara, të kujdesshme, shpesh të zbehta, sikur gjithçka të jetë pjesë e një loje të heshtur për pushtet – e jo për përgjegjësi. Dhe kjo heshtje është një nga arsyet pse vendi ka ngecur në krizë politike, juridike dhe morale.

Riformatizimi i shtetit nuk është më opsion – është domosdoshmëri. Kërkohet një përmbysje e mendësisë politike, një qasje e re e përgjegjshme që i jep kohë institucioneve të rindërtohen para se vendi të ndëshkohet edhe nga aleatët ndërkombëtarë, përfshirë administratën e amerikane të Presidentit Trump, e cila nuk ka më durim për shtete eksperimentale që zhbëjnë veten nga brenda. Presidenti Trump, edhe mund ta godas Kosovën dhe Albinin, si shkaktare e prodhimit të krizave në rajon?! Një goditje( larg qoftë!), do ishte me fatalitet dhe përendimi i kësaj lirie të fituar me gjak dhe e atyre që kanë filkuar të na godasin rënd e më rëndë, së pari Albinin për kryeneqsi dhe shtetin nën udhëheqjen( kupto uzurpim) e tij.

Kjo është ora e fundit për opozitën – ose të bëhet faktor real, ose të mbetet vetëm numër në sallën e Kuvendit. Sepse historia do t’i mbajë përgjegjës jo vetëm ata që e keqqeverisën vendin, por edhe ata që e shikuan këtë rrënim në heshtje

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".