Ngërçi politik po e dëmton imazhin e Kosovës

Ngërçi politik po e dëmton imazhin e Kosovës
Ngërçi politik po e dëmton imazhin e Kosovës

Isuf Bajraktari

  • 14 August 2025 - 14:07

Nga: Isuf Bajraktari 

“Nuk ka më kohë për të humbur” – ishte mesazhi i qartë i Bashkimit Evropian për partitë politike në Kosovë. Dhe megjithatë, koha po humbet çdo ditë që kalon, ndërsa institucionet mbeten të bllokuara dhe Kuvendi i ri nuk merr jetë.

Kosova sot është në një ngërç politik që po i kushton shtrenjtë, jo vetëm në kohë të humbur, por edhe në besueshmëri brenda dhe jashtë vendit. BE-ja ka folur qartë: koha për kompromis ka ardhur, institucionet duhet të konstituohen dhe Kuvendi duhet të fillojë punën. Por në vend të lëvizjes përpara, kemi ngecur në një dramë politike ku fituesi i zgjedhjeve sillet si humbës në artin e qeverisjes. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për votimin e hapur të kryetarit të Kuvendit është i qartë dhe detyrues. Pavarësisht mendimit personal, ky vendim është ligj dhe respektimi i tij është detyrë. Por kur Lëvizja Vetëvendosje e quan atë “arbitrar” vetëm pse nuk i përshtatet skenarit të saj, nuk kemi thjesht një debat juridik, kemi një përplasje me vetë themelet e rendit kushtetues. Ky është precedent i rrezikshëm, sepse dërgon mesazhin se rregullat vlejnë vetëm kur i shërbejnë partisë. Në qendër të kësaj beteje politike është kandidatura e Albulena Haxhiut. Energjia e saj politike nuk vihet në dyshim, por Kuvendi nuk udhëhiqet me energji të zhveshur nga aftësia për të bashkuar. Kur PDK, LDK dhe AAK bien dakord se një kandidate është “përçarëse”, ky nuk është rastësi është sinjal se mungon ura e komunikimit. Ngulja këmbë e Vetëvendosjes në këtë emër të vetëm nuk është forcë, por dështim për të lexuar realitetin politik. Kuvendi është institucioni i gjithë popullit, jo tribuna e një partie. Fituesi i zgjedhjeve ka përgjegjësinë më të madhe për të zhbllokuar situatën, jo për ta betonuar atë. Por kur kjo përgjegjësi shndërrohet në kokëfortësi, humbja është e të gjithëve, e qytetarëve që presin qeverisje dhe e shtetit që pret të ecë përpara. Kosova nuk ka luksin të ngecë.

Koha nuk pret, dhe as partnerët tanë ndërkombëtarë. Pyetja nuk është nëse një parti është e lumtur me kompromisin, por nëse vendi ecën përpara. Dhe për këtë, duhet guxim për të lëshuar pe kur është e nevojshme, sepse lideri i vërtetë nuk është ai që fiton çdo betejë partiake, por ai që fiton betejën për të ardhmen e vendit. Nëse kjo krizë vazhdon, rreziku më i madh nuk është vetëm brenda vendit. Partnerët ndërkombëtarë, të lodhur nga ngërçet tona të përsëritura, mund të fillojnë të shohin Kosovën jo si një partner të besueshëm, por si një problem të përhershëm në Ballkan. Izolimi diplomatik nuk ndodh me një vendim të vetëm, por me një sërë dështimesh të vogla për të treguar pjekuri politike. Sot është momenti që kjo spirale të ndalet, dhe përgjegjësia bie mbi ata që e kanë çelësin e daljes nga ky bllokim.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".