Zgjedhjet e jashtëzakonshme për tejkalimin e ngërçit politik

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për tejkalimin e ngërçit politik
Zgjedhjet e jashtëzakonshme për tejkalimin e ngërçit politik

Qani Shabani

  • 25 August 2025 - 07:15

Shkruan: ANALISTI-Qani Shabani

Zgjedhjet e jashtëzakonshme përbëjnë instrumentin më të ligjshëm dhe kushtetues për tejkalimin e ngërçit politik dhe për rikthimin e funksionalitetit të rendit demokratik. Në rrethanat aktuale, ku Kuvendi vazhdon të mbetet i pakonstituuar si rezultat i bllokadës së qëllimshme, mungesa e një alternative reale dhe e një platforme qeverisëse nga ana e opozitës e ka transformuar atë në një mekanizëm të pengesës sistemike dhe mosfunksionimit të organeve përfaqësuese.

 

Në këtë kontekst, zgjedhjet e jashtëzakonshme përfaqësojnë një opsion politik me përfitime të qarta për funksionimin demokratik të shtetit. Ato shërbejnë si mjet për rikthimin e legjitimitetit, rifreskimin e përfaqësimit dhe rivendosjen e qytetarit në qendër të vendimmarrjes. Në sistemet demokratike, zgjedhjet janë mekanizëm thelbësor për të garantuar vazhdimësinë kushtetuese dhe funksionimin e pandërprerë të institucioneve.

 

Praktikat ndërkombëtare në demokracitë funksionale – nga modeli italian te ai izraelit – tregojnë se bllokimi institucional nuk adresohet përmes marrëveshjeve joformale ose kalkulimeve afatshkurtra politike, por përmes kthimit të drejtpërdrejtë te sovrani, përmes zgjedhjeve të reja. Kosova, si sistem në ndërtim e sipër, nuk mund të përjashtohet nga këto standarde pa rrezikuar rrëshqitjen në një precedent të qëndrueshëm të jokushtetutshmërisë së normalizuar.

 

Në këto rrethana, pozicioni i Kryeministrit Albin Kurti karakterizohet nga koherenca institucionale dhe përkushtimi ndaj parimit të paprekshmërisë së legjitimitetit zgjedhor. Ai ka ruajtur integritetin e pozitës ekzekutive përballë tentativave për rikonfigurim të pushtetit përmes mekanizmave të jashtëligjshëm, duke mbrojtur vijën kushtetuese dhe legjitimitetin e buruar nga zgjedhjet. Qasja e tij ka në mbrojtjen e rendit demokratik si themel i sovranitetit politik.

 

Kundrejt një opozite që ka braktisur misionin e vet përfaqësues dhe është kthyer në një instrument të bllokimit procedural, vendosja e një kufiri të qartë ,pa një ofertë konkrete dhe reale nga opozita është një akt institucional i mbrojtjes së rendit demokratik. Demokracia funksionale nuk e pranon rikthimin në pushtet të aktorëve të delegjitimuar pa një proces të ri zgjedhor.

 

Rreziku i rikthimit të një opozite të papërgjegjshme në qeverisje do të përbënte kërcënim serioz për progresin institucional dhe substancën e reformave në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, politikën e jashtme të pavarur dhe pozicionimin e shtetit në skenën ndërkombëtare. Këto janë procese të pambyllura, të ndjeshme dhe të rrezikuara nga çdo tentativë për regres politik.

 

Përpjekja e fundit e opozitës për të legjitimuar veten përmes një interpretimi selektiv dhe të kontestuar të një akti të Gjykatës Kushtetuese, është dëshmi e mëtejshme e instrumentalizimit të rendit juridik për qëllime politike. Legjitimiteti nuk ndërtohet përmes interpretimit oportunist të një vendimi gjyqësor, por përmes përfshirjes aktive, transparente dhe të ndershme në jetën institucionale. Mungesa e kësaj përfshirjeje përbën jo vetëm papërgjegjësi politike, por edhe degradim të standardit moral të përfaqësimit.

 

Opozita aktuale, në formën e vet, nuk përfaqëson më një alternativë funksionale qeverisëse. Ajo vepron si një mekanizëm që tenton destabilizimin institucional për të arritur rotacionin politik në mënyrë jashtëelektorale, duke anashkaluar çdo proces reflektimi të brendshëm ose korrigjimi të platformës. Diskursi i saj publik është i ngarkuar me retorikë të tejkaluar, pa substancë normative dhe pa efekt real në prodhimin e ndonjë alternative për zhbllokim të procesit të konstituimit të kuvendit.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".