Asnjë 'estagfirullah' nuk e lan tradhtinë

Asnjë 'estagfirullah' nuk e lan tradhtinë
Asnjë 'estagfirullah' nuk e lan tradhtinë

Afrim Tahiri

  • 10 September 2025 - 19:22

Ka njerëz që e tradhtojnë besën për një karrige, e më pas e përdorin karrigen për të predikuar ndershmëri. Ka figura që e shesin idealin për pak pushtet, e pastaj shfaqen si mbrojtës të shenjtërisë. Por tradhtia nuk mbulohet me fjalë, as me lutje. Dhe kur morali buron nga pabesia, ai nuk ndriçon, por helmon gjithçka rreth vetes

Nga Afrim Tahiri

Tradhtia është ndër mëkatet më të rënda që mund të kryejë një njeri, veçanërisht kur ajo bëhet ndaj atyre që kanë treguar besim, përkujdesje dhe dashamirësi ndaj tij. Nëse tradhtari pastaj ngjitet në pozita të larta morale e fetare, përdor fronet e shenjta për të mbuluar pisllëqet dhe tradhtinë, atëherë kjo nuk është veçse një fyerje e rëndë ndaj vetë moralit dhe fesë, një hipokrizi e shëmtuar që nuk mund të mbulohet me asnjë formë të retorikës morale, sado mirë të artikulohet ajo. E pikërisht në këtë kontekst, ngritet pyetja madhore: a ka të drejtë Shaqir Fetai të flasë për moral, për fe, për principe, për sinqeritet, për sakrificë, për drejtësi? Jo! Dhe kjo përgjigje nuk vjen nga një mllef subjektiv, por nga vetë pesha e ngjarjeve, nga vetë historia e afërt që e ka shënuar atë si simbol të pabesisë politike dhe fetare, si një figurë e kontrastit të thellë mes asaj që thotë dhe asaj që ka bërë.

Ai erdhi përmes një puçi klasik të orkestruar me mjeshtëri djallëzore, ia nguli thikën pas shpinës njeriut që e kishte rritur politikisht e fetarisht, që i kishte dhënë hapësirë e shpresë, ndoshta edhe më shumë sesa që ai meritonte. Një lider që i kishte shtruar rrugën për të ecur përpara, u shpërblye me përjashtim, me përbuzje, me tradhti të ulët, edhe atë jo për ndonjë platformë reformuese, për ndonjë vizion të shëndetshëm por, thjesht, për shkak të lakmive satanike për fron që në kushte normale as që kishte guxuar ta ëndërrojë. Dhe, pas kësaj tradhtie, çfarë ndodhi? Ai i hodhi një nga një në koshin e mbeturinave të gjithë ata që e ndihmuan të kryejë këtë puç. Madje edhe strukturat politike-partiake. Miqtë i denoncoi, i paditi, i fyeu, i flaku si leckat që nuk i duheshin më. I përdori për t’u ngjitur në fron dhe më pas i dogji si dëshmitarë të së shkuarës së tij të pistë. Kjo sjellje është shprehje e një karakteri të konsumuar moralisht, e një mendësie që funksionon mbi bazën e interesit të ngushtë personal dhe e një ideologjie të brendshme që nuk njeh as besnikëri, as ideal, as Zot.

Në këtë rrethanë, është jo vetëm hipokrizi, por edhe poshtërsi publike që një njeri me një të kaluar të tillë të përpiqet të ngjajë si predikues i moralit dhe fesë. Çfarë peshe ka fjala e tij kur ai e ka shitur moralin për pushtet, fenë për pozitë, idealin për komoditet? A mund të ketë legjitimitet një porosi morale që del nga goja e një tradhtari? A mund të frymëzojë një fjalim fetar një njeri që ka shkelur me këmbë parimet më elementare të besës, të mirënjohjes, të lojalitetit ndaj njeriut që ia ka hapur dyert e jetës publike? Kurrsesi. Sepse, çdo fjalë që ai thotë, bie si gjethe e thatë mbi dheun që tashmë nuk ka ndjeshmëri për të, nuk ka respekt, nuk ka dëshirë për ta dëgjuar.

Nëse një njeri i tillë, i cili, nga viktimat e tij akuzohet si bashkëpunëtorë i shërbimeve antikombëtare e antifetare, sot tenton të paraqitet si mbrojtës i interesave kombëtare e fetare të shqiptarëve, atëherë kemi të bëjmë me një absurditet historik, me një farsë të ndyrë që s’duhet lejuar të vazhdojë. Kjo nuk është vetëm një çështje personale. Kjo është një çështje e tërë komunitetit, sepse një njeri i cili ka shitur idealin dhe e ka shpërfillur besën, nuk mund të jetë lider, nuk mund të jetë prijës, nuk mund të jetë shembull. Ai mund të qëndrojë edhe një mijë vjet në krye të ndonjë institucioni si BFI-ja, por historia do ta përtypë si tradhtar, do ta mallkojë si shkatërrues, do ta qortojë si krijesë të pamerituar që zuri vendin e të merituarve përmes dinakërisë dhe pabesisë. Nuk ka sukses që e lan këtë lloj mëkati. Nuk ka avancim që e fshin këtë njollë. Nuk ka lutje që e mbulon këtë lloj krimi moral.

Kësisoj, çdo tentativë e tij për të shitur fjalë morale e fetare është një akt vetëdenigrimi, një përpjekje e dëshpëruar për ta zbutur peshën e së vërtetës që e ndjek si hije. Ai mund të shqiptojë estagfirullah-un derisa t’i thahet gjuha, por nuk ka estagfirullah që e pastron tradhtinë ndaj besës, ndaj mikut, ndaj idealit, ndaj kombit, ndaj Zotit. Dhe ky realitet është i pamëshirshëm. Ai nuk shlyhet me propagandë, as me video “inspiruese”, as me shfaqje publike të rreme. Ai mbetet aty, dëshmi e gjallë se morali i tradhtarit nuk ka kurrfarë vlere, sepse është i rremë në rrënjë.

Prandaj, le të heshtë ky njeri kur bëhet fjalë për moral. Le të tërhiqet nga pozita ku nuk i përket. Le të kërkojë falje së paku para popullit, sepse para Zotit llogaritë janë shumë më të rënda. Dhe nëse nuk bën as këtë, le të përgatitet të mbetet në histori jo si prijës, por si shembulli më klasik i një ngjitjeje të ndyrë dhe të pamerituar e të ndihmuar nga të gjithë ata që, sakaq, nuk ia deshtën të mirën kombit dhe fesë. Sepse populli i këtij vendi, e mbi të gjitha, Zoti i kësaj feje, nuk e falin një tradhtar që e kthen moralin në vegël për të fshehur turpin e vet.

/Autori është drejtues i Lëvizjes Myslimane për Refroma në BFI