
FUSHATA PARAZGJEDHORE ME TENSIONE E PA PROGRAME ZHVILLIMORE!


Ismail Muçiqi
Shkruan: Gazetari Ismail Muçiqi
Polarizimi politik dhe moskonstituimi i Parlamentit të Kosovës, si dhe i institucioneve të tjera shtetërore, ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në fushatën parazgjedhore që po zhvillohet në komunat e Republikës së Kosovës. Partitë politike, të ndara e të mbushura me inate, urrejtje dhe xhelozi, po zhvillojnë fushata pa programe zhvillimore konkrete, të lidhura me nevojat reale të qytetarëve. Gjuha e komunikimit që përdoret në tubimet me qytetarë po e thellon edhe më shumë hendekun politik, duke prishur marrëdhëniet ndërpartiake dhe duke ndikuar negativisht në raportet ndërnjerëzore të qytetarëve të Kosovës. Nuk mund të pritet asnjë befasi pozitive nga ato subjekte politike që prej pasluftës janë konsumuar e degraduar, pa reforma, pa ide të reja, me të njëjtit liderë dhe me të njëjtat klane, të cilat tashmë janë bërë të neveritshme për publikun.
Akuzat, shpifjet dhe denigrimet janë shndërruar në narrativë të përditshme, duke u bërë pengesë serioze për rikthimin e normalitetit në jetën politike të vendit. Fenomenet negative që e shoqërojnë politikën Kosovare dëshmojnë nivelin e mjerueshëm të kulturës, edukimit dhe integritetit të një pjese të atyre që merren me politikë, të cilët shpesh tregojnë defekte serioze në personalitet dhe vetëdije. Si mund të arsyetohet fjalori i pseudoanalistëve, opinionistëve dhe pseudogazetarëve, të cilët përmes mediave private shpërndajnë shpifje dhe gënjeshtra të paskrupullta ndaj udhëheqësve të institucioneve të shtetit? A janë të vetëdijshëm këta njerëz se, pavarësisht se kush është në krye të institucioneve shtetërore, ai përfaqëson shtetin ku ata jetojnë? Ofendimi, shpifja dhe akuzat ndaj Presidentit (Presidentes) së vendit, për shembull, nuk e tregojnë vetëm mungesën e respektit personal, por edhe moslojalitetin ndaj institucionit më të lartë përfaqësues të shtetit. Në këtë fushatë për asambletë komunale dhe kryetarët e komunave, po ripërsëriten premtime boshe për ndryshime sociale, ekonomike e zhvillimore, por pa projekte konkrete, pa programe, pa elaborime serioze dhe pa studime fizibiliteti.
Këto mbeten vetëm fraza të përdorura që nga paslufta nga të ashtuquajturat parti, të cilat në asnjë rrethanë nuk po arrijnë ta kalojnë “provimin” para qytetarëve. Qytetarët e komunave të Kosovës prej vitesh përballen me probleme elementare si mungesa e infrastrukturës lokale, mungesa e ujit të pijshëm, mungesa e parkingjeve, apo me planifikim urbanistik të dështuar që po e ngulfat jetën e përditshme. Shembulli më i keq është rasti i Kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, i cili, në vend që të realizojë projekte kapitale për qytetarët, tash tri vite merret me bllokimin e sheshit “George Bush”, i cili është shndërruar në një simbol të dështimit urbanistik dhe ka dëmtuar imazhin e kryeqytetit para vizitorëve vendas e të huaj. Dështimi në politikën kadrovike është një tjetër fenomen që po përsëritet. Prishtina, që nga paslufta, nuk ka pasur asnjë kryetar që mbahet mend për punë të mira. E njëjta valle po luhet edhe nëpër komuna të tjera, me rrotacion të njëjtave figura dhe klane partiake duke luajtur në kartën e pseudopatriotizmit. Në fund, duhet theksuar se kjo politikë e verbër nuk ka të ndalur, duke degraduar vlerat dhe shuar shpresat e qytetarëve, të cilët gjithnjë e më shumë po shfaqin indiferencë ndaj zhvillimeve politike në vend.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".