Zeqiraj: Pan-i bllokon Kosovën, shkak Vettig dhe Byroja!

Zeqiraj: Pan-i bllokon Kosovën, shkak Vettig dhe Byroja!
Zeqiraj: Pan-i bllokon Kosovën, shkak Vettig dhe Byroja!

Idriz Zeqiraj

  • 26 September 2025 - 11:08

Nga IDRIZ ZEQIRAJ

Ligjërisht, koalicionet parazgjedhore janë normë legale. Por, në zgjedhjet e fundit parlamentare ka ndodhur një anomali, opozita humbëse e zgjedhjeve, ka bërë koalicion pas zgjedhor, duke bërë shkelje ligjore! Qëllimi është hileqar: Bllokimi i zgjedhjes të organeve kuvendore, përkatësisht, bllokimi i Kosovës, në përpjekje për ta grabitur fitoren e LVV në tavolinë! Qysh para zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, PDK me bishtrat e saj AAK dhe NISMA, dikur të bashkuara në PAN, përfolën bllokadën pas zgjedhore kundër LVV. Ngjitja e LDK-së PAN-it, shtoi oreksin, tashmë, të opozitës së bashkuar, "për ta hequr qafe Kurtin".

 LVV dështoi ta bëjë konstituimin e Kuvendit me votimin e hapur, respektivisht, zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve, andaj kërkoi votimin e fshehtë, meqë Kushtetuta e parasheh "votimin e hapur, të fshehtë dhe forma të tjera". Opozita e refuzoi, duke iu referuar një klauzole hileqare se, gjoja, mënyra e votimit përcaktohet në fillim të seancës votuese. Dhe, i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për interpretim të Kushtetutës. 

     Gjykata Kushtetuese, e kapur nga PAN-i, ashtu si i gjithë Sistemi i Drejtësisë, e quajti ligjor vetëm votimin e hapur, duke refuzuar votimin e fshehtë. Gjykata shkeli Kushtetutën, sepse mohimi i votimit të fshehtë, është praktikë komuniste dhe fashiste. Me votimin e hapur, sundimtarët kriminelë, kanë sunduar, me dajak e plumb, deri në cofjen e tyre, si: Stalini, Hitleri, Enver Hoxha, Pol Poti dhe soj-sorollopi i tyre.

Realisht, shqiptarët, në përgjithësi, ata të Kosovës, në veçanti, nuk shquhen për sinqeritet, parime dhe integritet. Është, pikërisht, votimi i hapur që ka degraduar dhe kontaminuar klasën politike në Kosovë. Për rrjedhojë, sot kemi Parlamentin më kriminal në rajon, deputetë kriminelë, të cilët riciklohen për një çerek-shekulli radhazi!

LVV u dëshmua parimore kur refuzoi PAN-in për bashkëqeversje, duke e konsideruar të pa reformuar, thënë më troç, i kriminalizuar. LVV zgjodhi për bashkëqeverisje, LDK-në, si dy subjekte politike të pa kriminalizuara. Shqiptarët vendorë dhe botërorë aprovuan dhe iu gëzuan koalicionit LVV-LDK. Sepse ishte rasti dhe shansi, për spastrimin dhe largimin e krimit nga pushteti. LDK-ja, si parti me trashëgimi rugoviane, akademike, do t`i bënte shërbim të madh popullit dhe kombit. Ajo do të ndihmonte shumë në emancipimin e LVV, si subjekt politik heterogjen, ku "është përzier gjithfarë ujemi", siç shkruante Azem Shkreli, në romanin "Karvani i bardhë"!

     Rrjedhimisht, situata aktuale në Kosovë nuk është e shëndetshme, përkundrazi është hallakamë. Sepse opozita e bashkuar humbjen e thellë të pësuar më 9 shkurt 2025, ngulmon ta kompensojë me grabitjen e fitores të LVV në tavolinë. Halli i madh i PAN-it është bllokimi, deri në harrim i VETTING-ut dhe i BYROSË të Verifikimit të Pasurive hajnore. LDK-ja duhet të reflektojë, ta pranojë një bashkëqeverisje të kushtëzuar, duke qenë konsultuese e vendimmarrëse e barabartë me partneren LVV. PDK ka intriguar shumë dhe vazhdon të intrigojë, duke "futur pyka" në mes të LVV dhe LDK-së, me qëllim të rikthimit të afrisë, më sakt, për ta bërë patericë, si në epokën e zezë të Isa Mustafës.

 

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".