
Nuk është çudi që jemi në këtë situatë të palakmueshme


Ismail Muçiqi
Shkruan: Ismail Muçiqi
Shteti është si familja, të cilën duhet ta ruajmë dhe ta mbrojmë të gjithë ne, qytetarët që jetojmë brenda kufijve të këtij vendi. Kushdo që e përqesh kryefamiljarin apo të zotin e shtëpisë, nuk meriton asnjë respekt; përkundrazi, meriton braktisje nga familja, nga rrethi ku jeton dhe nga shoqëria e gjerë. Përditë, përmes të ashtuquajturave mjete të informimit dhe portaleve të ndryshme, po përballemi me individë të cilët i kanë uzurpuar disa televizione “nacionale” apo lokale, përmes të cilave, në mënyrën më primitive dhe agresive, po shprehin mendjen e sëmurë të sadizmit ndaj rivalëve politikë, ndaj kujtdo që nuk mendon si ata.
Para pak ditësh, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, mori pjesë në mbledhjen e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara. Ajo publikoi një foto nga takimi me Sekretarin Amerikan të Punëve të Jashtme, Marko Rogri. Në vend që të gëzoheshin për këtë takim ndërmjet dy shteteve mike, disa pseudoanalistë të njohur për opinionin hodhën gurë e dhe, duke e vënë në pikëpyetje takimin e Presidentes Osmani me Sekretarin Amerikan të Shtetit. Të njëjtën ditë, pas deklaratave të këtyre pseudoanalistëve Shqiptarë, moderatori i lajmeve në televizionin shteteror të Beogradit, në edicionin e parë të lajmeve, tha se “i ashtuquajturi ish-ambasador i të ashtuquajturës Republikë e Kosovës” – emrin e të cilit nuk po e përmendim, sepse nuk e meriton më shumë– kishte deklaruar se Presidentja Osmani po gënjen dhe se nuk ishte takuar me asnjë zyrtar Amerikan, as me Sekretarin Rogri. Këto janë vetëm disa momente të gjendjes aktuale, të nivelit të ulët të vetëdijes, të kulturës së komunikimit dhe të mungesës së përkushtimit ndaj përfaqësuesve të institucioneve shtetërore dhe ndaj popullit. Kjo klasë individësh pa dinjitet, të cilët para dhe gjatë luftës ikën nga Kosova duke u strehuar si azilantë nëpër vende të ndryshme të Evropës, tani janë kthyer me disa certifikata trajnimesh 6-mujore në filiale parauniversitare dhe e quajnë veten “magjistra” apo “ekspertë” të politikës ndërkombëtare.
Ky soj njerëzish me probleme psqike dhe patologjike është mobilizuar për të krijuar sa më shumë mjegull e kaos në shoqërinë Kosovare. Ata nuk shohin asgjë pozitive; përkundrazi, përmes sadizmit patologjik e kalojnë çdo kufi, duke shpifur dhe akuzuar deri edhe ndaj Presidentes së vendit, e cila po shkëlqen në arenën ndërkombëtare të diplomacies. Nuk është çudi që jemi në këtë situatë të palakmueshme, kur klasa intelektuale hesht, duke i munguar aktivizimi, kreativiteti dhe invencioni ndaj shoqërisë dhe ndaj shtetit. Populli thotë: “Kur mungon maca, minjtë bëjnë dasmë”. Shoqëria Kosovare gjendet në një udhëkryq, sepse në emër të vlerave tradicionale e kombëtare, sot kanë dalë në plan të parë antivlerat e individëve të padijshëm, pa integritet, pa arsimim, pa edukim e pa kulturë, të cilëve diapazoni i mendimit nuk kalon as pragun e shtëpisë. Nuk ka dyshim se pozicionimi i këtyre pseudoanalistëve e opinionistëve po i shërben drejtpërdrejt politikës së Beogradit, e cila vazhdimisht punon për destabilizimin e shtetit të Kosovës dhe për rishikimin e statusit të tij. Prandaj, në fund, duhet theksuar se mjetet e informimit në Kosovë, përkatësisht politika redaktuese editorial, i ngjan një “hajtparku” pa asnjë censurë e përgjegjësi për shprehjen e mendimit dhe fjalës së lirë. Kjo gjendje në sektorin mediatik do të vazhdojë derisa institucionet legjitime të shtetit të Kosovës të rregullojnë me ligj informimin, duke u liruar nga ndikimi i mediave të mafisë biznesore, të cilat sot po krijojnë kaos, dezinformojnë dhe helmojnë opinionin publik.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".