
Lexoni edhe:
Kosova mund të kërkojë përgjegjësi ndërkombëtare për Serbinë dhe të sigurojë përkrahjen globale
Shkruan: ANALISTI-Skender Mulliqi
Se mendja mund të turbullohet në çdo moment e dimë. Por nuk është logjike që mendja të turbullohet shumë gjatë, veç nëse dikush vuan nga ndonjë sëmundje e pashërueshme. Duket se shumë nga kjo klasë politike i është turbulluar mendja pas karrierës dhe përfitimit të të mirave materiale.
-Ky është sigurisht lajm i keq për korrektësinë politike. Që prej se ekziston njerëzimi, njerëzit e mençur e kanë mbrojtur vetën nga njerëzit hipokrit. Të mbrosh veten dhe vendin tënd është logjike. Të mbrosh interesat e huaja, siç po i mbrojnë, dashur apo pa dashur, disa nga njerëzit e politikës dhe të mediave, është për çdo dënim. Kjo nuk duhet të heshtë nga organet përkatëse ligjore. Kosova nuk mund të futet në grackë të askujt. Vendi i takon të gjithëve, kjo është logjike. Nëse të gjithë, sipas parimit të korrektësisë politike, duhet të kujdesen për nderin dhe të drejtat e të tjerëve, edhe mendja patologjike duhet të kujdeset për të tjerët. Por ajo nuk mund ta bëjë këtë. Patologjia sheh vetëm veten. Një mendje e errësuar sheh vetëm të drejtën e vet. Një hipokrit është si një pako e mbështjellë, që nuk dimë se çfarë ka brenda. Nuk është askush aq naiv sa të blejë diçka të keqe të mbyllur në një thes. Kjo është pretendim për mashtrim.
Ka një vetëdijësim tjetër qytetar, nëse dikush po pretendon të përsëritë metodat e vjetra të rrenave dhe mashtrimit. Nuk ka mundësi që askush të shesë më pako të mbyllura pa ditur se çka ka brenda. Mjaft gjatë në Kosovë ka funksionuar një politikë e tillë e mashtrimit të masave të gjera. Nuk shkon më vërbëria ndaj atyre që kanë qëllime të këqija politike dhe të tjera. Besimi vërbër i takon epokës së perënduar të komunizmit, që po dëshirohet të mbahet gjallë. Demokracia nuk i duron njerëzit e tillë; kjo është arsye pse hipokritët bëjnë rezistencë që mos të largohen nga jeta politike. Fytyrat e shtrëmbëruara politike, për fat të keq, ende po i shohim që po diktojnë politikat e tyre përfituese.
Ata nuk janë të interesuar për njeriun, por për qëllime që sa më shumë t’i mbushin xhepat. Reagimet qytetare ndaj të gjitha të këqijave që po na godasin duhet të ndodhin një ditë. Shpifjet, gënjeshtrat dhe fyerjet e drejtuara ndaj shumicës nuk do të lejohen të përsëriten. Ne mundemi! Ne e dimë dëmin e shkaktuar nga heshtja. Ne e dimë se misioni i tyre është përfitimi, ideologjia dhe manipulimi histerik. Ajo duhet të shpërbëhet. Mjaft më me njerëz të korruptuar që luftojnë për kolltuqe. Ne duhet të vazhdojmë të luftojmë. Të mbrojmë më të çmuarën tonë, themelin e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, të fituar me shumë gjak. Askush nuk mund t’i mbrojë ata nga plaga e ideologjive dhe politikave të sëmura, përveç nesh… Mjaftësia është mjaft…!
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".