
Rubineti bosh dhe klasa e mbipopulluar


Isuf Bajraktari
Nga Isuf Bajraktari
Në mesin e dekadës së tretë të shekullit XXI, shoqëria kosovare përballet ende me sfida bazike që duhej të ishin tejkaluar shumë më herët. Mungesa e ujit të pijshëm dhe infrastruktura e pamjaftueshme arsimore për fëmijët nuk janë vetëm probleme teknike komunale; ato janë pasqyrë e një dështimi më të gjerë politik e institucional.
Politika lokale shpesh shpërndan shifra dhe premtime që ngjajnë si të dhëna, por mungojnë si zgjidhje. Nga informacioni deri te thellëkuptimi, pra nga fjala e thënë deri te ndryshimi real, ekziston një hendek i thellë. Në këtë boshllëk, qytetari sheh se rubineti i tij mbetet bosh dhe klasa e fëmijës së tij e mbipopulluar.
Analiza e çdo komune tregon se ekzistojnë dy faktorë determinues të cilësisë së jetës: mungesa e ujit të pijshëm të pastër, si nevojë jetike dhe themel i shëndetit publik; dhe mungesa e hapësirave e infrastrukturës për fëmijët në kopshte e shkolla, si themel i formimit të gjeneratës së ardhshme.
Në mungesë të tyre, asnjë investim tjetër nuk mund ta mbulojë krizën reale. Ky është paradoksi i politikës sonë: migrimi ka zvogëluar popullsinë, por edhe me numrin aktual të banorëve, institucionet nuk kanë arritur të ofrojnë zgjidhje funksionale.
Çdo katër vite, partitë heshtin gjatë pushtetit dhe më pas, në një muaj zgjedhor, shpërndajnë programe e slogane. Këto, në vend që të sjellin besim, shtojnë frustrimin dhe mosbesimin. Informacioni është kthyer në armë fasade, ku retorika nuk përputhet me realitetin dhe premtimi shndërrohet në zhgënjim.
Shkrimi “Rubineti bosh dhe klasa e mbipopulluar” është më shumë sesa një kritikë lokale: është një thirrje që politika komunale të përballet me realitetin e qytetarit. Rruga nga informacioni te dritëkuptimi, nga premtimi te besimi, është ende e paqartë. Pa zgjidhjen e dy plagëve kryesore – ujit dhe arsimit – çdo tjetër retorikë politike mbetet e zbrazët.
Shoqëria kosovare nuk ka luksin të mbetet peng i një rrethi vicioz ku uji mungon, shkollat janë të mbipopulluara, e fjalët politike derdhen si lumi që nuk pihet.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".