
Një vendim absurd dhe revoltues


Eshref Ymeri
Nga Eshref Ymeri
Lidhur me vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pezullimin e Dialogut të planifikuar strategjik me Republikën e Dardanisë për shkak të mbylljes së strukturave kriminale serbe në veri, Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar:
“SHBA-ja e konsideron shumë të rëndësishme që ta tërheqë Serbinë nga hemisfera lindore, sepse Serbia është e lidhur ngushtë me Moskën dhe ne, duke qenë të palëkundur në sundimin e ligjit, demokracinë, sovranitetin shtetëror dhe integritetin territorial, disa politikanë dhe diplomatë në SHBA vlerësojnë se ne nuk po e ndihmojmë SHBA-në që ta shkëpusë Serbinë nga Federata Ruse. Por, sinqerisht, ky nuk duhet të jetë problemi im” (Citohet sipas: “Kurti për pezullimin e Dialogut të planifikuar strategjik me SHBA-në: s’mund të bëj kompromise me sundimin e ligjit në veri”. Faqja e internetit “Voal”. 28 shtator 2025).
Së-pari, për dijeninë e Kryeministrit Albin Kurti, këtu kemi të bëjmë jo me disa politikanë dhe diplomatë amerikanë, por me politikë zyrtare amerikane.
Së-dyti, është me të vërtetë për të vënë duart në kokë: administrata Tramp 2 kërkon shkëputjen e Serbisë fashiste nga Rusia! Si qenka e mundur që ajo t’i lejojë vetes një naivitet kaq të madh? Po a është e mundur që bija të shkëputet nga nëna? Megjithatë, nuk dihet nëse këtu kemi të bëjmë me naivitet apo me diçka tjetër më të thellë.
Por, gjithsesi, nuk ka asgjë për t’u habitur. Vendimi i lartpërmendur është në logjikën e gjerave në administratën Tramp 2. Sepse dihet, që, në fillim të fushatës zgjedhore për mandatin e parë presidencial, Trampi pati deklaruar:
“… Për mua personalisht, bombardimi i serbëve është një turp i vërtetë. Ndërkohë, Klintonët këtë e vlerësojnë si një sukses të paparë. Kërkoj ndjesë para popullit serb për të gjitha gabimet e politikës amerikane. Në qoftë se unë do të vij në krye të Amerikës, atëherë ka për të ndryshuar kursi i politikës së jashme, i cili deri tani shpeshherë ka qenë i gabuar” (Citohet sipas: “Trampi i kërkoi falje Serbisë… për Klintonët”. Faqja e internetit “stihiya.org”. 25 dhjetor 2015).
Duke ndjekur gjurmët e të atit, Donald Tramp i Riu, ka bërë dy vizita në Serbinë fashiste, ku ka deklaruar para trashëgimtarit të Millosheviçit, kriminelit të popullit dardan, Vuçiçit:
“NATO-ja e bombardoi Serbinë në vitin 1999 në mes të skandalit të Bill Klintonit me Monika Levinskin, dhe shumë e shohin bombardimin e Serbisë nga NATO-ja asokohe si një shpërqendrim nga kjo çështje” (Citohet sipas: “Podkasti me Vuçiçin, befason djali i Donald Trampit: NATO bombardoi Serbinë që të largonte vëmendjen nga skandali Levinski!”. Faqja e internetit “top.channel.tv”. 15 mars 2025).
Kjo ishte një shpifje e neveritshme nga ana e tij.
Por edhe më skandaloze ishte diçka tjetër që i biri i Presidentit Tramp shpalosi në komunikimin me Vuçiçin. Në internet qe botuar edhe njoftimi në vijim:
“...duke e shpjeguar vendndodhjen e Serbisë në hartën e Europës, Trump Jr shfaq një hartë, ku Dardania është pjesë e Serbisë” (Citohet sipas: “Përshkrimi i djalit të Donald Trump për bombardimet e NATO’s: Ndodhën në pikën më të lartë të skandalit Clinton-Levinski”. Faqja e internetit “Express”. 15 mars 2025).
Pra, administrata e Trampit, për të kënaqur synimet shoviniste të Serbisë fashiste, kërkon të bëjë kurban interesat kombëtare të Republikës së Dardanisë, ashtu si dy kryetradhtarët e kombit shqiptar - Thaçi dhe Rama, - duke shkelur mbi gjakun e mijëra dëshmorëve të popullit dardan. Por, për fatin e mirë të popullit dardan, Kryeministri Albin Kurti dhe Presidentja Vjosa Osmani, dy figura këto emblematike, si askush tjetër deri më sot në historinë tonë kombëtare, kanë dëshmuar dhe vazhdojnë të dëshmojnë më së miri se janë udhëheqës fort dinjitozë dhe nuk tërhiqen as para kërkesave të administratës Tramp 2, e cila, me presionin e ushtruar ndaj tyre, ka zbritur në nivelin e Perëndimit europian të viteve 1878 dhe 1913 për copëtimin e trojeve tona etnkie. Prandaj shqiptarët, në mbarë trojet tona etnike dhe në Diasporë, duhet të jenë krenarë për këta dy udhëheqës me dinjitet të lartë kombëtarë.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".