Vjen paralajmërimi: Për shumicën e komunave fitoren e përcakton balotazhi

Vjen paralajmërimi: Për shumicën e komunave fitoren e përcakton balotazhi
Vjen paralajmërimi: Për shumicën e komunave fitoren e përcakton balotazhi

Skender Mulliqi

  • 14 October 2025 - 07:40

Shkruan: ANALISTI-Skender Mulliqi

Ra perdja e zgjedhjeve të radhës lokale në Kosovë. Disa komuna u fituan pa balotazh, ndërsa fituesin për shumicën e komunave e përcakton ballotazhi. Zgjedhjet ishin të lira dhe korrekte, pa ndonjë incident që vlen të dallohen. Kjo është e mirë për Kosovën. 39 për qind të daljes në zgjedhje nga ata që kanë të drejtë vote është shqetësuese, dhe që pak kush po e komenton këtë pse po ndodh kështu. Unë kam shkruar një shkrim para zgjedhjeve dhe kam kërkuar që të ketë dalje masive për t’i larguar të gjithë ata që po e keqpërdorin pushtetin për shumë vite. Mosdalja në zgjedhje të shumicës iu dha mundësi sërish disa partive politike, të cilat kanë drejtuar Kosovën për shumë vite, të fitojnë disa nga komunat më të mëdha.

 

Nuk është gjithçka te fitorja apo humbja e subjekteve politike, por është shqetësues fakti se më gjasë pas ballotazhit do të kemi shumë nga ata në pushtet që ishte dashur me këto zgjedhje të largohen, për t’u lëshuar vend progresit, në vend të regresit dhe hajnive të mëdha që ndodhën. Kryesisht duket se u ruajt pushteti nga ato parti që edhe më parë i drejtonin komunat. Dhe ky mosndryshim nuk është aspak i mirë dhe nuk është për të mirën e Kosovës.

Edhe pse zgjedhjet lokale nuk janë shumë të rëndësishme për zgjedhjet e nivelit qendror, sepse në zgjedhje lokale vijnë në shprehje interesat e caktuara, sigurisht që këto zgjedhje treguan ruajtjen ekzistuese të strukturave të partive kryesore politike nëpër komuna. A do të ketë ndryshime thelbësore në komunat që do të shkojnë në ballotazh, na mbetet të shohim. Është keq nëse ata që për një kohë të gjatë kanë udhëhequr me komunën, mbeten në një mënyrë apo tjetër në pushtet. Edhe nëse dikush ka udhëhequr me komunën mirë, ndryshimi është i domosdoshëm, sepse jemi në sistemin shumë-partiak pluralist, dhe jo në sistemin komunist. E jo që kur jemi këtu po bëhen hajni të mëdha dhe pak kush po përgjigjet para organeve përgjegjëse, që është një çudi e madhe për çdo kritikë.

Ose po bëjmë shtet ligjor dhe funksional, ose po ia falim dreqit. Ndaj hajnave dhe profiterëve të të gjitha niveleve duhet të ketë tolerancë zero. Por, kjo nuk bëhet kur shumica po tregohen pasivë në zgjedhje, duke mos dalë për të votuar. Dhe tjetra, secili person keqbërës që është bërë milioner në komuna, ka për në qendër për t’i fshehur të palarat e tij, të hetohen dhe të përballen me ligjin. Hetimet e mundshme do të tregonin se ka të tillë që duhet të japin llogari ligjore. Të bëhesh milioner në llogari të taksapaguesve dhe të mos japësh llogari, kjo ndodh vetëm në sistemin një-partiak komunist.

Po themi edhe këtë: gjithmonë dhe kudo ka njerëz të sëmurë kushtimisht për të qenë hajna ordinerë. Problemi lind që këta njerëz politikën e shohin si mundësi për të krijuar biznese të paligjshme. Edhe diçka tjetër: Lista Serbe, që fitoi shumicën e komunave të minoritetit serb, me direktiva nga Beogradi, ishte dashur të përjashtohej nga jeta politike në Kosovë. U faktorizua kjo Listë në saje të një pjese të opozitës dhe analistëve hilegji të disa televizoneve.

Është e trishtueshme dhe patetike se si mendjet e çmendura dhe të sëmura, prapë kushtimisht, po gjejnë ndjekës midis të ashtuquajturës popullsi normale dhe përhapin ndikimin e tyre në shoqëri, si një virus ose murtajë! Faji është i masës inerte që nuk reagon, duke dalë masivisht në zgjedhje për t’i dënuar keqbërësit politikë, derisa të jetë tepër vonë. Kështu ndodhi e keqja e komunizmit, fashizmit, dhe tani po ndodh edhe në sistemin pluralist shumë-partiak.

Kjo ligësi e pasurimit me prejardhje krejtësisht të dyshimtë është bërë agresive dhe tepër e rrezikshme nga oligarkia okulte, si pjesë e agjendës së oligarkisë. Zot, çliro këtë popull dhe të rinjtë tanë pa vonuar, nga të gjithë mashtruesit, hajnat dhe atikombëtarët, të cilët e ropën Kosovën deri në palcë. Krejt në fund, se a do të fitojë LVV, PDK apo LDK, më së shumti komuna, mbetet të shihet pas ballotazhit, kur dihet se komunat kryesore në Kosovë kanë shkuar në ballotazh, dhe fituesin më shumë do ta përcaktojnë koalicionet e mundshme.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".