Deputetët e rinj, viktima të liderëve partiak!
Florim Zeqa
Shkruan: Florim Zeqa
Me shkuarjen në zgjedhje të jashtëzakonshme, më të demtuarit do të mbesin deputetët e rinj të legjislaturës së 9-të, të cilët me sakrifica të mëdha u futën në Kuvend: disa me nepotizëm, disa me servilizëm, disa me se*ualizëm e shumë pak me meritë!
Deputetët e rinj ishin pengje të liderëve partiak
Deputetët e legjislaturës së 9-të, të zgjedhurit e popullit përveqse numra ishin shndërruar në pengje të liderëve partiak, të cilët me pozicionimet e tyre barrikaduese prapa liderëve partiak, pa dashjen e tyre u bënë abuzues të votës së qytetarëve.
Po të mos ishte kështu, shumica e deputetëve shqiptar ne Kuvendin e Republikës së Kosovës, në radhë të parë do duhej të silleshin si përfaqësues të popullit, për gjetjen e një rrugëdalje nga situata bllokuese për të mos e çuar vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme!
Me këtë konstalacion të forcave politike pa një alternativë të re për qytetarët, zgjedhjet e jashtëzakonshme do ta prodhojnë përafërsisht të njëjtin rezultat, më shumë polarizim politik dhe dëmtim të panevojshëm të buxhetit të shtetit!
Kështu pra, të zgjedhurit e popullit, me ose pa vetëdijen e tyre, duke mbrojtur pozicionet e liderëve të tyre partiak, përveq humbjes së mandateve të fituara me mund të madh dhe kosto të lartë materiale, e rrezikuan seriozisht të ardhmen e shtetit!
“Të mëdhenjt i hanë mollat, të vegjëlve ju mpihen dhëmbët" (popullore)
Tashmë është bërë dukuri e shëmtuar, kur është në pyetje pushteti, liderët partiak nuk respektojnë parime dhe as programe politike, duke përdorur standarde të dyfishta janë të gatshëm të gëlltisin çdo parim dhe premtim të dhënë para elektoratit të tyre.
“Të mëdhenjt i hanë mollat, të vegjëlve ju mpihen dhëmbët", thotë një fjalë e urtë popullore. Pikërisht kështu ndodhi me një pjesë të deputetëve të kësaj legjislature.
Shkuarja e vendit në zgjedhje të jashtëzakonshme, përveq dhëmbëve, disave prej deputetëve do t'ua "mpijë" edhe shpirtin, nuk do ta kenë më mundësinë e kthimit në karrigën e deputetit!
Mbase kjo është gjë e mirë dhe mësim për të ardhmen, që të tjerët të mos bien pre e liderëve partiak.
Pas përfundimit të çdo lufte ndodhin këmbimet e pengjeve, por të njejtin fat nuk do ta kenë edhe deputetët fatkeq të legjislaturës së 9-të, për shkak të pengmbajtjes nga liderët partiak!
Përderisa këta të fundit (liderët partiak) nuk i pengon askush të lidhin kurorë me secilin dështak të zgjedhjeve të kaluara, të tjerët e kanë më të vështirë, por jo të pamundur t’i realizojnë aspiratat e tyre politike në një kamp tjetër politik!
Megjithatë, gjithçka mbetet në ndërgjegjen dhe guximin personal të tyre!
Nga pozicioni i pengut partiak do të arrijnë të dalin vetëm deputetët e guximshëm që vendosin të kthehen në shërbim të shtetit dhe qytetarëve!
Politikanët karrierist për të realizuar ambicien e tyre personale nuk zgjedhin mjete e njerëz, ata lidhen me dreqin e t'birin, edhe me armikun qoftë nevoja për të ardhur deri tek karrigia e pushtetit!
Mos qofsha në lekurën pengut partiak!
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
