Fundi i epokës së iluzioneve politike

Fundi i epokës së iluzioneve politike
Fundi i epokës së iluzioneve politike

Isuf Bajraktari

  • 01 November 2025 - 14:15

Nga: Isuf Bajraktari, analist politik

Nëse vendi shkon në zgjedhje, Vetëvendosje nuk do të dalë më ajo që ishte. Rënia e saj tashmë ka nisur  jo si përplasje e menjëhershme, por si zbehje e ngadaltë e një ideali që e ka humbur dritën.
Dështimi për formimin e Qeverisë Kurti 3 është më shumë se krizë numrash; është simptomë e një lëvizjeje që ka hyrë në vetëngopje.
Dikur u pa si energji revolucionare, sot është kthyer në burokraci politike që jeton me fjalët e veta të djeshme.
Albin Kurti nuk po përballet me opozitën, por me hijen e versionit të vet të mëhershëm.
Dhe kjo është beteja më e humbur që mund të ketë një lider.
LDK – rikthimi i heshtur i maturisë
Ndërsa VV bie në peshë, Lidhja Demokratike e Kosovës po ngjitet me durim.
Pas një dekade stuhish të brendshme, LDK ka rifituar atë që i mungonte më shumë: balancën dhe besueshmërinë. Nuk po premton mrekulli, por po rikthen stabilitetin.
Po i afrohet qytetarit pa patetikë, pa histeri, pa fjalë të mëdha dhe kjo po rezulton strategji efikase.
Në sondazhet e brendshme të partive, LDK tashmë shfaqet si forca e dytë me trend rritës, e vetmja që mund ta kapitalizojë zhgënjimin e elektoratit të VV-së.
Nëse ky ritëm vazhdon, zgjedhjet e ardhshme mund ta rikthejnë LDK-në në rolin e boshtit të qeverisjes.
PDK – stabilitet pa frymë të re
PDK pritet të shënojë një rënie të lehtë, thuajse simbolike.
Partia që dikur sundonte politikën kosovare sot ndodhet në një fazë neutraliteti: nuk bie, por as nuk ngjitet.
Ka një elektorat besnik, por pa magnet të ri politik.
E ardhmja e saj varet nga një riformatim i figurave udhëheqëse diçka që, deri tani, mbetet në pritje.

AAK dhe Nisma,  ekzistencë pa ndikim
AAK dhe Nisma mbeten në pozitat e tyre tradicionale.
Janë parti që mbijetojnë, por nuk përcaktojnë asgjë.
Në zgjedhje të reja, pritet të ruajnë përqindjet e zakonshme, të mjaftueshme për të hyrë në Kuvend, por jo për të ndikuar në drejtimin e qeverisjes.
Ngërçi që s’do të zgjidhet me zgjedhje. 
Nëse zgjedhjet mbahen pa ndryshim në kulturën politike, Kosova do të dalë prej tyre po aq e bllokuar sa sot.
Asnjë forcë nuk do të ketë shumicë të pastër, e kombinimet e koalicioneve do të jenë edhe më të ndërlikuara.
Në mungesë të konsensusit dhe me një presidencë potencialisht bosh, vendi mund të futet në fazën më të rrezikshme të paralizës institucionale që nga viti 2010.

Fundi i iluzioneve politike
Vetëvendosje ndërtoi kapitalin e vet mbi ëndrrën e ndryshimit. Por kur ëndrra zgjatet tepër, ajo shndërrohet në iluzion.
Kurti dhe partia e tij po e zbulojnë këtë me dhimbje, ndërsa LDK po mëson se koha e maturisë mund të jetë më e fortë se koha e populizmit.
PDK pret ringjalljen, ndërsa partitë e vogla ruajnë qetësinë e mbijetesës.Kosova ka hyrë në fundin e një epoke atë të iluzioneve politike.
Tani i mbetet të zgjohet në epokën e përgjegjësisë, nëse dëshiron të mos mbetet përgjithmonë në një gjumë politik me sy hapur.
Kur idealet bëhen pretekste dhe ëndrrat bëhen pushtet, zgjedhjet nuk janë zgjidhje janë pasqyrë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".