Edukata Qytetare lënda që duhet të shpëtojë brezin e humbur
Zef Prenka
Shkruan :Zef Prenka
Në një kohë kur rrjetet sociale po bëhen më shumë “mësues” se vetë shkolla, është e domosdoshme që lënda “Edukatë Qytetare” të marrë vëmendjen dhe peshën që i takon.
Shkollat tona duhet të jenë më shumë se institucione dijeje – ato duhet të jenë qendra formimi moral dhe kulturor.
Sot, një pjesë e madhe e adoleshentëve janë të paedukuar në frymë demokratike dhe qytetare. Nuk flitet për mungesë inteligjence, por për mungesë ndjeshmërie dhe përgjegjësie ndaj vetes dhe tjetrit. Ata nuk e kuptojnë më ku fillon liria dhe ku mbaron respekti.
Në autobus nuk ngrihen për t’u lënë vendin të moshuarve, në rrugë nuk ndihmojnë askënd, në rrjete sociale tallin, gjykojnë e përqeshin.
Në shtëpi mund të duken të sjellshëm, por në publik janë tjetër fytyrë – të shëmtuar nga mungesa e edukatës.
Në vend të modeleve që nxisin mirësinë, solidaritetin dhe dinjitetin, brezi i ri ushqehet me “influencerë” që promovojnë sjellje arrogante, fjalor banal dhe ide boshe.
TikToku e ka zënë rob adoleshentin modern: ai e di çfarë është “trend”, por nuk di çfarë është respekt.
Për këtë arsye, është koha që lënda “Edukatë Qytetare” të mos jetë më një orë e ftohtë në fund të javës.
Ajo duhet të forcohet me orë shtesë, me shembuj konkretë nga jeta, me diskutime, me aktivitete shoqërore, madje me përfshirje të prindërve dhe komunitetit.
Nxënësit duhet të mësojnë jo vetëm ligjet e shtetit, por ligjet e sjelljes njerëzore: respektin, faljen, ndihmën, tolerancën, përgjegjësinë.
Një thelb i rëndësishëm që shpesh anashkalohet është se mësuesit e kësaj lënde duhet të jenë mirë të përgatitur.
Ata nuk mund të jenë thjesht lexues të teksteve, por formues të karakterit.
Duhet të jenë shembuj të gjallë të edukatës, të dinë të komunikojnë me ndjeshmëri, të frymëzojnë dhe të kuptojnë psikologjinë e moshës së re.
Një mësues i edukatës qytetare duhet të jetë si një pasqyrë e vlerave që predikon – ndryshe, çdo orë mbetet bosh, dhe çdo fjalë shkon dëm.
Nëse nuk e rikthejmë edukatën qytetare në themel të arsimimit, do të përballemi me një brez që njeh teknologjinë, por humb shpirtin.
Një brez që do të dijë si të përdorë çdo pajisje, por jo si të përshëndesë një njeri.
Një brez që do të flasë shumë – por nuk do të dëgjojë askënd.
Edukata qytetare është pasaporta e njeriut të civilizuar.
Nëse ajo dështon, shoqëria humb drejtimin.
Dhe atëherë, as shkolla, as shteti, e as rrjetet sociale nuk do të mund ta shpëtojnë më njeriun nga vetja e vet
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
