LDK e bllokuar nga lidershipi; PDK-ja tolerohet; ndërsa LVV refuzohet pa arsye
Idriz Zeqiraj
IDRIZ ZEQIRAJ
Vrasjet politike ndër shqiptare datojnë që nga vitet `80-a. Themi ndër shqiptare, sepse e gjithë logjistika, në përgatitjen e atentateve, ishte shqiptare, ndërsa projekti ishte jugosllav. Kurse vrasjet politike, gjatë dhe pasluftës, ishte instruktim i Sigurimit sekret i Tiranës zyrtare, social-komuniste, të realizuara nga krerët dhe eksponentët e LPK-së të djeshme, me bandat e tyre koordinuese, pothuaj se, gjysmë-legale, ndoca syresh, agjent të Serbisë dhe të Shërbimeve tjera, përkatësisht, PAN-it të sotëm, i përbërë nga subjektet politike: PDK-AAK-NISMA.
Subjektet e koalicionuara në Pan, bënë çmos, për t`i afatizuar hetimet për vrasjet politike, vetëm deri në fund të vitit 2000, edhe pse ato kanë vazhduar edhe dy dekada tjera, siç janë ekzekutimet e dëshmitarëve të Gjykatës të Hagës. Ishin të njëjtit hartues të listave emërore të viktimave cilësore të radhës, të njëjtat skuadra atentatore dhe me metoda të njëjta ekzekutuese, pikërisht, me veprime si -Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale-, siç e ka emërtuar, ekzaktësisht, Prokurori amerikan, Xhak Smith.
Në debatet televizive, kemi dëgjuar deputetë, vrasës politikë, të konfirmuar nga Gjykata, duke thënë se "janë vjetruar dhe duhet harruar vrasjet politike". Edhe pse LDK-ja nuk e thotë këtë, por qëndrimet ndaj këtyre vrasjeve janë zvetënuar, gati në harresë!
Moto e fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit ishte: Me të gjitha subjektet mirë, pa atakuar asnjë parti politike, pa përmendur të "bëmat" kriminale të subjekteve politike të kriminalizuara. Si pasojë e heshtjeve të krimeve serike politike, PDK-ja, të cilën Gjykatat vendore dhe ndërkombëtare, e kanë identifikuar si subjekt me kuadro e zyrtarë të kriminalizuar. Dhe, megjithatë, ka pasur ngritje elektorale, duke e spostuar LDK-në në vendin e tretë, edhe pse LDK-ja ka listën më të pastër të deputetëve dhe të kuadrove të tjerë partiakë, ka bërë paqen dhe luftën.
Kryetarët e LDK-së, të cilët e pasuan Rugovën në drejtimin e partisë, selektuan kuadrin e hershëm dhe ofruan rishtarë, pothuaj se, me kontribute të pakta partiake. Me shpërbërjen e Aktivave të LDK-së, filloi çmontimi i rugovizmit. Shpërfillja e veprimtarëve, miq e bashkëpunëtorë të Presidentit Rugova, janë bërë normale. Fryma e qendrës u bartë edhe në bazë. Koalicionet e LDK-së me PDK-në, përkundër vullnetit të anëtarësisë dhe të vetë strukturave të partisë, dobësuan aq shumë partinë, dikur krenare të Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugovës, LDK-në, në kuotën e 10 % -it. Anëtarësia dhe elektorati i LDK-së, e vlerësojnë Lidershipin aktual, për rimëkëmbjen, ngritjen e partisë në zgjedhjet e shkurtit. Por, janë qortues racional pse LDK-ja nuk e shfrytëzon shansin e artë, bashkëqeverisjen me LVV, kur bllokada e krijuar po dëmton shtetin e Kosovës. Ndërkohë, edhe qëndrimi i gjatë në opozitë, dëmton edhe partinë.
Dr. Rugova: "Të shantazhuarit, larg pushtetit!"
Tashmë, është konfirmim zyrtar i Gjykatave të Kosovës dhe ndërkombëtare, se disa krerë dhe eksponentë LPK-së të djeshme, të konvertuar në PAN-in e sotëm, u bënë argatë të Shërbimeve të huaja, duke vrarë veprimtarë dhe ushtarakë luftëtarë për lirinë e Kosovës, për ta sabotuar luftën. Duke vrarë kundërshtarët politikë, synonin pushtetin dhe pasurinë, të cilët, realisht, për një kohë, ia arritën qëllimit.
Disa "komandantë" mujsharë e zuzarë, duke shkelur mbi kufoma, arritën kupolën e pushtetit dhe të shtetit. Ata, me dajak e plumb, në stilin enverist-fashist, arritën të tmerrojnë dhe nënshtrojnë edhe disa nga drejtuesit e partive rivale. Edhe pse ishin viktima të tyre, ata i detyruan të koalicionohen, për të qeverisur së bashku, duke i përzgjedhur edhe disa nga ministrat e përshtatshëm. Krimi dhe marrëzia ndodhi. Elektorati, anëtarësia, strukturat e partisë viktimë, madje edhe shumësia e Kryesisë, heshtën, u nënshtruan dhe një klan, që kishte pushtuar partinë, gjithnjë, me ndihmën e persekutorit, duatrokiste koalicionin, për ta katandisur partinë e Rugovës në 10 %!
"Edhe Presidenti Rugova bëri koalicion me persekutorët",- justifikohen klanorët. Por, ishte kohë zezonë, nuk mund të zgjidhje, veçse pakicën serb, ndërkohë që Kosova nuk kishte pavarësi dhe bllokimi për gjithçka ishte i pritshëm. Pra, nuk kishte alternativë, ndërsa tani ka një LVV, që nuk ka vrarë, nuk ka vjedhur, nuk ka kontrabanfuar, nuk ka vjelur haraç. Dhe, Dr. Rugova, me dhimbje vendosi, duke thënë se "zgjodha të keqen më të vogël!" Por, për muaj të tërë, Kosova në vend të Qeverisë, kishte banda. Dhe, megjithatë, të keqin e madh, nuk e pranoi në krye të qeverisë, duke ia lënë partisë së tij amanetin e madh: "Hashimi të mos e lejohet të ngritet në poste të larta, sepse është i dëmshëm për Kosovën"! Një profeci, parashikim i saktë. "Njerëzit e shantazhuar, duhet mbajtur larg pushtetit, sepse janë të rrezikshëm për shtetin"! Amanetet, porositë e mëdha i shpërfilli partia e Presidentit, por edhe vet Kosova! Dhe, Kosova e pësoi dje, vazhdon të lëngojë edhe sot.
"Është e poshtër LVV, pse ajo prishi koalicioni Kurti 1"! Rrenë qoftë! Atë koalicion e prishi Hashimi, Grenell, Vuçiq dhe Rama, ndërsa veç "Aminin" ia bëri Isa Mustafa! Është hipokrizi, ta refuzosh partinë që nuk të ka vra dhe ta pranosh atë që t`i ka vrarë meshkujt më të mirë të kombit -pushkë hekuri", - siç shprehet populli.
"Kurrën e kurrës koalicion me LVV, por me PDK-në po"-, shkumonte njëri nga anëtarët e Kryesisë. Dhe, megjithatë LDK e kandidon për kryetar të komunës të rangut të parë, edhe pse anëtarësia paralajmëroi se "nuk e votojmë, ka mbetur rob i Isës dhe nuk donë koalicion tjetër, përveç PDK-së!"
Jo vetëm anëtarësia e LDK-së, por edhe e gjithë shqiptaria e përbotshme, përjashto PAN-in e kriminalizuar, kërkojnë bashkëqeverisjen LVV -LDK, sepse plotësojnë kushtin bazë, nuk janë të kriminalizuara. Dhe, Lidershipi aktual po heziton ta bëjë zhbllokimin, të vazhdojë bashkëqeverisjen, kur dihet se gjysma e elektoratit të LDK-së është atje, në GUXO dhe VV, Alternativa. "Një herë vjen vera kah dera",- thotë urtësia.
Protesat e OVL, përkatësisht, të PAN-it, janë kriminale të trefishta
Protestat në Prishtinë dhe Hagë, më parë dhe, së fundi, në Tiranë, janë pjellë e përgjakur e PAN-it marroq. Krerët dhe eksponentët e kriminalizuar të OVL të UÇK-së të LPK-së, argatë të PAN-it, janë bërë tellall të PAN-it. Ata i fusin hundët kudo, shantazhojnë qeverinë, shtetin, popullin e Kosovës. Thënë troç, ata janë bërë xhandarë të PAN-it dhe provokojnë, poshtërsisht e rrugaçërisht, ditë e natë, në mediat lehaqene të sponsorizuara nga PAN-i.
"Ra ky mort dhe u pamë", -thotë populli, e ndoshta më shumë gratë. Shqiptarët u marrosën, sikur nuk mjaftuan as 300 dëshmitarët, në mes tyre familjarë të viktimave, vuajtës të torturuar, në burgjet rurale, tej fashiste, të Qeverisë të Përkohshme dhe shumë dëshmitarë okularë edhe nga rojet e këtyre burgjeve-ahure. Me kot mburrën shqiptarët për drejtësi. Mirë tha mikja e madhe e Kosovës dhe e shqiptarëve, euro-deputetja për shumë mandate, gjermania DORIS PACK, se "më kriminelë janë ata që protestojë, se sa këta që akuzohen në burgun e Hagës"!
Vizitorë në burgun e Hagës, në mes tjerëve, kanë qenë edhe disa nga klanorët, me shefin e tyre Isa Mustafën. Këto janë rrjedhojat që sjellë votimi aklamativ, fiktiv, i hapur, i rrejshëm, duke e refuzuar votimin e fshehtë, siç ndodhi në Kuvendin e Kosovës. Edhe pse Kushtetuta shkruante qartazi se lejohet "votimi i hapur, votimi i fshehtë dhe forma të tjera", opozita komplete çirrej rrejshëm, se i ligjshëm është vetëm votimi i hapur dhe jo ai i fshehtë, duke e kamufluar me një klauzolë qorre, të bërë nga hartues dallaveraxhinj. Refuzimi i votimit të fshehtë, është metodë komuniste dhe fashiste, i refuzuar nga sundimtarë që duan pushtetin deri në cofjen e tyre.
Në protestën e turpshme dhe skajshëm kriminale, veç të tjerëve ishte edhe njëri që e ndajnë vetëm tri germa nga pozita e kryetarit të LDK-së! Sigurisht ka qenë për ngushëllime ke Nënë Naxhireja e Bardhyl Ajetit, i goditur me plumb kokës, me urdhër të shefave të PAN-it. Kam dëgjuar edhe "xhevahire" të tjera nga kuadri në fjalë i LDK-së: "Mbledhja e Osllose e vitit 1998 ishte e rëndësishme, sepse u bë bashkimi i faktorit ushtarak"! Rrenë e kulluar. Përkundrazi, nga aty nuk u pranua për Ministër të Luftës, Kolonel Ahmet Krasniqi, njëherësh, u vendos ekzekutimi i tij, në ujdi SHTAB-i i UÇK-së dhe Qeveria shqiptare. Pra, kjo është "rëndësia" e asaj Mbledhje ogurzezë, e kryesuar nga Adem Demaçi dhe Xhavit Haliti - nga LPK dhe Kolonel Ahmet Krasniqi dhe major Agfim Mehmeti - nga FARK-u.
Pjesëmarrja në një protestë, e cila është kriminale e trefishtë:
E para, thirret rrejshëm për mbrojtje të ushtarëve apo komandantëve të PAN-it, por, realisht, ishte për fushatë elektorale të PAN-it;
E dyta, u tha se protesta në Tiranë u thirr nga OVL të UÇK-së, por në fakt u thirr dhe u organizua nga PAN-i dhe Partia Socialiste e Edvin Ramës;
E treta, u thirr për drejtësi korrekte, por ishte ultimatum i poshtër dhe idiotesk, ku u kërkua lirimi i menjëhershëm i të akuzuarve të burgut të Hagës!
Nëse pjesëmarrja në protestën kriminale, e kryetarit komunal, për të përfituar vota në Prishtinë, është e rëndë. Por, nëse Përparim Rama e ka bindjen se ata janë të pafajshëm, keqardhje për naivitetin e tij, si intelektual -par exelance-. Por, nëse ai e dinë se krimet e tyre janë faktike, kjo është fajësi e skajshme, që nuk e nderon një qytetar të natyralizuar në shoqërinë demokratike Perëndimore.
LDK-ja është parti akademike, me kuadro të bollshme dhe me përgatitje supreme. Për zgjedhjet e 9 shkurtit, një ekip i tërë, për të gjitha fushat, kishte bërë një përgatitje solide, për ta gëzuar resorin e ekzekutivit. Ndoshta, po të vendosnin për bashkëqeverisje me LVV, duke u pajtuar që kryetar Lumiri ta kryesonte qeverinë, me siguri do të ishte qeverisje e suksesshme. Nëse do të pajtoheshin për një punë kolegjiale, fare pak rendësi do të kishte se kush është i parë apo i dytë. Jeta ime ekstrem e vështirë, në burgjet e monizmit tipik stalinist, më ka krijuar ndjenjën e kursimit. Andaj, më tmerron abuzimi me milionat e eurove të buxhetit të shtetit, kur me aq lehtësi vendoset shkuarja në zgjedhje të serishme, kur ato mund të shmangen, me kompromise, qoftë edhe të dhimbshme.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
