Nga idealizmi i pasluftës te pragmatizmi i pushtetit dhe humbja e misionit kombëtar

Nga idealizmi i pasluftës te pragmatizmi i pushtetit dhe humbja e misionit kombëtar
Nga idealizmi i pasluftës te pragmatizmi i pushtetit dhe humbja e misionit kombëtar

Naser Krasniqi

  • 13 November 2025 - 07:00

Shkruan: Naser Krasniqi

Nga rrënjët e UÇK-së - te vizioni shtetformues

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e dalë nga gjiri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), u themelua si vazhdimësi politike e luftës për liri, duke mishëruar aspiratat për shtetformim, dinjitet dhe zhvillim kombëtar.

Në fillimet e saj, ajo simbolizonte shpresën për një Kosovë të pavarur, të drejtë dhe me institucione funksionale. Ish-udhëheqësit e UÇK-së, që u bënë njëkohësisht udhëheqës të PDK-së, shiheshin si bartës të vlerave të luftës dhe garanci për mbrojtjen e interesit kombëtar.

Por rrjedhat e mëvonshme politike e ndryshuan këtë narrativë.

Nga opozita - te pushteti dhe sfidat e qeverisjes

PDK mori pushtetin pas zgjedhjeve të nëntorit 2007 dhe, në janar 2008, formoi qeverinë e parë të udhëhequr nga Hashim Thaçi, duke shënuar një arritje historike dhe duke udhëhequr shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Ajo arriti kulmin e ndikimit politik, por njëkohësisht nisi edhe procesin e erozionit moral. Korrupsioni, nepotizmi dhe pasurimi i paligjshëm u bënë dukuri të zakonshme, duke i dhënë PDK-së etiketën e keqqeverisjes dhe simbolit të klientelizmit politik.

Ajo që nisi si triumf i një ideali u shndërrua shpejt në përplasje me realitetin e pushtetit. Fitorja e vitit 2007 ishte çasti kur ideali mori pushtetin - dhe pushteti filloi ta gërryejë idealin.

Centralizimi i pushtetit dhe fragmentimi i trashëgimisë së luftës

Në mandatin “Thaçi 2”, fenomenet negative u thelluan. Vendimmarrja u centralizua, ndërsa kundërshtarët brenda partisë u eliminuan jo për dallime ideologjike, por për interesa personale.

Një episod domethënës ishte mbledhja e strukturave të PDK-së në Prizren, gjatë një udhëtimi drejt Prevallës, ku kryeministri Thaçi njoftoi përjashtimin e Zafir Berishës nga strukturat e partisë. Ky rast ilustronte tendencën drejt centralizimit të vendimmarrjes dhe nënvlerësimin e autonomisë së degëve lokale.

Sulmet ndaj kundërshtarëve që ndanin të njëjtën prejardhje historike nga UÇK-ja dëshmonin për fragmentimin e trashëgimisë së luftës dhe për transformimin e saj në instrument të rivaliteteve të brendshme.

Një tjetër shembull domethënës i relativizimit politik ishte kontrasti i diskurseve publike: në prag të zgjedhjeve të vitit 2010, një figurë e fuqishme brenda PDK-së e quante AAK-në “parti të haraçit”, ndërsa në vitin 2017, në kuadër të koalicionit PAN, e propozonte Ramush Haradinajn për kryeministër.

Ky kontrast sinjalizonte krizën e parimeve dhe idealizmit brenda PDK-së. Për shumë mbështetës, ai ishte momenti i zhgënjimit - ideali që dikur kishte bashkuar strukturat u zëvendësua nga një pragmatizëm i zhveshur, ku interesi për pushtet mbizotëroi mbi parimet.

Humbja e bastioneve dhe kriza e brendshme

Shenjat e para të rënies u panë në zgjedhjet lokale të vitit 2013, kur PDK humbi Malishevën - bastionin e saj tradicional. Humbjet në Gjilan, Rahovec, Klinë, Lipjan, Shtime, Viti, Kamenicë, Dragash e Mitrovicë dëshmuan një trend të qartë të erozionit elektoral.

Nga 18 komuna të fituara në vitin 2007, PDK sot kontrollon vetëm gjashtë.

Në vitin 2016, zgjedhjet e jashtëzakonshme në Drenas shënuan një tjetër moment simptomatik. Vendimi i udhëheqjes qendrore për të kandiduar Ramiz Lladrovcin, ndonëse ai nuk ishte pjesë e strukturave lokale të PDK-së, ilustronte shkëputjen e qendrës nga baza dhe mungesën e demokracisë së brendshme.

Paradoksalisht, të njëjtët aktorë që e sollën Lladrovcin në garë, më pas e diskredituan përmes narrativave kontradiktore në rrjete formale e joformale, duke dëshmuar mungesë koherence, sinqeriteti politik dhe uniteti të brendshëm.

Nga përjashtimet - te kriza e lidershipit

E njëjta logjikë përjashtuese u manifestua pas arrestimeve të ish-krerëve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Pas caktimit të Enver Hoxhajt si ushtrues detyre i kryetarit të PDK-së, ai tentoi të niste reforma, por u përball me rezistencë të fortë nga strukturat tradicionale, duke e lënë procesin të papërfunduar dhe, si pasojë, u largua nga udhëheqja.

Pasuesi i tij, Memli Krasniqi, u perceptua fillimisht si shpresë e rinisë dhe e ndryshimit.

Megjithatë, të njëjtat struktura që e kishin propozuar nisën ta minojnë autoritetin e tij, duke shpërndarë narrativën se ‘Ritmi i Rrugës’ nuk ishte i denjë për të udhëhequr PDK-në.

Kjo strategji paradoksale - për të kontrolluar dhe zëvendësuar lidershipin kur kjo i përshtatet interesit grupor - kulmoi me dorëheqjen e tij me 11 nëntor 2025.

Rënia e bastionit të fundit

Në zgjedhjet e 12 tetorit 2025, humbja e komunës së Drenasit - dikur bastioni më i fortë i PDK-së - përbën kulmin e një procesi të gjatë vetëshkatërrimi.

Imponimi i kandidatëve nga lart, fragmentimi i brendshëm dhe përjashtimi i zërave reformistë treguan mungesë sinqeriteti, transparence dhe llogaridhënieje nga udhëheqësit qendrorë të partisë.

Ky trend, nga 18 komuna të fituara në 2007 në vetëm gjashtë në vitin 2025, nuk është vetëm statistikë - por humbje e legjitimitetit moral dhe politik.

Në planin filozofik-politik, kjo shënon kalimin nga një “parti e misionit” në një “parti të interesit”, nga idealizmi kolektiv i pasluftës në pragmatizmin e zhveshur të pushtetit.

Një parti me shumë kryetarë e pak vizion

Deri më 11 nëntor 2025, PDK funksiononte me një kryetar formal, por me disa kryetarë faktikë. Brenda saj, grupe interesi garonin për ndikim dhe përfitim personal, duke e zhveshur partinë nga funksioni i saj si forcë kombëtare.

Në vend të një organizate me vizion shtetformues, ajo po rrëshqet drejt provincializmit dhe fragmentimit të brendshëm.

PDK nuk është më partia që përfaqësonte idealin e pasluftës. Nga simbol i lirisë, ajo është kthyer në strukturë të ngarkuar me ambicie personale dhe mungesë të misionit politik.

Në thelb, ajo përballet me krizë të identitetit - midis trashëgimisë së saj historike dhe nevojës për një orientim të ri ideologjik e moral.

Nevoja për rikthim te rrënjët

Nëse PDK dëshiron të mbijetojë politikisht, duhet të kthehet te rrënjët e saj ideologjike: te misioni shtetformues, mbrojtja e interesit publik dhe ruajtja e vlerave të luftës.

Rrënjët nuk janë vetëm kujtim - janë shtegu i fundit që i ka mbetur PDK-së për t’u rilindur.

Pa reformë të brendshme, hapje ndaj mendimit ndryshe dhe krijimin e një lidershipi që ndërton besim, jo frikë, partia rrezikon të humbasë përgjithmonë besimin që dikur e bëri forcën më të fuqishme në vend.

Përndryshe, PDK do të vazhdojë të rrëshqasë drejt margjinalizimit politik - nga simbol i lirisë në kujtim të një epoke që premtoi shumë, por që dështoi të qëndronte besnike ndaj vetvetes.

Kjo nuk është vetëm krizë politike - është krizë e shpirtit të një ideali.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".