Fituese e pastër e zgjedhjeve lokale është LVV, sepse ka fituar edhe tri komuna të reja
Idriz Zeqiraj
Shkruan: ANALISTI-Idriz Zeqiraj
Menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimit, të gjitha partitë, si në kor, shpallën vetën fituese të zgjedhjeve lokale, madje edhe Limaj me Malishevën e tij. Jo pa qëllim, matësit e lumturisë popullore, shqiptarët, i vënë të parët, me lumturinë e tyre entuziaste! Kështu ndodhi edhe në mbrëmjen e 9 nëntorit, me festimet e tyre, ndriçimin e qiellit me fishekzjarre: LDK-ja në Prishtinë e Pejë; LVV në Mitrovicë e Gjilan; PDK-ja në Prizren e Ferizaj; AAK në Gjakovë dhe Klinë; NISMA në Malishevë.
-Balotazhi, në mënyrën siç bëhet aktualisht, është një pazar i pistë, që nuk përzgjedh cilësi për qeverisje profesionale, por vetëm këmbime përfituese reciproke partiake.
Bjerrakohësit e fituesve të zgjedhjeve i vlerësojnë mbi këto kritere:
1. Në bazë të numrit të banorëve që kanë komunat;
2. Nga madhësia e hapësirave tokësore që zënë komunat;
3. Burimet pasurore, respektivisht, buxhetore që kanë komunat.
Kursimtarët në kohë i bien shkurtazi. Tri partitë e para fituan nga 7 komuna, ca të mëdha e ca të vogla, nëse Ramiz Lladrovci futet nën çadrën e PDK-së. Në të kundërtën, partia në fjalë ka 6 komuna të fituara. Thënë troç, fituese e pastër është LVV, sepse ka fituar edhe tri komuna të reja. Dhe humbëse faktike janë PDK-ja dhe LDK-ja, sepse kanë humbur nga dy komuna, të cilat i kishin më parë. AAK, si parti familjare private, siç thuhet, nuk është as fituese dhe as humbëse, sepse ka arritur të ruaj bastionet e saj.
LDK-ja ka fituar Prishtinën, mjaft domethënëse. Dhe kjo i jep primatin, nëse duam t’i harrojmë dy komunat e humbura, të cilat i kishte "pronë" tradicionale. Keqardhje është për Komandantin e Koshares, Xhafer Gashi, sepse ka performuar shkëlqyeshëm, sidomos në mandatin e dytë, me begatimin e gjelbërimit dhe infrastrukturën tjetër të qytetit, duke zbutur ndikimin e substancave kancerogjene që rrjedhin nga tymnaja e oxhaqeve pranë Obiliqit.
Kumbaria dhe flirtet e ripërtërira të Lidershipit të LDK-së, me PDK-në, janë krejt të ngjashme me aleancat e pista të Isa Mustafës me Hashim Thaçin, dikur! Kulmore ka qenë renditja zyrtare e LDK-së, në favor të PDK-së në Prizren dhe Mitrovicë, edhe pse për këtë të dytën, falë pjekurisë politike të anëtarësisë të LDK-së, vota faktike në kuti ka munguar meritueshëm.
Pavarësisht se LDK-ja humbi dy komuna, ajo renditet si fituese e dytë e zgjedhjeve, pasi nuk ka vota klientëliste si ato të PAN-it.
Është paradoksale, si ka mundësi që edhe pas një çerek-shekulli të krimeve serike e numerike, vrastare dhe korruptive të subjekteve politike të PDK-AAK-NISMA, të koalicionuara në PAN-in kriminal, të vazhdojnë të mbijetojnë në jetën politike të Kosovës?! Madje, PDK të fitojë më shumë ulëse në Parlamentin e Kosovës, se sa LDK-ja paqësore, luftëbërëse dhe shtetformuese e Kosovës?!
Vëzhgimi i vëmendshëm, prej më shumë se dy dekadave, të veprimtarive të organizuara kriminale të PAN-it, na rezulton se me ndihmën e Shërbimeve Informative të Francës, Serbisë dhe Shqipërisë social-komuniste, në drejtim të pushtetit dhe të shtetit të Kosovës, u infiltruan agjentë të Shërbimeve në fjalë. Të dy Shërbimet, i pari dhe i treti, punonin për të dytin, përkatësisht, Serbinë.
Të gjitha marrëveshjet fatale Kosovë-Serbi, të nënshkruara nga Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Edita Tahiri, duke qenë të shantazhuar, i pari nga Serbia, të dytët nga Hashimi, bënin argatin e Serbisë. Dhe, çuditërisht, edhe sot ngulmojnë se, gjoja, kanë vepruar drejt dhe me vetëdije të plotë. Njëra syresh është nënshkrimi i Asociacionit, Demarkacionit, Fusnotat për Kosovën e deri tek aprovimi i korrigjimit të kufijve, përkatësisht, ndarja e Kosovës.
Epërsia aktuale e PDK-së në Kuvend, me 24 deputetë, përkundër LDK-së me 20 deputetë, shpjegohet me faktin se PAN-i, përgjatë dy dekadave të qeverisjes me banda, ka krijuar klientelën elektorale: Nga 80 mijë nëpunës shtetërorë, 70 mijë janë pjesë e PAN-it; komplet të 30 mijë anëtarët e organizatave ilegale kriminale: SHIK, Shqiponjat e Zeza; BIA, gjithashtu i përkasin PAN-it. Të 45.000 veteranët e rrejshëm, janë pjesë e klientelës elektorale të garantuar të partive politike PAN-iste.
Ndërmarrja e Përbashkët Kriminale nuk është një organizim i së shkuarës, por edhe i të tashmes. Ky organizim përfid, me financa kriminale të siguruara, vazhdon të diktojë edhe fushatat dhe rezultatet elektorale. Përjashtim bëjnë dy partitë parlamentare të pa kriminalizuara LDK dhe LVV, të cilat nuk kanë pasur dhe nuk kanë as sot struktura të organizuara kriminale.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
