Qeverisja në detyrë që po humb kompasin perëndimor

Qeverisja në detyrë që po humb kompasin perëndimor
Qeverisja në detyrë që po humb kompasin perëndimor

Isuf Bajraktari

  • 21 November 2025 - 15:00

Nga Isuf Bajraktari

Kosova ndodhet në një moment të brishtë politik e diplomatik. Prej nëntë muajsh, vendi drejtohet nga një qeverisje “në detyrë”, e cila, në vend të stabilitetit institucional, ka prodhuar paqartësi strategjike dhe tension me aleatët kryesorë. Sjellja e ministrave dhe drejtuesve qeveritarë shpesh i ngjan aktivizmit partiak, jo përgjegjësisë shtetërore.
Pragmatizmi amerikan  themeli i sigurisë dhe shtetformimit të Kosovës  kërkon partneritet të besueshëm dhe koordinim të vazhdueshëm. Kështu u ndërtua aleanca që e shpëtoi Kosovën, falë vizionit të matur të Presidentit Rugova dhe orientimit të tij euroatlantik. Diplomacia e tij e qetë dhe e parashikueshme e futi Kosovën në agjendën perëndimore.
Sot, kjo vijë është thyer. Qeverisja aktuale në detyrë shfaq qasje të ashpra, të paqëndrueshme dhe shpesh konfliktuale ndaj Washingtonit. SHBA-ja, që tradicionalisht e ka udhëhequr orientimin tonë strategjik, sot po dërgon sinjale të qarta ftohjeje.              Në diplomaci, heshtja amerikane është paralajmërimi më serioz.
Shqetësim i madh mbetet edhe përmbysja demografike që po e godet vendin: Dikur kishim qeverinë në ekzil dhe popullin në vendlindje; sot kemi qeverinë në vendlindje, ndërsa popullin,  sidomos rininë 18–30 vjeçare të shpërndarë në Perëndim. Kjo arrati e heshtur tregon humbjen e shpresës dhe mungesën e një vizioni të qartë qeverisës.
Kosova nuk mund ta lejojë veten të devijojë nga boshti perëndimor në një periudhë kur siguria rajonale është më e brishtë se kurrë. Rikthimi i koordinimit me aleatët, rishikimi i kursit diplomatik dhe vendosja e seriozitetit institucional janë detyrime urgjente.
E ardhmja e shtetit nuk ndërtohet me improvizim. Mbrohet me maturi, partneritet dhe qartësi strategjike. Kompasin e kemi pasur gjithmonë në Perëndim; rreziku i sotëm është ta humbim pikërisht atë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".