Kur Kosova paguan luksin e një politike të papjekur
Zef Prenka
Shkruan : Zef Prenka
Kosova po hyn në një cikël të rrezikshëm të normalizimit të krizave politike. Zgjedhjet, që teorikisht duhet të jenë mjeti kryesor i legjitimitetit demokratik, në praktikë janë shndërruar në armë politike të liderëve dhe partive, të cilët i përdorin si instrument për të rifreskuar pushtetin, për të shfryrë mllefin e brendshëm, ose për të ruajtur dominimin në skenën politike.
Kostoja prej rreth 26 milionë eurosh për çdo cikël zgjedhor është vetëm pamja e dukshme e një problemi shumë më të thellë. Kostoja e vërtetë është institucionale dhe shoqërore.
Për një shtet të pasur, 26 milionë euro janë kosto operative. Për Kosovën, këto para janë jetike.
Me këtë shumë mund të financoheshin:
Një program nacional për 3500 banesa sociale.
Rritje reale për pensionet e të moshuarve.
Dyfishim i buxhetit për subvencione të bujqësisë.
Ndërtim i qendrave shëndetësore në komunat që janë pa to.
Programe punësimi për 10.000 të rinj.
Pra, ndërsa politika luan me zgjedhje, të varfrit e paguajnë faturën.
hkaqet e zgjedhjeve të shpeshta janë:
Kryeneqësi personale mes liderëve.
Mungesë e kulturës së kompromisit.
Shfrytëzim i qeverisjes për përfitime partiake.
Paraliza e institucioneve, që nuk ndërhyjnë për të vendosur rend politik.
Mentalitet i përplasjes dhe jo i dialogut.
Në këtë atmosferë, shteti nuk ndërtohet. Ai simulohet ndërsa politika luan rolin e komandantit të gjendjes.
Kosova nuk është duke bërë vetëm “hajgare” me shtetin — ajo është duke paguar koston e shtrenjtë të një politike të papjekur dhe të paqëndrueshme, e cila po e mban vendin në cikël krizash të pafundme.
Zgjedhjet janë mjeti i fundit i demokracisë, jo lodra e parë e politikës.
Dhe derisa politikanët vazhdojnë këtë luks të paarsyeshëm, fatura bie mbi popullin më të varfër të Kosovës.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
