
Lexoni edhe:
Qytetarët janë lodhur nga kriza politike dhe institucionale që ka zgjatur për dhjetë muaj me radhë
Shkruan: ANALISTI-Nue Oroshi
Të them të drejtën, ne shqiptarët jemi një popull i veçantë dhe na kanë përcjellë edhe gjatë gjithë historisë sonë ngjarje të veçanta. Edhe këto zgjedhje të 28 dhjetorit 2025 mbahen në një kohë kur e gjithë bota demokratike pushon dhe ne duhet të punojmë. Presidentja Osmani, mendoj se ka pasur presion nga Albin Kurti për këtë datë. Më mirë do të ishte data 21 dhjetor. Me siguri, VV ka ëndërruar për votat e mërgatës, por kjo mund të kthehet në një bumerang, sepse mërgata është tepër e dëshpëruar me lojën për mos-themelimin e institucioneve të Republikës së Kosovës. Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e demokracisë së Kosovës.
-Edhe pse partitë e mëhershme kanë qenë shpeshherë të politizuara dhe besa të hasmuara me njëra-tjetrën, kur ka ardhur koha për të themeluar institucionet, ato kanë kaluar hasmëritë dhe përçarjet dhe kanë krijuar institucionet e Republikës së Kosovës. Në raste të tilla, Presidentja e Republikës së Kosovës është dashur të mos marrë anë, por në takimin me partitë politike të bëjë ndarjen përmes shortit. Kjo është një praktikë që ndodh edhe në vende të ndryshme të botës demokratike. Madje një rast i tillë ka ndodhur edhe në grupin e asambleistëve të CDU-së në Kiel, kur dy asambleistë konkurruan për pozita të njëjta dhe, gjatë tre votimeve, rezultati ishte i barabartë. Ndarja u bë përmes shortit dhe të dy palët u ndanë të kënaqura.
Edhe presidentja ka pasur mundësinë të mos anojë kah VV, por të përdorte një short dhe të shpallte ligjërisht datën që do të kishte fituar, duke e bërë atë datë për mbajtjen e zgjedhjeve. Kështu, të dy palët do të ishin të kënaqura. Por një fjalë e njohur popullore thotë: “Gjuha shkon aty ku dhemb dhembi.” Po ashtu, edhe presidentja ka marrë anën e atij që e bëri president.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".