Çdo subjekt politik veten e konsideron fitues
Blerim Burjani
Shkruan: ANALISTI-Blerim Burjani
Sidoqoftë, a humbi pak apo fitoi më shumë, liderët politikë e sidomos partia që e konsideron veten si e para është e natyrshme të proklamojë fitore, apo të thotë se i fiton zgjedhjet. Në këtë situatë reale kuptohet se ai e konsideron veten fitues për shkak se edhe ka qenë fitues; pak e ka edhe për t’i frikësuar subjektet tjera politike, pak edhe për të mobilizuar elektoratin e tyre.
-Cilido subjekt politik veten e konsideron fitues madje edhe kur e di se nuk është. Pretendimet janë me qenë fitues edhe pse gjasat janë shumë të vogla. Prurje as nuk ka pasur; kësaj here asnjë subjekt politik nuk ka sjellë emra të rinj, profesionistë të shquar apo njerëz të njohur në skenën sociale apo profesionale. Janë disa individë që quhen analistë edhe pse nuk dihet çka janë, por analistë jo se jo; njerëz që japin mendime koti, por kanë aderuar në disa parti edhe pse ndikimi i tyre nuk është kurrfarë në opinion publik.
Edhe më keq, dalin në parti si kandidatë dhe kur humbin, rikthehen me analiza. Ose janë anëtarë të subjekteve politike dhe shiten në opinion si analistë; janë anëtarë të partive, që një prej tyre dihet kush është, apo të tjerët që vlerësohen paraprakisht si partiakë e dalin analistë. Këtë çështje e bëjnë disa media duke i ofruar opinionit publik njerëz të partive, jo njerëz apolitikë, që janë njerëz që merren me hulumtime politike dhe që mund të jenë profesionistë të pavarur akademikë, OJQ etj.
Edhe LDK nuk ka pasur prurje të reja e as njerëz të rinj profesionalë. Zakonisht LDK është shquar me kuadro profesionalë, mirëpo viteve të fundit gjendja nuk është aspak e mirë në prurje dhe zhvillim të këtij subjekti konservator. Për AAK nuk ka çka të thuhet: është parti familjare dajë e vllazën, miq e shokë të afërt të liderit pra për këtë parti s’kemi as çka flasim.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
