'Gazetaria e helikopterit' në Kosovë
Gezim Mekuli
Nga Gëzim Mekuli
Njohës i shkencave të mediave dhe retorikës
Edhe sot jemi dëshmitarë të një metode të re të gazetarisë. Mund ta quajmë edhe ”gazetari e helikopterit”. Është kjo një gazetari e largët, e distancuar. Një raportim nga jashtë – brenda, ku burimet dhe informatat vendore nuk kanë vlerën e lajmit, apo këto informata dhe lajme janë të pakta ose nuk ekzistojnë fare.
Në këtë lloj gazetarie nuk ka gjuhë dhe, për më tepër, ajo sqaron shumë pak. Në tragjedinë e Tsunamit është edhe një fenomen tjetër që të bie në sy. Ky është preokupimi i mediave për viktimat e vendit të vet, të bashkëkombësve të tyre.
Mediat në këtë katastrofë ishin skajshmërisht të preokupuara me fatin e shtetasve përkatës, pra me turistët që kishin humbur jetën e tyre në këto rajone. Pa dyshim, kjo lloj gazetarie ka bërë që të hijezohen elementet ndërkombëtare që kishin arritur për të ndihmuar të goditurit nga katastrofa. Kjo zakonisht ta vret syrin në çastin kur njeriu jeton jashtë vendit dhe sheh se si çdo shtëpi e mediave ka një veçori të tillë.
Tsunamizimi dhe riedukimi i mediave shqiptare
Po të analizojmë hapësirën e mediave të Kosovës, mund të vërejmë të njëjtat tendenca. Në shumicën e programeve informative të Radio Televizionit të Kosovës mbretëron një mjedis ideologjik. Porosia që del nga goja e shumë ndërkombëtarëve dhe e rezervuar me kohë në këtë medium, është përafërsisht kjo: ”Ju shqiptarët jeni të paaftë, diletantë dhe mjeranë në të gjitha fushat e shkencës dhe të edukimit. Ne jemi këtu për t’ju edukuar, dhe disiplinuar”.
Mund të argumentohet lehtë se si përfaqësuesit e UNMIK-ut, përmes mediave, e marrin rolin e ”zotit të shtëpisë”, të gjithëdijshmit dhe ”të shpëtuesit të jetës”. Këta gati sa nuk shenjtërohen nga televizioni i tyre publik.
Pra, shumë fenomene kulturo-historike, politike dhe shoqërore është "më mirë" që shqiptari të mos i shohë, të mos i kuptojë dhe të mos i dëgjojë. Historia tentohet të çimentizohet e konservohet.
Shtrohet pyetja? A ka guxim gazetaria hulumtuese shqiptare të kritikojë dhe të ngrejë zërin rreth këtyre veprimeve politike?
Gazetarisë shqiptare në Kosovë i është imponuar një kufi ideologjik, i është ndaluar publikimi dhe transmetimi i lajmeve për proceset politike dhe diplomatike që në thelb kanë kritikën ndaj politikës ngatërruese të UNMIK-ut dhe atyre që e përkrahin dhe që e ndihmojnë atë. Politikat që "mbollën" kufirin ideologjik të gazetarisë, duan që ta kenë këtë kufi nën kontroll dhe mundësisht ta bëjnë të pacenueshëm, të pakritikueshëm, të pakalueshëm dhe të frikshëm.
Demokraci është që të kesh mundësi ekonomike, liri politike dhe siguri sociale, që të krijosh dhe transmetosh mendimin dhe porosinë politike, ekonomike dhe kulturore. Opinionet, mendimet dhe porositë do të duhej t’i përpunojmë, t’i avancojmë dhe t’i konkretizojmë pa presion juridik, politik dhe ekonomik.
Opinioni publik shqiptar kërkon lajme jo të përpunuara, jo të përzgjedhura praktikisht dhe jo të ngjyrosura ideologjikisht nga UNMIK-u. Detyrimisht, shoqëria jonë ka nevojë për informacion dhe komunikim, pra për ata që quhen gazetarë.
Shpeshherë konsumuesit e prodhimeve mediale lexojnë komente dhe, kështu, "infektohen" me qëndrimet dhe pozitat politike, sociale e kulturore të vetë gazetarit. Kështu, pavetëdijshëm, pranuesi i lajmit lexon vetëm qëndrimet e gazetarit dhe kjo shpie kah ajo që opinioni publik detyrimisht të pranojë nivelin dhe pozitën formuluese të gazetarit si mendim, lajm, ide ose informacion të „përkryer objektiv". Nga kjo rrjedh përgjegjësia titanike që bie në supet dhe në moralin e gazetarëve.
Ka dy mundësi:
1. Gazetarja/gazetari ynë është i vetëdijshëm për përgjegjësinë e madhe që ka ndaj shoqërisë dhe e respekton këtë përgjegjësi.
2. Gazetarja/gazetari ynë vetëdijshëm e shfrytëzon këtë përgjegjësi shumë të madhe me qëllim që idetë, mendimet dhe opinionet e tij (jo rrallë edhe partiake) t’ia imponojë opinionit publik. Këta janë mendjebërës apo, më mirë të themi, mendjezhbërës. Dhe, kësi lloj mendje(zh)bërësish ka shumë, të mos themi tepër shumë, në shtëpitë "tona" mediale.
E tërë kjo sot po mbulohet nën të ashtuquajturën “ligj mbi lirinë e shtypit", fillimisht i menduar që të mundësojë garantimin dhe sigurimin e një informimi objektiv dhe multidimensional. Liria e shtypit, kjo e drejtë universale, jo rrallë keqpërdoret për qëllime propagandistike, për "mendimpërpunim", si dhe për përbaltjen e personave dhe të grupeve të ndryshme të shoqërisë. Përse kështu?
Lakmia për pushtet dhe për para
Paraja qeveris botën, kështu edhe mediat. Ka media që jetojnë dhe veprojnë vetëm për kultivimin e kulturës, kultivimin e gjuhës dhe të traditave kombëtare. Por, mund të themi se gjendja e tyre ekonomike është e mjerë dhe për të ardhur keq. Ka shtëpi mediale që janë ndihmuar dhe ndihmohen edhe sot financiarisht dhe profesionalisht nga donatorët ndërkombëtarë. Edhe kjo është për t’u përshëndetur. Por, këtu del pyetja (e madhe): Sa mund të kritikojë një shtëpi mediale (apo edhe një gazetar) ata padronë dhe organizata që e ndihmuan atë të themelohet dhe të ekzistojë si medium dhe si gazetar? Dhe, nëse ky medium ka guximin ta ushtrojë kritikën mbi ta, atëherë deri në ç’shkallë mund të shkojë kjo kritikë e kësaj gazetarie?
Retrospektivë
Situata mediale në Republikën Federale Gjermane pas Luftës së Dytë Botërore. Tentim nivelimi i politikës së shqiptarëve të Kosovës me politikën naziste gjermane.
Plani i shtabit qendror ushtarak anglo-amerikan në lidhje me rregullimin e mediave gjermane orientohej në tri faza. Pas kapitullimit të fashizmit gjerman dhe futjes së armatës së aleancës në tokën gjermane, aleanca urdhëroi që të gjitha mediat gjermane të ndërpresin punën e tyre informative, veprim ky i drejtë moral dhe politik. Vendimi u mor më 24 nëntor të vitit 1944.
Gjatë fazës kalimtare ishin aleatët ata që ishin të detyruar që përmes fletushkave informative të siguronin informimin e opinionit ”të helmuar” gjerman. Vetëm shumë vite më vonë do të lejohen që prodhues dhe selektorë të lajmeve për opinionin publik të vendit të jenë vetë gjermanët (gjithsesi duke qenë nën monitorim të rreptë të fuqive evro-amerikane). Ishte një unitet dhe pajtim i plotë në mesin e aleancës që të ndalohet puna jo vetëm e organeve të shtypit nacional-socialist (shtyp që ushqeu makinerinë ushtarake dhe shpirtin gjerman për të bërë gjenocid të paparë mbi njeriun), por edhe i tërë shtypi që ekzistonte që para vitit 1945, pra edhe të shtypit të para vitit 1933. Politikat, strategjitë dhe vendimet e aleancës ishin vendosur në konferencën e Potsdamit.
Në dokumentin përfundimtar të 2 gushtit 1945 fuqitë ngadhënjimtare formuluan dokumentin rreth qëllimeve dhe planeve të tyre demokratike:
a) Të politikës së sigurisë: çnazifikimi dhe marrja e masave serioze në rastin e ndonjë revanshi të mundshëm të politikës gjermane;
b) Të politikës ekonomike: çështja e riparimit dhe e riaftësimit të ekonomisë gjermane;
c) Të jetës politiko-shoqërore: instalimi i një shoqërie demokratike, toleruese dhe jo ekspansioniste.
Është më se e qartë se mediat, si transmetuese dhe ndërmjetësuese informative, ishin në fokus të interesave të aleancës dhe jo rastësisht në dokumentin e Postdamit ato kishin një rol të rëndësishëm.
Një ndër kushtet për rindërtimin e gazetave të reja, sipas modelit anglo-amerikan, ishte "rimësimi" dhe "riedukimi i shpirtit" të gazetarëve gjermanë. Britanikët, p.sh., kërkonin nga sistemi i gazetarisë së re gjermane që shërbimi profesional dhe oferta objektive të ketë vendin e vet dhe të jetë zotërues absolut i një lajmi e jo opinioni subjektiv i një gazetari.
Në "Standig Directive No.1" të 20 korrik 1945 thuhet: "Gazeta duhet të jetë një forum i përgjithshëm. Lajmi dhe komenti duhet të dallohen, të ndahen nga njëri-tjetri. Të mënjanohet ndërtimi i reportazheve tendencioze, luftënxitëse e naziste.” Aleanca perëndimore dëshironte, para së gjithash, të bënte një reklamë për demokracinë e që në mendjen e tyre kjo do të thoshte që Gjermania duhej të bënte përsëri pjesë në shoqërinë e shëndoshë dhe demokratike evropiane.
Qëllimi fundamental i shtypit dhe i politikës informative evroperëndimore ishte që "shpirtin" gjerman, me kuptimin e plotë të fjalës, ta rikrijojë dhe pastrojë. Riedukimi i gjermanëve të pas Luftës së Dytë Botërore, sipas aleancës perëndimore, mund të përfshihet në katër D-të: demilitarizim, decentralizim, denacifikim dhe demokratizim.
Sot
Situata mediale e pasluftës në Kosovë
Mediat, veçanërisht në Kosovë, kanë nevojë për ndihmë profesionale, morale dhe ekonomike. Por, vetvetiu lind një pyetje: Pse gjithë ky presion politik, ideologjik dhe ekonomik mbi mediat shqipe në Kosovë? Përse tentohet që të bëhet një riedukim dhe një rikrijim i popullit shqiptar?
Dënohet media që tenton të zbulojë e të ndihmojë në zbardhjen e fakteve për ata policë, ushtarakë dhe civilë serbë, që vranë e bënë gjenocid në Kosovë. Përse lejohet, përkrahet dhe djallëzisht ndihmohet tensionimi artificial i ambientit politik në Kosovë? Përse nuk thuhet e vërteta rreth zgjidhjes politike të Kosovës dhe rolit të UNMIK-ut në këto raste? Cili është roli i politikave mediale ndërkombëtare në Kosovë? Ishte propaganda gebelsiane e qeverisë serbe ajo që nxiti qenien dhe energjinë ushtarake serbe për të marshuar në Kosovë. Ishin dhe ende janë edhe sot, fatkeqësisht, media, inteligjencia dhe politika serbe ato që në shekullin XX përsëritën kampin fashist në territorin e ish-Jugosllavisë. Ishin mediat, politikanët, pozitë dhe „opozitë”, ata që bënë përndjekjen mitike të shqiptarëve në shekullin XX.
Po, cili është presioni i EU-se mbi mediat nacionaliste serbe? Cilat media serbe veprojnë në Mitrovicë? Kush i financon ato dhe çfarë është forma dhe përmbajtja e porosisë së tyre?
Pa ngurrim mund të themi se mungesa e profesionalizmit, e guximit intelektual, e sinqeritetit dhe e neutralitetit në profesion, është pjesë e një gabimi të vulosur nga shumë individë kombëtarë dhe ndërkombëtarë.
Mbulesa politike e mediale e katastrofës së Tsunamit, siç duket, ka ngjashmëri me mbulesën politike dhe mediale të katastrofës së Kosovës, por me një të vetmin ndryshim: Atje burim i katastrofës humanitare ishte nëna natyrë e këtu, te ne, burim i katastrofës politike dhe ekonomike është faktori njeri, ai kombëtar dhe ndërkombëtar.
Të katër qëllimet apo "D”-të (demilitarizimi, decentralizimi, dekombëtarizimi dhe demokratizimi) para se të përfundojnë në hapësirat shqiptare, së paku do të duhej të fillonin të ushtroheshin edhe në Serbinë e Ivo Andriqit.
/Pjesë nga libri “Mediat dhe Politika”, 2006, botoi MekuliPress, Oslo/
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
