Intelektuali i korruptuar, mëndjemadh e servil është më i dëmshëm se injoranti
Skender Kapiti
Nga Skënder Sadri KAPITI
Intelektuali rrezikohet, kërcënohet dhe zhvlerësohet nga vetëvetja dhe kur atë e mbërthen korrupsioni, egoizmi negativ, xhelozia, servilizmi dhe sidomos mëndjemadhësia intelektuale e mbivlerësimit të vetes së tij.
Intelektuali i cili nuk është modest, as tolerant, as komunikues e as mirënjohës ndaj intelektualëve të tjerë ai vuan nga sëmundja e inferioritetit dhe e shikon talentin, dhuntinë, aftësinë dhe intelektin e tjetrit si kërcënim.
Ky lloj intelektuali është i të njëjtit kalibër me politikanin egoist, mendjemadh, mashtrues dhe demagog e hipokrit i cili kur fatkeqësisht rastis që të qeveris shtetin, prej tij, kombit dhe shtetit u vijnë trauma, fatkeqësi e tragjedi, ku shembull është Shqipëria e cila e ka pësuar keq gjithmonë prej të tillëve politikanë dhe prej shpurës intelektuale puthadore e servile rreth tyre.
Mëndjemadhësia intelektuale është karakteristikë për intelektualin shpirtlig dhe egoist, sepse ai urren aftësinë dhe talentin e tjetrit. Intelektuali i korruptuar dhe servil është shoqërisht më i dëmshëm se sa injoranti.
Intelektualit mëndjemadh i pëlqen vetëm vetëvetja, dhe ai konsideron shok e “mik” intelektualët mediokër të cilët i servilosen atij me qëllim që edhe ata të duken e të marrin pak meritë e shkëlqim prej tij.
Intelektuali mëndjemadh është mendjemadh me intelektualët të cilët ai klasifikon poshte vetes së tij , dhe nga ana tjetër është tejet servil karshi atyre të cilët ai i gjykon se janë lart tij dhe sidomos është servil ndaj atyre intelektualëve të cilët janë dhe i “respekton” pushteti e politika.
Pra ky tip mëndjemadhi është dyfish , dy herë servil, edhe servil i intelektualit servil të pushtetit por edhe servil i pushtetit.
Të tillë intelektualë e politikanë ka me shumicë në Shqipëri dhe në Kosovë, dhe sidomos ky lloj tipi intelektuali merre me mënd se si do të transformohej akoma më poshtë sikur atij t’i besohet politike e pushteti, se sa lart atje do t’i dukej vetja dhe do të krekosej me qorrollepsje egoiste e rrenimtare dhe se se në cfarë thyqafje do të përfundonte më pastaj.
Intelektualizmi është shkëmbim përvojash, dijesh e mëncurimi mes intelektualëve. Ky është intelektualizmi pozitivist kundër atij negativ i cili është mosmirënjohës.
Nuk mund të bëhesh intelektual i madh pa lexuar, mësuar dhe përvetësuar dijet që kanë dhënë e japin edhe intelektualët e tjerë.
Kush pretendon të kundërtën është kapur peng nga injoranca e vet.
Zakonisht tipat që pretendojnë se janë intelektualë të mëdhenj, ata kërkojnë ndihmën e parasë dhe të politikës për t’u promovuar si të mëdhenj dhe në shumë raste edhe shndërrohen në mercenarë materialist që u shërbejnë oborreve të pushtetit dhe parasë.
Këta intelektualëet servil dhe të korruptuar i dekoron pushteti, politika dhe shteti i korruptuar, këta i ndihmon shumë edhe media e cila i vë në dispozicion ekranin dhe gazetën për ta propaganduar dhe promovuar mediokritetin e tyre, por duke ua mbyllur derën intelektualëve të tjerë të vërtetë e moralistë të cilët dalin në dritë me kalimin e kohës.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
