GJUHA DENIGRUESE ME SHPIFJE DHE PROPAGANDË E PARTIVE POLITIKE!
Ismail Muçiqi
Shkruan: Ismail Muçiqi
Ende pa filluar zyrtarisht fushata zgjedhore, partitë politike – në vend të programeve serioze për avancimin e gjendjes në të gjitha sferat shoqërore, ekonomike, politike e kulturore – po vazhdojnë me avazin e vjetër të polarizimit. Ato po i kthehen mendësisë primitive të denigrimit ndaj rivalëve politikë, kjo po ndodh në mungesë të vizioneve të mirëfillta zhvillimore. Kjo situatë është pasojë e faktit që nga paslufta, pothuajse të njëjtit liderë, të njëjtat struktura dhe të njëjtit oligarkë kanë hyrë në politikë duke mashtruar e shantazhuar popullin.
Qytetarët, për vite të tëra, kanë shpresuar se “nesër do të bëhet më mirë”, por fatkeqësisht kjo nuk ka ndodhur as atëherë, nuk po ndodh as sot dhe vështirë se do të ndodhë nëse vazhdohet me të njëjtin mentalitet. Është e pamundur të pritet progres nga individë që rrahin gjoksin duke qendruar me qdo kusht në institucionet e shtetit. Sot jemi dëshmitarë se gjuha e komunikimit, fjalori dhe deklaratat e liderëve dhe oligarkëve – përmes “mjeteve të ashtuquajtura të informimit”– vetëm sa po i ngritin tensionet. Në vend të programeve zhvillimore dhe strategjive afatshkurte - afatmesme, ata shpifin dhe përdorin të gjitha kapacitetet e tyre për të denigruar njëri-tjetrin, duke hapur tema të pavlefshme: “Kush ka komunikuar me kë para 20 vitesh”, kush është “tradhtar”, kush është “pro-serb”, e deri tek shpifjet më të ulëta që nuk i bëjnë nder askujt. Askush prej tyre nuk merret me studime programore për zhvillimin e energjisë, për ndërprerjen e importit të rrymës me çmime marramendëse, derisa Kosova është bazent i thellë i ligmitit. Askush nuk merrret me ndonjë një plan strategjik për Sistemin e Arsimit– nga niveli parashkollor deri tek ai Universitar – për të rikthyer edukatën morale dhe cilësinë akademike. Askush nuk mirret me ndonjë programë për ta mbrojtur tokën bujqësore, e cila po zvogëlohet (reduktohet) çdo ditë nga ndërtimet e egra të mafis biznesore përmes pastrimit të parasë. E njëjta neglizhencë vlen edhe për pyjet e Kosovës, të cilat po shkatërrohen prej vitesh nga prerjet e pakontrolluara dhe kriminale. Asnjëra nga partitë politike nuk ka krijuar mekanizma seriozë për ta parandaluar këtë katastrofë ekologjike. Kosova dhe populli i saj janë sot në një pozitë të palakmueshme, në një udhëkryq të vështirë. Nëse në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, përmes votës së lirë, nuk arrihet një kthesë radikale – me deputetë të rinj, të pakorruptuar, të arsimuar dhe me integritet – atëherë vaj halli për ne. Mjerisht, kjo gjendje politike po ndodh në kohën më kritike, në një periudhë të krizave globale të rrezikshme që po sfidojn mbarë Botën. Nuk jemi të vetëdijshëm se siguria ndërkombëtare është e kërcënuar dhe se rreziku për konflikte të mëdha po lëviz edhe rreth nesh. Partitë politike nuk po e shohin këtë realitet; përkundrazi, ato hynë në “librin e Ginesit” duke bllokuar për plot 10 muaj konstituimin e Parlamentit të Kosovës. Për pasojë, viti 2025 është tashmë një vit i humbur për Kosovën – një vit i dështuar, në të cilin vendi po humb rreth 800 milionë euro fonde nga Bashkimi Evropian, mjete që do të shërbenin për zhvillim ekonomikë, arsim, shëndetësi, drejtësi e shumë segmente tjera në të mirë të qytetarëve. Këta njerëz që e futën Kosovën në këtë krizë të thellë nuk meritojnë të votohen dhe as të jenë më pjesë e Parlamentit të Kosovës. Asnjëherë më.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
