Servilët e sotëm partiakë thithin nanën parti, nanën qeveri dhe babën tender

Servilët e sotëm partiakë thithin nanën parti, nanën qeveri dhe babën tender
Servilët e sotëm partiakë thithin nanën parti, nanën qeveri dhe babën tender

Nue Oroshi

  • 26 December 2025 - 07:40

Shkruan: ANALISTI-Nue Oroshi

Më herët ka ekzistuar një shprehje popullore shqiptare se “Qengji i butë i thith dy nana”. Kurse servilët e sotëm partiakë nuk ndalen me thithjen e dy nanave, por ata e thithin nanën parti, nanën qeveri, nanën ministri dhe babën tender. E çka është edhe më e dhimbshme është se një pjesë e tyre nuk u intereson se cila parti është në pushtet, por ata e krijojnë një rreth të hekurt të njerëzve të tyre nëpër ministri, sa që nuk ka rëndësi cila parti është në pushtet. Ata gjithmonë rrinë afër financave dhe tenderëve të ndryshëm.

 

-Është e dhimbshme kur sheh persona që janë anëtarë të një partie, paguhen nga partia tjetër për ta bojkotuar atë parti përbrenda dhe votën e japin krejt diku tjetër. Kurse militantët partiakë që nuk janë punësuar me kritere profesionale duhet tash të shkojnë shtëpi në shtëpi, lagje në lagje, fshat në fshat, duke kaluar male, kodra e fusha, për ta ndihmuar partinë që i ka punësuar. Nuk kanë thënë kot të vjetrit: “Kush nuk ka në kokë, ka në këmbë”.

E disa rrinë nëpër internet duke i sharë kryetarët e partive të tjera e duke i lavdëruar kryetarët e partive që u takojnë. Tash, në kohën e internetit, nuk ke nevojë ta njohësh personin. Vetëm ia shikon profilin dhe e merr vesh se kush është, nga vjen dhe çfarë orientimi politik ka. Dhe janë aq të kapur për kryetarët e tyre partiakë, sa që nëse ata u thonë se bora është e zezë, ata përgjigjen: vërtet ka të drejtë kryetari, sepse bora është e zezë si futa. Nëse kryetarët u thonë se mjalti është më i idhët se xehri, ata këtë thënie të kryetarëve të tyre e shpërndajnë dhe madje bëjnë edhe fushatë me atë thënie.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".