
Lexoni edhe:
Bllokada mbi 9-mujore nga opozita na solli në rezultatin spektakolar të Vetëvendosjes në zgjedhjet e 28 dhjetorit!
Shkruan: ANALISTI-Qani Shabani
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit kanë prodhuar jo vetëm një rezultat elektoral bindës, por edhe një mesazh të qartë politik nga qytetarët e Kosovës. Me 49,30% të votave për Lëvizjen Vetëvendosje, elektorati ka sanksionuar një model qeverisjeje dhe ka refuzuar alternativat e vjetra politike, duke e shndërruar këtë proces zgjedhor në një referendum real për sovranitetin, funksionalitetin e shtetit dhe orientimin ndërkombëtar të Kosovës. Ky rezultat përbën një moment historik për politikën kosovare dhe një pikë kthese në raportin mes pushtetit, opozitës dhe qytetarit.
-Rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, ku Lëvizja Vetëvendosje ka arritur 49,30% të votave, nuk duhet të lexohen thjesht si fitore numerike e një subjekti politik, por si një verdikt i qartë qytetar mbi modelin e qeverisjes, ushtrimin real të sovranitetit dhe tashmë edhe orientimin ndërkombëtar të shtetit. Ky rezultat shpreh qartë pritshmëritë e reja të elektoratit dhe standardet që qytetarët kërkojnë nga pushteti politik.
Fitorja e thellë e Vetëvendosjes e ka konsoliduar Albin Kurtin si figurën qendrore të skenës politike dhe i ka dhënë qeverisë një legjitimitet të fuqishëm politik dhe moral për të vazhduar agjendën e saj qeverisëse. Në këtë kontekst, thirrja e Kurtit për bashkëpunim me partitë opozitare në Kuvend, veçanërisht për marrëveshjet ndërkombëtare dhe projektet strategjike, nuk buron nga nevoja aritmetike, por nga vetëdija se sfidat madhore të Kosovës kërkojnë konsensus institucional dhe jo përjashtim politik. Megjithatë, mbetet e qartë se roli i opozitës në këtë legjislaturë do të jetë më shumë korrektues sesa përcaktues i drejtimit politik.
Një nga faktorët më të rëndësishëm që e ka favorizuar Vetëvendosjen është shtrirja reale e sovranitetit të shtetit në Mitrovicën e Veriut. Vendosja e rendit kushtetues, kontrolli institucional i territorit dhe shpërbërja e strukturave dhe bandave kriminale serbe, të cilat për vite me radhë kishin vepruar me mbështetje politike nga Beogradi, janë perceptuar nga qytetarët si rikthim i autoritetit të shtetit. Për herë të parë pas një periudhe të gjatë, Kosova ka dëshmuar se është e aftë të ushtrojë pushtetin e saj në çdo pjesë të territorit, pa kompromise të dëmshme dhe pa zona gri sovraniteti; këtu duhet theksuar se qeverisja e Kurtit del me duar të pastra, pa u inkriminuar në afera të theksuara korruptive. Ky zhvillim ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e besimit qytetar ndaj qeverisë.
Një tjetër shtyllë që e ka forcuar pozitën e Vetëvendosjes është dimensioni ndërkombëtar, ku roli i Presidentes Vjosa Osmani ka qenë indikativ. Angazhimi i saj diplomatik intensiv ka ndikuar në zbutjen dhe në procesin e heqjes graduale të sanksioneve të Bashkimit Evropian, duke parandaluar izolimin e Kosovës dhe duke rikthyer komunikimin politik me partnerët strategjikë. Në këtë kuadër duhet theksuar edhe ligji i miratuar gjatë administratës Trump për ruajtjen e kufijve ekzistues të Kosovës, i cili ka shërbyer si garanci strategjike kundër ideve për ndryshim kufijsh dhe ka forcuar pozicionin negociues të Prishtinës.
Po ashtu, njohjet e reja ndërkombëtare, të realizuara me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Turqisë, kanë përforcuar ndjeshëm subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe kanë ndikuar pozitivisht në perceptimin publik, duke ndërtuar një kontrast të fortë me qeverisjet e mëparshme dhe duke e konsoliduar më tej besimin qytetar.
Në anën tjetër, rezultati i dobët i partive opozitare është pasojë e një humbjeje të thellë strategjike dhe konceptuale. Opozita nuk arriti të ofrojë një vizion alternativ bindës, mbeti e lidhur me narrativa të së kaluarës dhe u perceptua nga elektorati si e paaftë për të garantuar stabilitet, sovranitet dhe kredibilitet ndërkombëtar. Deklarata e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për reflektim dhe marrje përgjegjësie, përbën një akt korrekt politik; megjithatë, dorëheqja e menjëhershme e liderit të saj do të ishte gjesti më moral dhe strategjik. LDK ndodhet sot në një krizë të thellë identitare dhe strukturore.
Rikthimi i opozitës në pushtet do të jetë i mundur vetëm përmes një reformimi të thellë, rinovimit të lidershipit dhe një ripozicionimi serioz politik; përndryshe, ajo rrezikon të mbetet faktor dytësor në skenën politike të Kosovës. Zgjedhjet e 28 dhjetorit tregojnë se koha e opozitarizmit formal ka përfunduar dhe se qytetarët kërkojnë alternativa reale, jo retorikë boshe.
Rezultatet e këtyre zgjedhjeve dëshmojnë qartë se preferencat elektorale të qytetarëve të Kosovës kanë ndryshuar në mënyrë thelbësore. Vota tradicionale, e bazuar në histori partie apo figura të së kaluarës, po zëvendësohet nga vota e performancës konkrete: funksionaliteti i shtetit, shtrirja e sovranitetit, lufta kundër strukturave kriminale dhe forcimi i pozitës ndërkombëtare.
Në përmbyllje, zgjedhjet e 28 dhjetorit janë më shumë se një fitore e Lëvizjes Vetëvendosje – ato përfaqësojnë një referendum qytetar për shtet funksional, sovranitet të plotë dhe diplomaci aktive. Përgjegjësia tani bie mbi fituesin për ta justifikuar këtë besim historik, ndërsa opozita përballet me zgjedhjen mes reformimit të thellë ose vazhdimit të rënies politike.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".