Prenka: Albini e Vjosa nuk e sollën sovranitetin, e gjetën, por të brishtë siç është edhe sot!

Prenka: Albini e Vjosa nuk e sollën sovranitetin, e gjetën, por të brishtë siç është edhe sot!
Prenka: Albini e Vjosa nuk e sollën sovranitetin, e gjetën, por të brishtë siç është edhe sot!

Zef Prenka

  • 07 January 2026 - 07:00

Nga: Zef Prenka

Narrativa se Albin Kurti dhe Vjosa Osmani “ia sollën sovranitetin e plotë Kosovës” po përdoret shpesh nga disa pseudo-analistë si slogan politik, jo si analizë serioze. Sovraniteti nuk është produkt i një mandati apo i një retorike triumfaliste; ai është proces i gjatë institucional, i ndërtuar mbi ligjshmëri, koordinim ndërkombëtar dhe stabilitet të brendshëm.

Është e vërtetë se Policia e Kosovës ka qenë vazhdimisht në gjendje gatishmërie, por rendi dhe siguria në veri – përfshirë ngjarje të rënda si Banjska – nuk mund të shkëputen nga konteksti politik ndërkombëtar dhe roli i KFOR-it. Në disa raste, toleranca apo menaxhimi i krizave u bë përmes ekuilibrash delikatë, ku kostoja politike dhe ekonomike për Kosovën ishte shumë e lartë. Masat ndëshkuese të BE-së dhe stopimi i fondeve nuk janë dekor retorik; ato kanë pasoja të drejtpërdrejta për zhvillimin, investimet dhe besimin institucional.

Po aq problematike ishte ngrirja e raporteve me SHBA-në, partnerin kyç strategjik. Një vit ngërçesh politike, me diplomaci reaktive dhe komunikim konfrontues, e shndërroi energjinë shtetërore në konsum të brendshëm. Pasojat u reflektuan në fusha thelbësore: arsim (rezultate alarmante në PISA), ekonomi (varfëri strukturore), si dhe rritje të pasigurisë sociale.

Ndërkohë, skandalet e njëpasnjëshme – qoftë me fondet rezervë të shtetit, menaxhimin e energjisë elektrike apo transparencën fiskale – e minuan narrativën morale të “qeverisjes ndryshe”. Kur retorika e pastërtisë bie ndesh me praktika të errëta, besimi qytetar dëmtohet më rëndë se çdo opozitë.

Shpresa mbetet që mandati pasues të shënojë një kthesë reale: më pak slogan dhe më shumë shtetndërtim; më pak konflikt simbolik dhe më shumë diplomaci funksionale; më pak personalizim pushteti dhe më shumë institucione që punojnë. Sovraniteti forcohet kur shteti prodhon rezultate: arsim cilësor, ekonomi konkurruese, drejtësi të besueshme dhe aleanca të qëndrueshme.

Nëse politika heq dorë nga retorika e kaluar dhe kalon në punë konkrete për shtetin, atëherë edhe qytetari do të ketë arsye të besojë se e ardhmja mund të jetë më e mirë se e shkuara.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".