Zgjedhja e presidentit nuk është pronë e asnjë subjekti politik

Zgjedhja e presidentit nuk është pronë e asnjë subjekti politik
Zgjedhja e presidentit nuk është pronë e asnjë subjekti politik

Isuf Bajraktari

  • 16 January 2026 - 07:40

Shkruan: ANALISTI-Isuf Bajraktari

Mandati i Presidentes së Republikës së Kosovës përfundon në pranverën e vitit 2026, ndërsa Kushtetuta e obligon Kuvendin që presidenti i ri të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit aktual. Ky afat e vendos skenën politike përballë një prove serioze të pjekurisë institucionale dhe përgjegjësisë shtetërore.

-Rezultatet e zgjedhjeve kanë prodhuar një shumicë parlamentare funksionale prej mbi 61 votash për partinë fituese, por jo shumicën e kualifikuar prej 80 votash që kërkohet për dy raundet e para të zgjedhjes së presidentit. Ky fakt tregon qartë se procesi nuk mund të mbyllet me logjikë të thjeshtë numerike, por kërkon dialog politik dhe marrëveshje reale ndërmjet pozitës dhe opozitës.

Zgjedhja e presidentit nuk është pronë e asnjë subjekti politik. Ajo është proces kushtetues që duhet të reflektojë unitet institucional dhe stabilitet demokratik. Për këtë arsye, çdo tentativë për ta shndërruar këtë proces në imponim politik do të prodhonte pasoja të dëmshme për funksionimin e shtetit dhe besimin qytetar.

Ambicia e Presidentes për një mandat të dytë është legjitime dhe pjesë normale e demokracisë përfaqësuese. Megjithatë, legjitimiteti politik nuk buron vetëm nga vullneti personal, por nga aftësia për të ndërtuar konsensus dhe për të fituar besimin e një shumice të gjerë parlamentare. Presidenti duhet të jetë figurë bashkuese dhe garant i rendit kushtetues.

Një përgjegjësi e veçantë në këtë proces bie mbi subjektin fitues të zgjedhjeve, i cili ka marrë besimin më të madh qytetar dhe mban barrën kryesore të stabilitetit institucional. Pjekuria politike nuk matet vetëm me numrin e deputetëve, por me aftësinë për të ndërtuar ura bashkëpunimi me partitë parlamentare dhe për të krijuar një koalicion funksional.

Në këtë kuadër, çështja e rizgjedhjes së presidentes duhet të trajtohet me logjikë institucionale. Kosova ka nevojë për një president konsensual, jo domosdoshmërisht për vazhdimësi individuale. Edhe presidentja aktuale ishte produkt i një marrëveshjeje konsensuale dhe, sipas kësaj logjike, po të njëjtat forca politike që e zgjodhën atë mund të arrijnë marrëveshje edhe për zgjedhjen e një presidenti të ri.

Në fund, zgjedhja e presidentit është test i vërtetë i kulturës politike në Kosovë. Konsensusi është shenjë e pjekurisë demokratike, ndërsa përplasja institucionale prodhon vetëm krizë. Kosova ka nevojë për dialog, stabilitet dhe vendimmarrje të përgjegjshme.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".