Meha: Kosovës i duhet dikush që largohet nga modelet ruse dhe zbaton modelet e ekonomisë së tregut

Meha: Kosovës i duhet dikush që largohet nga modelet ruse dhe zbaton modelet e ekonomisë së tregut
Meha: Kosovës i duhet dikush që largohet nga modelet ruse dhe zbaton modelet e ekonomisë së tregut

Xhevat Meha

  • 21 February 2026 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Xhevat Meha

Kuvendi mbajti seancë për Buxhetin e vitit 2026, por që në fakt nuk kishte se çka të diskutohej. Kjo për faktin se nuk pati buxhet të propozuar. Në Kuvend u paraqit projektbuxheti për vitin 2026 që ishte përgatitur në muajin tetor 2025. Kurrgjë nuk ishte punuar pas kësaj, edhe pse ka pasur kabinet qeveritar në detyrë, por që është paguar si çdo qeveri e zakonshme. Nga fundviti i kaluar është ditur se VV do të krijojë qeverinë e vetme dhe se Albini do të jetë Kryeministër.

 

-Rreth premtimeve elektorale dhe kapacitetit buxhetor, shkoqitja duhet të shkojë me radhë. Kryeministri mori besimin e votuesve me disa fjalime nëpër tubime elektorale pa paraqitur ndonjë dokument të shkruar. Fjalë hava, siç thotë populli. Edhe besimin nga deputetët për kabinetin qeveritar e mori pa paraqitur program qeveritar si dokument të shkruar, me një fjalim rasti. Me fjalë hava, siç thotë populli. Se si e pse i dhanë besimin votuesit dhe deputetët, le ta shpjegojnë vetë ata/ato që ia kanë dhënë besimin. Kur ka marrje të besimit me fjalë hava, sigurisht se nuk ka kurrfarë përgjegjësie politike për atë që është premtuar; veç i ndërrohen fjalët dhe kalohet problemi, nuk ka diçka të dokumentuar. Por problemi është më i madh.

Ky Kryeministër tjetërçka ka folur në fushatë, tjetërçka ka folur në Kuvend dhe është e pritshme që tjetërçka të përmbajë buxheti që pritet të përgatitet e të paraqitet para Kuvendit. Kjo është mënyrë e të mashtruarit. Problemi është edhe më i madh. Pothuajse kështu kanë vepruar edhe të gjithë Kryeministrat e mëparshëm, veçse ata paraqitnin dokumente të shkruara si programe qeveritare dhe pastaj vepronin ndryshe. Edhe këta mashtronin. Problemi është edhe më i madh. Mashtrimi është themeli i praktikave të modelit politik rus. Nuk po del dikush, ende, që të refuzojë praktikat e modeleve ruse e të fillojë të zbatojë praktika të modeleve të ekonomisë së tregut. Praktikat e modeleve të ekonomisë së tregut në themel kanë të vërtetën dhe realitetin. Kosovës i duhet dikush që largohet nga modelet ruse dhe zbaton modelet e ekonomisë së tregut.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".