Kriza që po vjen: Politika pa kompromis në Kosovë

Kriza që po vjen: Politika pa kompromis në Kosovë
Kriza që po vjen: Politika pa kompromis në Kosovë

Isuf Bajraktari

  • 12 March 2026 - 10:15

Kur interpretimet kushtetuese, mungesa e konsensusit dhe lufta për pushtet e çojnë vendin drejt bllokadës

Nga Isuf Bajraktari – 12 mars 2026

Kosova po përballet me një nga momentet më të ndërlikuara të saj politike në dekadën e fundit. Mungesa e kompromisit ndërmjet pozitës dhe opozitës, interpretimet kontradiktore të Kushtetutës dhe një kulturë politike gjithnjë e më konfrontuese, e kanë sjellë vendin në një situatë të brishtë, ku stabiliteti institucional varet pothuajse tërësisht nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Më 6 mars 2026, Presidentja Vjosa Osmani nxori dekretin për shpërndarjen e Kuvendit pas dështimit të seancës së 5 marsit për zgjedhjen e Presidentit. Por Gjykata Kushtetuese e pezulloi këtë dekret më 9 mars, duke ndaluar çdo veprim të Presidentes dhe Kuvendit deri më 31 mars, derisa të merret një vendim në themel.

1. A ishte kushtetues vendimi i Presidentes për shpërndarjen e Kuvendit?

Debati juridik është polarizuar në dy kampe:

A) Argumenti i moskonsumimit të tri raundeve.

Sipas interpretimit strikt të nenit 86, shpërndarja ndodh vetëm pasi të dështojnë të tri raundet e votimit. Kryeministri Kurti argumenton se raundi i parë nuk u zhvillua fare për shkak të mungesës së kuorumit (duhet prania e 80 deputetëve në dy raundet e para), prandaj procesi nuk mund të cilësohej i përfunduar dhe shpërndarja ishte e parakohshme.

B) Argumenti i afatit 30-ditor.

Presidentja Osmani argumenton se afati kushtetues 30 ditë para përfundimit të mandatit është kufi i pakalueshëm. Meqë mandati i saj përfundon më 4 prill, atëherë 5 marsi ishte dita e fundit, dhe Kuvendi e humbi të drejtën për të vazhduar procedurën.

Pa konsumimin e tri raundeve, shpërndarja është e kontestueshme. Pa respektimin e afatit 30-ditor, Kuvendi ka shkelur detyrimin kushtetues. Rrjedhimisht, vetëm Gjykata Kushtetuese mund të vendosë.

2. Ndikimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese

Masa e përkohshme e Gjykatës pezullon dekretin e Presidentes, ndalon Kuvendin të ndërmarrë veprime dhe ngrin rrugën drejt zgjedhjeve deri më 31 mars.

Tre skenarë:

1) Konfirmohet shpërndarja: zgjedhje brenda 45 ditësh.

2) Rrëzohet shpërndarja: procesi kthehet në Kuvend.

3) Vendim sqarues për raportin 82/86: precedent i ri kushtetues për të ardhmen.

3. A është realist afati 60-ditor?

60-ditëshi funksionon vetëm nëse partitë duan kompromis. Për zgjedhjen e Presidentit duhen 80 deputetë në sallë në dy raundet e para gjë pothuajse e pamundur në klimën aktuale. Pa vullnet politik, 60 ditëshi bëhet vetëm zvarritje.

Ajo që po shohim sot nuk është thjesht krizë kushtetuese, por një sabotim i hapur i funksionimit demokratik të shtetit. Kosova nuk është në këtë qorrsokak për shkak të mungesës së rregullave, por për shkak të një kulture politike të sëmurë, ku partia më e madhe sillet sikur institucionet janë vegla të vullnetit të saj, ndërsa opozita, megjithë mangësitë e veta, të paktën artikulon një kërkesë minimale demokratike: zgjedhjen e Presidentit në mënyrë konsensuale e pluraliste. Ndërkohë, pozita prodhon çdo ditë një kokofoni interpretimesh, duke e përdorur Kushtetutën si një tekst të përdredhur sipas interesit, sikur të ishte një medalje me dy anë, me një lexim për sot dhe një tjetër për nesër.

Edhe 60-ditëshi, i cili në teori është mekanizëm zhbllokues, është shndërruar në një manovër brutale për të fituar kohë, për të shtyrë zgjedhjet deri në verë dhe për të mbuluar dështimet me justifikime të reja. Në këtë realitet të deformuar, zgjedhjet janë të pashmangshme, por nuk do të prodhojnë stabilitet, sepse problemi nuk është rezultati i zgjedhjeve, por mentaliteti i pushtetit që nuk njeh kufij institucionalë dhe që refuzon kategorikisht logjikën e kompromisit. Derisa ky mentalitet të mos thyhet, Kosova do të vazhdojë të ecë në të njëjtën spirale: krizë, bllokadë, zgjedhje, dhe përsëri krizë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".