Masakrat në Kosovë kanë qenë masive, llogariten mbi 400 sosh

Masakrat në Kosovë kanë qenë masive, llogariten mbi 400 sosh
Masakrat në Kosovë kanë qenë masive, llogariten mbi 400 sosh

Idriz Zeqiraj

  • 07 April 2026 - 07:40

Shkruan: ANALISTI-Idriz Zeqiraj

Drejtoresha e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, është zonjë e nderuar, mike e shqiptarëve, së cilës shqiptarët i kanë shumë borxh.Reagimi i saj lidhur me shumë pasaktësi rreth masakrave serbo-sllave gjatë Luftës së Kosovës, 1998–1999, është imponuar nga lakimi i emrit të Fondit për të Drejtën Humanitare dhe personalisht të zonjës Kandiq.

 

-Shkëlzen Gashi, për kryesimin e ekipit për përgatitjen e Ekspozitës për masakrat numerike serbe në Kosovë, kishte deklaruar se ishte referuar Fondit për të Drejtën Humanitare, me drejtoreshë Natasha Kandiq. Mirëpo, krahasimi i fakteve dhe shifrave të huazuara ka rezultuar i pasaktë.

Sipas Kandiq, arsyeja e kësaj shpërputhjeje, rrjedhimisht edhe përplasja me Gashin, është mungesa e informacionit, padija për trajtimin e masakrave në fjalë. Dhe këtë e demanton bindshëm dhe besueshëm drejtoresha e Fondit, Kandiq. Ajo është kroniste e vëmendshme, luftëtare profesionale, me përvojë të bollshme për të drejtën humanitare; pavarësisht racës, gjinisë e etnisë, mbron standardet dhe të vërtetën historike. Ajo kërkoi që “ekspozita të hiqet nga hapësirat publike, gjithashtu edhe libri ‘Masakrat në Kosovë’ të tërhiqet nga institucionet ku është shpërndarë”.

Tashmë, përplasja fillestare mes Shkëlzen Gashit dhe Natasha Kandiq, falë kërkim-faljes së tij të urtë dhe fisnike, është menaxhuar me mençuri dhe konsiderohet e tejkaluar. Por ka pasur zëra rrugaçërorë nga opozita, duke e fyer miken e Kosovës, se kinse një serbe s’ka pse përzihet në punët e Kosovës.

Njëjtë ka ndodhur edhe me avokatin serb, Sanduloviç, i cili bëri homazhe në Prekaz dhe u rrah nga banda e Vuçiqit, deri në përfundim në trajtim spitalor. Ai akuzoi me fakte bashkëpunimin në makro-kontrabandë të disa komandantëve të Kosovës me Listën Serbe, të cilët e “akuzojnë kryeministrin Kurti si bashkëpunëtor të Serbisë!”. Dhe, kur shkrimi i tij komentohet e besohet, trutharët e opozitës, kinse, shprehin habinë pse besohet më shumë avokati serb sesa komandanti kontrabandist shqiptar?!

Shkëlzen Gashin e njoh si intelektual të angazhuar për rrjedhat e historisë së kohës së sotme. “Intervista e paautorizuar me Adem Demaçin” është një libër, botim më vete i Gashit. Ai ishte, për pak kohë, këshilltar politik i Kurtit. “Edhe komandantët e UÇK-së kanë vrarë nja 1.000 serbë”, kishte thënë Gashi. Shoqata e OVL-së reagoi, duke kërkuar shkarkimin e tij dhe Kurti ua plotësoi dëshirën! Ishte nxitim i Kurtit, sepse edhe mund të kenë vrarë komandantët, qoftë edhe për t’ua marrë tokat. Kujtoni “Procesin Tokat” të Azem Sylës, me bandën e tij, të cilët dajakosnin dhe vrisnin në emër të UÇK-së.

Masakrat në Kosovë kanë qenë masive, llogariten mbi 400 sosh. Është shkruar shumë e për to, me pasaktësi të shumta. Mania e “komandantëve” për vetëlavdërim e mburrje, masakrat i ka kthyer në “luftëra heroike të përgjakshme”, edhe pse ato kanë qenë masakra, pa asnjë viktimë nga pala armike. Ka raste kur një sulm armik ka zgjatur vetëm disa minuta, pa asnjë të vrarë nga asnjëra palë. Dhe, megjithatë, ai sulm i zakonshëm dhe ikje pa përballje reale u pëlqen ta quajnë “epope”.

Ndërsa dihet se në Luftën e Kosovës nuk ka pasur as legjenda, as legjendarë, dhe aq më pak epope. Terminologjia “legjendë”, gjysmë-përrallë, i përket Mesjetës, kurse epopeja i përket antikitetit, kur gjaku i palëve ndërluftuese arrinte deri në zog të këmbës. Dhe asnjëra nga këto nuk kanë ndodhur në Luftën e Kosovës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".