JETA E PENSIONISTËVE TË KOSOVËS AKTI MË I SHËMTUAR I MALLKIMIT!...

JETA E PENSIONISTËVE TË KOSOVËS AKTI MË I SHËMTUAR I MALLKIMIT!...
JETA E PENSIONISTËVE TË KOSOVËS AKTI MË I SHËMTUAR I MALLKIMIT!...

Ismail Muçiqi

  • 10 April 2026 - 15:27

Shkruan Gazetari Ismail Muçiqi

Pensionistët kontributdhënës të Kosovës kanë mbetur kategoria më e anashkaluar dhe më e përbuzur që nga paslufta. Ka mbetur një numër shumë simbolik i pensionistëve, të cilët gjysmën e jetës së tyre e kaluan duke punuar e kontribuar në të gjitha sektorët e shoqërisë: nga arsimi, kultura, ekonomia, industria dhe sektorë të tjerë të sigurisë, të cilët nuk kursyen as shëndetin dhe as atomin e fundit për t’i kontribuar familjes, shoqërisë dhe shtetit të Kosovës. Kjo gjeneratë, e cila po reduktohet gjithnjë e më shumë për shkak të moshës dhe shëndetit të rrënuar, sipas të dhënave të institucioneve përkatëse që merren me statistika, ka mbetur edhe 32 mijë pensionistë kontributdhënës në Kosovë, të cilëve pensioni i tyre më shumë ka simbolikën e një ndihme të Kryqit të Kuq sesa të një page meritore për ta kaluar jetën e pleqërisë në mënyrë normale. Institucionet e shtetit, përkatësisht kjo gjeneratë e të rinjve që kanë ardhur në pushtet, po sillen në mënyrë të papërgjegjshme ndaj gjendjes sociale dhe shëndetësore të kësaj kategorie të pensionistëve kontributdhënës.

Sot është e pakuptimtë që shuma e pensionit jo vetëm që nuk mjafton për t’i përmbushur nevojat jetike të individit, por kjo shumë po e degradon edhe moralin dhe autoritetin e njeriut që dikur ishte në ballë të sfidave të zhvillimit të shoqërisë. Duhet theksuar se statusi i pensionistëve kontributdhënës në Kosovë nuk është trajtuar dhe as që është ndryshuar pozita e tyre sociale. Edhe tani, kur po shkruajmë, kjo kategori është në pritje që më në fund Qeveria e Kosovës sa më parë ta marrë vendimin për rritjen e pensioneve të këtyre njerëzve të vuajtur. Çfarëdo rritje që mund të ndodhë është e drejtë dhe meritore, duke pasur parasysh që pensioni kontributdhënës nuk duhet të jetë më i ulët se 500 euro. Këtë shumë e imponon gjendja e inflacionit që e ka përfshirë vendin. Është me rëndësi të theksohet se në sektorin e pensionistëve kontributdhënës, Qeveria e Kosovës, përkatësisht ministria përkatëse, nuk ka arritur asnjëherë t’i klasifikojë drejt pensionistët që marrin pensione nga kontributi i tyre i punës, të cilët janë meritorë. Në anën tjetër, një numër personash që tani janë shpërndarë gjithandej Evropës bashkë me familjet e tyre, edhe pse marrin pensione në shtetet ku jetojnë, nuk turpërohen të vijnë çdo gjashtë muaj në Kosovë për t’i marrë edhe pensionet nga ky fond i varfër i njerëzve të bekuar. Mjerisht, në Kosovë ka edhe një numër pensionistësh që, përpos pensionit të pleqërisë në Kosovë, marrin edhe pensione në shtete të ndryshme të Ballkanit, si në Serbi, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Kroaci, Slloveni e vende të tjera. Ky është morali i këtij soji njerëzish, të cilët fare nuk mendojnë për ish-kolegët e tyre të punës, të cilët sot kanë mbetur me pensione minimale, përkatësisht me ndihmë sociale. Në fund po theksojmë se askush nuk qanë kokën për tu përkujdesur me një numër të pensionistëve kontributdhënës të cilët përpos që kanë probleme shëndetsore jetojn të vetmuar pa përkujdesje.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".