Mekuli: Analizë retorike e intervistës së Hashim Thaçit në Frankurter Allgemeine Zeitung: Nga UÇK-ja te 'Kosovari' artificial

Mekuli: Analizë retorike e intervistës së Hashim Thaçit në Frankurter Allgemeine Zeitung: Nga UÇK-ja te 'Kosovari' artificial
Mekuli: Analizë retorike e intervistës së Hashim Thaçit në Frankurter Allgemeine Zeitung: Nga UÇK-ja te 'Kosovari' artificial

Gezim Mekuli

  • 11 April 2026 - 18:23

Analizë retorike e intervistës së Hashim Thaçit në Frankurter Allgemeine Zeitung: Nga UÇK-ja te "Kosovari" artificial. Kur retorika e Hagës fshin identitetin shqiptar

Nga Gëzim Mekuli

Në diskursin politik, ajo që nuk thuhet është shpesh po aq e rëndësishme sa ajo që thuhet. Intervista e ish-presidentit Hashim Thaçi nga Haga, për gazetën gjermane "Frankurter Allgemeine Zeitung", paraqet një rast studimor të retorikës së mbijetesës politike, ku identiteti etnik shqiptar flijohet për hesap të legjitimitetit ndërkombëtar.

Në intervistën për FAZ përdoren shprehjet si vijon: "Populli i Kosovës" (Volk des Kosovos): përdoret 3 herë.
"Kosovarët" ose "Kosovare" (Kosovaren): përdoret 3 herë.
"Institucionet e Kosovës" dhe "Qytetarët": përdoret disa herë të tjera për të shmangur emërtimin etnik "shqiptar".

Siç shihet, Thaçi është shumë i kujdesshëm që çdo veprim, sakrificë apo identitet t’ia faturojë një emërtimi gjeografik/politik ("Kosovës") dhe jo atij kombëtar ("Shqiptar").

Strategjia e "neutralizimit etnik"
Përgjatë gjithë intervistës në FAZ, Thaçi përdor një teknikë që në retorikë njihet si de-identifikim. Edhe pse mbi 93% e popullsisë së Kosovës janë shqiptarë dhe lufta u zhvillua mbi baza të persekutimit etnik, ai e shmang termin "shqiptar" pothuajse tërësisht në intervistë. Në vend të fjalës "shqiptar", ai përdor "populli i Kosovës" ose "kosovarët".

Të nderuar lexues,
Kjo nuk është harresë e tij, por një manovër retorike:
Qasja e Hashim Thaçit në këtë intervistë mund të cilësohet edhe si një "kirurgji identitare". Ai tenton të prejë me thikë realitetin historik/kulturor të popullit (që është shqiptar) nga përfaqësimi i tij politik (që ai e quan "kosovar"). Kjo nuk është thjesht diplomaci, por një lëshim i rrezikshëm që godet palcën e historisë së kombit shqiptar.

Paradoksi i identitetit
Për të kuptuar sa e pazakontë është kjo "ikje" nga etnia, mund të shohim shembuj të tjerë në botë:

Serbët e Bosnjës në Republika Srpska, pra udhëheqësit serbë atje bëjnë saktësisht të kundërtën. Ata rrallë përdorin termin "boshnjakë" (në kuptimin e shtetësisë) për veten. Ata insistojnë në termin "Serbë", duke e lidhur ekzistencën e tyre me kombin amë Serbinë, pavarësisht se jetojnë në një shtet tjetër. Retorika e tyre synon bashkimin, ndërsa e Thaçit synon "integrimin" përmes ndarjes, asimilimi apo tjetërsimit.

Ja për shembull Irlandezët si Gerry Adams (Sinn Féin) kurrë nuk e shmangën termin "irlandez" për të kënaqur dëgjuesin britanik. Ata e përdornin identitetin etnik si motorin kryesor të legjitimitetit.

Shembulli nga ish-Bashkimi sovjetik: Edhe këtu u tentua për dekada të krijohej njeriu "Sovjetik", duke shtypur identitetin rus, ukrainas apo gjeorgjian. Rezultati? Sapo ra sistemi komunist, identitetet kombëtare shpërthyen me një forcë të papërmbajtshme.

Ndryshe nga këta shembuj, Thaçi zgjedh një lloj "vetë-censurimi kombëtar"; duke mos e përmendur hiq kombin shqiptar, ai rrezikon të krijojë një vakum historik: sepse nëse nuk kishte shqiptarë në Kosovë, kush dreqi u vra, u burgos e u përndjek atëherë? Nëse nuk kishte komb shqiptar në Kosovë, çfarë mbronin ushtarët e UÇK-së në betejat e tyre të përgjakura e heroike?

Logosi dhe Pathosi i Thaçit
Nga ana e Logosit (logjikës), Thaçi tenton të ndërtojë një mbrojtje juridike. Ai e di se në Hagë, "nacionalizmi" është një fjalë me sherr. Prandaj, ai e shet veten si një "kushtetues". Ja për shembull ai thotë: “Angazhimi im konsistonte në ndjekjen e rrugëve diplomatike brenda kornizës së Kushtetutës së Kosovës.” Kjo fjali i shërben këtij për të treguar se ai nuk është një kryengritës etnik shqiptar, por një udhëheqës shtetëror. E habitshme!

Nga ana e Pathosit (emocionit), ai tenton të ngjallë simpati te ndërkombëtarët duke përmendur figura si Madeleine Albright apo Bob Dole. Ai nuk thotë "ata na ndihmuan ne shqiptarëve", por "ata e kuptuan kush ishim ne". Kjo është një përpjekje për t'u rreshtuar me "vlerat perëndimore", duke fshirë çdo lidhje që mund të dekodohet si "irredentizëm shqiptar". E çuditshme!

Rreziku i "Kosovarishtes" si identitet artificial
Kritika kryesore ndaj kësaj qasjeje është se kjo intervistë duket jo-autentike.
Kur Thaçi thotë se "albanische Kosovaren" (shqiptarët e Kosovës) nuk do të ekzistonin pa NATO-n, ai e përdor mbiemrin etnik vetëm si një mbetje biologjike që ishte në rrezik zhdukjeje, dhe jo si një forcë aktive historike me vullnet politik.

Identitet shqiptar me shtetësi të Kosovës
Gabimi retorik i Thaçit në këtë intervistë është se ai e trajton "kosovarin" si një komb të ri, kur në fakt Kosova është thjesht shteti i dytë i shqiptarëve.

Pse e them këtë e pse mendoj kështu? E them këtë dhe mendoj kështu sepse:
Gjuha që flitet është shqipja.
Kultura, historia dhe heronjtë (nga Skënderbeu te Adem Jashari) janë pjesë e trungut shqiptar, apo jo?

Prandaj përdorimi i shprehjes "kosovar" si identitet kombëtar është një eufemizëm që i shërben vetëm qetësimit të "ndërgjegjes" së Brukselit, por që fyen sakrificën e atyre që ranë me emblemën e UÇK-së (që e ka flamurin kuq e zi dhe fjalinë: Ushtria Çlirimtare e Kosovës).

Rreziku i "çoroditjes" politike
Kur një lider si Thaçi, që dikur ishte në maje të ushtrisë që betoheshin për bashkim kombëtar, përfundon në një retorikë ku, as në gazetën më të madhe gjermane, nuk guxon të thotë fjalën "shqiptar", ai krijon një krizë vlerash. Bile-bile ky marifet i jep hapësirë propagandës së Serbisë së moçme të thotë: "Shihni, as ata vetë nuk e dinë kush janë".
Identiteti nuk mund të tjetërsohet për hesap të një procesi gjyqësor apo për të qenë "politikisht i korrekt" me ndërkombëtarët, apo jo të dashur lexues?

Nëse i "biem trup" kësaj pune, retorika e Thaçit në këtë intervistë na del se është një "mbrojtje e ftohtë". Ai ka zgjedhur të flasë gjuhën e kancellarive të Brukselit dhe sallave të gjyqit të Hagës, duke braktisur gjuhën e katundeve, sokaqeve, fshatrave, bjeshkëve, dhe qyteteve të Kosovës.

Konsekuent deri në fund: Analiza e frekuencës së fjalëve në intëvistë zbulon një plan të qartë: ndërsa termat gjeopolitikë si "populli i Kosovës" dhe "kosovarët" dominojnë gjuhën, binomi "albanische Kosovaren" shfaqet si një "aksident" retorik vetëm një herë. Kjo dëshmon se ish-lideri i UÇK-së ka braktisur terminologjinë kombëtare për një gjuhë të filtruar, duke e reduktuar kombin shqiptar në një referencë teknike, pothuajse të padukshme para gjykatësve ndërkombëtarë.

Ndoshta ky trik i tij përmes kësaj interviste strategjikisht mund të ndihmojë në procesin e tij gjyqësor, por kjo qasje lë një shije të hidhur historike: sepse Thaçi e paraqet luftën e shqiptarëve të Kosovës si një projekt teknik të ndërkombëtarëve, dhe jo si kulminacionin e aspiratave shekullore të kombit shqiptar.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".