Analisti e zbulon se a do ta pranojë Kurti emrin e Vjosa Osmanit për presidente? 

Analisti e zbulon se a do ta pranojë Kurti emrin e Vjosa Osmanit për presidente? 
Analisti e zbulon se a do ta pranojë Kurti emrin e Vjosa Osmanit për presidente? 

Florim Zeqa

  • 09 June 2026 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa

Ish-presidentja Vjosa Osmani, tani deputete e zgjedhur në Kuvendin e Kosovës, pas fitores bindëse të Albin Kurtit, menjëherë filloi me stilin e saj arrogant, duke i vënë kushte fituesit të zgjedhjeve nga pozicioni i partisë së tretë në vend.

 

-Rezultatet preliminare të zgjedhjeve determinojnë nevojën e një bashkëpunimi mes forcave politike në Kuvend për krijimin e institucioneve të reja shtetërore. Mirëpo, pas rezultateve preliminare të zgjedhjeve të 7 qershorit, Vjosa Osmani deklaroi prerazi se Vetëvendosja "s’ka asnjë arsye ta refuzojë" emrin e saj për presidente. 

Pesha e saj (e vogël) politike jo vetëm që nuk është garanci e stabilitetit politik, por nuk i jep asaj komoditetin as të mendojë për postin e presidentes, e lëre më të zgjidhet për herën e dytë. 

Fjalori i mbrëmshëm i Vjosa Osmanit se Vetëvendosja "s’ka asnjë arsye ta refuzojë" emrin e saj për presidente, do të reflektojë negativisht në arritjen e një marrëveshjeje politike mes LVV-së dhe LDK-së për bashkëqeverisje.


Një personalitet si Vjosa Osmani, e cila nuk paraqet unitet politik në partinë e saj, si do të krijojë unitet mes forcave politike në vend. 

Edhe përkundër entuziazmit të madh për ngritjen e lehtë, LDK-ja mbetet sërish e treta dhe me një distancë të madhe prej mbi 25% nga Vetëvendosja. 

Me këtë entuziazëm, Abdixhiku këtë rezultat, që e mban partinë në pozicionin e tretë, po e kthen në një festë për të forcuar pozicionin e tij brenda partisë, pasi në realitet nuk bëhet fjalë për rikthimin e madh të LDK-së kur ajo mbetet sërish në vendin e tretë. 

Në këtë rezultat, PDK-ja është në pozitë më të mirë dhe ndihet komode në vendin e dytë me 21.21%, duke lënë pas LDK-në, por pa bërë zhurmë të madhe në media, sikurse kjo e fundit.

Meqë LVV-së me 43.03% nuk i mjafton e vetme për të krijuar qeverinë, kjo e rrit peshën e PDK-së si faktori kryesor opozitar, e cila duhet të bëhet pjesë e llogarive për pushtet; në të kundërtën, mund të kthehet në bllokuese të institucioneve shtetërore. 


Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".