Dhurata nga Shën Nikolasi

  • 19 August 2019 - 15:14
Dhurata nga Shën Nikolasi

Claas Schlaschenschlinger ka qenë një këpucëtar i pasur, i cili ka jetuar në Rrugën e Re në Amsterdamin e Ri. Ai kishte punuar aq gjatë në atë profesion saqë njerëz anekënd vendit shkonin tek ai për t'i rregulluar këpucët, megjithatë, me gjithë pasurinë e madhe, ai kishte vendosur të mbetet beqar deri në momentin kur Anitje, një vajzë shumë e bukur, ia kishte marrë mendtë dhe si rrjedhojë ai kishte vendosur që të martohej me të. Humbja e pasurisë Në fillim, pasi që Claas dhe Anitje ishin martuar, ata kishin jetuar një jetë shumë të lumtur, duke rritur pata dhe duke punuar në dyqan. Mirëpo, pasi që qiraja e lokalit ku ai punonte ishte rritur shumë nga ana e qiradhënësit dhe në lagje kishte ardhur një farkëtar që merrej edhe me rregullimin e këpucëve, biznesi i Claas-it ishte dobësuar tej mase, sikurse edhe jeta e familjes së lumtur.

Nata e Krishtlindjeve e kishte gjetur familjen Schlaschenschlinger shumë të varfër, duke mos pasur asgjë për të shtruar në tavolinën e bukës për Natën e Krishtlindjeve, andaj Claas-i kishte filluar të mendojë se çka mund të shesë për ta pritur më mirë këtë natë të shenjtë. Në atë moment në mendje i kishte ardhur një dhuratë që ai kishte marrë vite më parë për Krishtlindje, bëhej fjalë për një çibuk shumë të shtrenjtë, i cili nuk i përshtatej një njeriu të varfër, andaj ai kishte vendosur ta shesë. Shfaqja e plakut mjekërbardhë Kur kishte shkuar për ta marrë çibukun, të cilin e kishte fshehur në bodrum, me t'u kthyer ai kishte parë që në derën e shtëpisë së tij qëndronte një plak mjekërbardhë, i cili dëshironte të kalonte disa qaste në shtëpinë e familjes, pasi që ishte ngrirë nga të ftohtit. Pasi që ishte futur brenda plaku e kishte pyetur Anitje-n nëse kishin diçka për të ngrënë, ndërsa ajo më gjysmë zëri i kishte thënë që nuk u kishte mbetur asgjë, mirëpo plaku kishte drejtuar gishtin drejt tenxheres, duke i thënë "Nga ajo enë vjen erë pate", kur Anitje kishte larguar kapakun e tenxheres, kishte parë një patë gjigante tek zihej në të. Prindërit e habitur dhe fëmijët e lumtur kishin ngopur barkun në atë Natë Krishtlindjeje, ndërsa kur kambanat e Kishës kishin rënë për ta shënuar mesnatën, plaku mjekërbardhë ishte ngritur me vrap dhe kishte rezistuar të qëndrojë, përkundër dëshirës së madhe të familjarëve.

Kur Claas-i dhe Anitje ishin zgjuar të nesërmen në mëngjes, kishin gjetur një thes të mbushur me argjend, ndërsa edhe shtëpia e tyre prej druri ishte shndërruar në një shtëpi të bukur, të ndërtuar nga tullat. Në thesin me flori shkruante: "Dhuratë nga Shën Nikolasi"! Fillimisht, fqinjët kishin dyshuar që familja po merrej me magji, mirëpo pasi që Claas-i ua kishte rrëfyer ngjarjen, ata e kishin bërë atë udhëheqës të tyre, ndërsa shtëpia kishte mbetur për vite të tëra simbol i holandezëve të asaj ane, deri në momentin kur ishte shkatërruar nga britanikët. 


(Kosova Sot Online)