Takimet masive me UFO

  • A.P /
  • 02 August 2020 - 09:31
Takimet masive me UFO

Një stadium në Itali - 10,000 njerëz shohin UFO-t

Kjo ngjarje ka ndodhur më 27 tetor të vitit 1954. Një lojë kthyese midis Fiorentinës dhe rivalit të saj, Pistoiese, ishte duke u zhvilluar në stadiumin "Artemio Franchi". Kishte rreth 10.000 shikues. Në mesin e tyre gjendej edhe Gigi Boni, i cili përkundër që, tani, gjendet në të tetëdhjetat e tij, ende ka kujtime të gjalla rreth pamjeve të UFO-ve mbi stadium. "Më kujtohet ajo pamje e pabesueshme. E tëra ndodhi shumë shpejt. UFO-t kishin formë të cigareve kubane", thotë ai. Lojtarët dhe shikuesit mbetën si të ngurtësuar.

Rrëzimi i UFO-s në Keksburg

Ai që më vonë do të bëhej i njohur si Incidenti i Keksburgut ndodhi më 9 dhjetor të vitit 1965. Banorë të shumtë të këtij fshati të vogël të Pensilvanisë, rreth 40 milje larg Pitsburgut, panë një objekt për të cilin disa prej tyre thanë më pas se nxirrte zjarr të gjelbër, para se të rrëzohej në një arë aty afër, rreth orës 6 të asaj mbrëmjeje. Banori lokal Bill Bulebush, i cili ishte duke rregulluar veturën e tij kur e pa këtë objekt, e përshkruan atë me formë të kambanës dhe me madhësi sa dy herë "Volkswagen Beetle". Një peshkatar me emrin James Romansky, më pas tha se ky objekt kishte disa shkrime në formë të hieroglifëve në pjesën e poshtme. Ai thotë se nuk kaluan as 15 minuta para se të vinte ushtria e t'i urdhëronte të gjithë që të largoheshin nga vendi i ngjarjes. Filluan që të përhapeshin thashetheme se bëhej fjalë për një satelit sovjetik, por vite më pas, rusët e demantuan një gjë të tillë. 

Takimi i 200 studentëve me UFO në Uestfall

Më 10 prill të vitit 1966 në Melburn të Australisë, rreth orës 11 para dite, për rreth 20 minuta më shumë se 200 studentë dhe profesorë nga dy shkolla shtetërore të Viktorias, panë një objekt të paidentifikuar fluturues i cili më pas ra në një fushë me bar. Sipas dëshmitarëve, më pas objekti u ngrit sërish lart duke lëvizur në drejtim veriperëndimor mbi periferinë e lokalitetit Klejton Sauth, Viktoria, Australia. Ky është njëri ndër rastet më prominente të takimit masiv me UFO, saqë shpesh quhet edhe "Roswell"-i australian. Duket se ushtria ishte në dijeni rreth kësaj ngjarjeje, meqë ajo bëri gjithçka për lënien në harresë të këtij incidenti. Skeptikët thonë se objekti misterioz ishte një fluturake sekrete ushtarake, por edhe tani, rreth 50 vjet më pas, nuk ekziston teknologji e tillë, e lëre më në atë kohë. Duket se këtu kishim të bënim me një fluturim të UFO-s, të miratuar nga Qeveria australiane. 

(Kosova Sot Online)