Takimet masive me UFO-t

  • A.P /
  • 03 August 2020 - 15:03
Takimet masive me UFO-t

Dritat në Stefenvill - viti 2008

19 janar 2008. Në mbrëmje, rreth 40 banorë lokalë, duke përfshirë një pilot amator dhe një oficer i policisë, ishin dëshmitarë të një UFO-je, i cili u pa në qiell mbi këtë fshat, duke qëndruar për më shumë se pesë minuta para se të largohej dhe të zhdukej në qiellin e natës. Polici Lee Roy Gaitan kishte deklaruar për Radion kombëtare publike se ai ishte duke shkuar te vetura e tij, kur pa një objekt të ndritshëm, i cili ia rikujtoi shpërthimin e vullkanit, por që gjendej në një lartësi të caktuar në qiell. Një dëshmitar tjetër vlerësonte se UFO-ja kishte një gjerësi rreth gjysmë kilometri, një gjatësi 1 km dhe ishte më i madh sesa një qendër tregtare.

62 fëmijë shohin UFO-t dhe alienët - Afrikë, viti 1994

Më 15 dhe 16 shtator të vitit 1994, rreth orës 10:15 paradite, 62 fëmijë nga shkolla private fillore "Ariel" në Ruva, rreth 20 km larg nga Harare, ishin duke luajtur gjatë pushimit të tyre të gjatë. Papritmas ata panë tre topa të argjendtë në qiellin mbi shkollë. Ato objekte më pas u zhdukën me një blic të dritës, për t'u paraqitur më pas gjetiu. Kjo ndodhi tri herë dhe, më pas, ato objekte filluan të lëvizin në drejtim të shkollës. Njëri prej objekteve aterroi në një vend me drurë. Fëmijët nuk lejoheshin që të shkonin në atë pjesë, meqë mendohej se kishte gjarpërinj. Disa fëmijë thanë të kishin parë alienët duke dalë nga ai objekt.

"Vala" belge, vitet 1989-1990

Duke filluar nga 13 nëntori i vitit 1989 e deri në prill të vitit 1990, mbi qiellin e Belgjikës u panë disa UFO në formë trekëndëshi.

Numri i UFO-ve të parë u rrit natën midis 30 dhe 31 marsit të vitit 1990.

Gjatë asaj nate UFO-t ishin kapur në radar, ishin fotografuar dhe ishin parë nga rreth 13,500 njerëz, ku 2,600 prej tyre dorëzuan dëshmi të shkruara, ku përshkruanin deri në detaje atë që kishin parë. Pas këtij incidenti, forcat ajrore belge lëshuan një raport rreth ngjarjeve të asaj nate. Në raport thuhej se avionët belgë disa herë kishin marrë në nishan objektet e paidentifikuara, por ata ishin larguar me shpejtësi të hatashme. Për shembull, njëri prej objekteve, i cili ishte duke lëvizur me një shpejtësi prej 240 km/h, papritmas kishte filluar që të lëvizte me një shpejtësi prej 1,770 km/h, duke e ndryshuar lartësinë nga 2,700 në 1,500 m.

(Kosova Sot Online)