Përbindëshat mitologjikë të Krishtlindjeve

  • A.P /
  • 02 October 2020 - 15:15
Përbindëshat mitologjikë të Krishtlindjeve

13 xhuxhët e Krishtlindjeve

Ky rrëfim islandez përfshin trembëdhjetë xhuxhë, të cilët shfaqen në kohë Krishtlindjesh dhe janë si Babagjyshër të festave. Legjenda thotë që këta xhuxhë shfaqen në trembëdhjetë ditët e fundit para Krishtlindjeve dhe fëmijët në këtë periudhë presin që në dyert e tyre të vijnë dhurata, ose patate të kalbura. Nëse fëmijët janë pjesë e grupit të parë, atëherë i bie që kanë qenë të sjellshëm gjatë vitit, ndërsa të gjithë fëmijët e pasjellshëm marrin ndëshkimin, pasi t'i pranojnë patatet e kalbura. 

Krampus-i

Kjo figurë austriake dhe bavareze është njëra nga më të frikshmet në këtë listë. Krampus thuhet të jetë një krijesë e gjatë, i mbuluar me qime të zeza. Krampus-i shfaqet në kohë Krishtlindjesh për t'i dënuar fëmijët të cilët nuk janë sjellë mirë gjatë vitit. Me kalimin e kohës, ai është shndërruar në një lloj figure më djallëzore të Krishtlindjeve, pasi thuhet se ai i rrah dhe i shet fëmijët, të cilët më pas përdoren për skllavëri. 

Fouettard-i

I njohur si Babagjyshi goditës, Fouettard thuhet të ketë marrë pjesë në takimet e Shën Nicholasit me fëmijët dhe cilido fëmijë që ishte cilësuar si i pasjellshëm, e kishte marrë dënimin duke u goditur me kamxhik nga Fouettard-i. Ai paraqitet si një plak i moshuar me mjekër e flokë të zinj e të gjatë, që vesh një pallto të gjatë, gjithashtu të zezë dhe në duar mban një kamxhik. 

Perchta

Kjo është figura më e frikshme në këtë listë. Bëhet fjalë për zonjushën Perchta, figurë gjermane, për të cilën thuhet që në kohë Krishtlindjesh sorollatet nëpër rrugë, duke i dënuar fëmijët me çarje të barkut dhe pjesëve të tjera të trupit. 

Gryla

Gryla, në esencë, është nëna e trembëdhjetë xhuxhëve të lartpërmendur, që pretendohet të ketë një radar të veçantë, i cili ia mundëson ta kuptojë se cilët janë fëmijë të mirë, e cilët janë të këqij. Legjenda thotë se ajo del nga shpella e saj, ku qëndron gjatë gjithë vitit, në kohë Krishtlindjesh dhe i shpërfaq vetitë e saj të kanibalizmit, duke i ngrënë fëmijët e pasjellshëm. 

(Kosova Sot Online)