Vendet që ende besojnë në magji

  • A.P /
  • 29 October 2020 - 15:08
Vendet që ende besojnë në magji

Indonezia

Presidenti i Indonezisë është njëri ndër liderët botërorë që ka pranuar publikisht se beson në magji. Presidenti Susilo Bambang Yudhoyono ka folur rreth takimit të tij të drejtpërdrejtë me magjinë e zezë në rezidencën e vet, ku thoshte se kishte parë një re të dendur, të zezë të tymit, që tentonte të hynte në dhomën e tij të gjumit nëpërmes tavanit. Për shkak të këtij incidenti dhe për shkak se feja e tij e ndalon magjinë, Qeveria e Yudhoyono-s propozoi bërjen e amendamenteve që praktikimin e magjisë së zezë ta shpallnin vepër penale.

India

Deri vonë, nga India vinin lajme të shpeshta rreth linçimit të personave, të cilët akuzoheshin për bërje të magjisë. Në tetor të vitit 2014, BBC raportonte se një grua nga distrikti Bemetara ishte vrarë nga familja e saj pasi që besohej se e kishte sëmurë nipin e saj me magji. Sikur kjo të mos ishte mjaft bizare, u publikua një raport në "Daily Mail" dhjetorin e kaluar rreth një djali i cili ishte gjymtuar si kurban në një ceremoni të magjisë, nga një fqinj i tij, i cili besonte se, duke sakrifikuar djalin, gruaja e tij do të mbetej me barrë. Ekspertët thonë se besimi në magji përdoret edhe si arsyetim për krimet e pasionit.

Arabia Saudite

Ndoshta do ta keni të vështirë ta besoni, por qeveria e Arabisë Saudite ka një njësi kundër magjisë. Sipas ueb- sajtit care2.com, ky ligj ishte miratuar për të përndjekur dhe burgosur njerëzit (kryesisht gratë), që dyshohet se kishin bërë magji. Një e dyshuar ishte ekzekutuar në vitin 2007 dhe një tjetër u zhduk në burg, duke pritur vendimin e të të ashtuquajturit krim të saj. Shumë nga të akuzuarat janë femra, nënshtetase të huaja, të cilat punojnë si shtëpiake në shtëpitë arabe.

Nepali

Nuk është e vërtetë se djegiet në turrë të druve kanë mbetur në shekullin XVII. Ato ende ndodhin sporadikisht dhe rastet më të shumta kanë të bëjnë me akuzat për magji. Në një lajm të transmetuar nga CNN në shkurt të vitit 2012, ishte bërë e ditur se një grua ishte djegë për së gjalli në qendër të Nepalit pasi që ishte akuzuar si shtrigë. Për më keq, personat përgjegjës për vrasjen e saj brutale ishin anëtarë të familjes së saj. Qeveria nepaleze ka apeluar te popullata që të mos lejojnë që shamanët dhe liderët fetarë t'ua turbullojnë mendjen, sidomos nëse kjo rezulton me vrasje. 

(Kosova Sot Online)