Misteret e frikshme, për të cilat nuk janë gjetur përgjigje tash e sa dekada

  • E.K /
  • 10 prill 2021 - 15:16
Misteret e frikshme, për të cilat nuk janë gjetur përgjigje tash e sa dekada

Masakra në Hinterkaifek të Gjermanisë

Më 22 mars të vitit 1922, gjashtë persona ishin vrarë në një fermë në Hinterkaifek të Gjermanisë. Familja Gruber ishte masakruar, megjithatë vrasësi nuk ishte gjetur kurrë. Gjashtë javë para vrasjeve, kryefamiljari Andreas kishte vërejtur gjurmë të këmbëve në borë, gjurmë këto që dërgonin drejt shtëpisë ku edhe ishte kryer krimi, megjithatë ai nuk kishte arritur të vërente gjurmë të këmbëve të krijesës, teksa ajo ishte larguar nga shtëpia. Disa ditë para vrasjes famëkeqe, një palë çelësa të shtëpisë së familjes ishin zhdukur, një gazetë ishte shfaqur pranë derës së tyre dhe Andreas bashkë me familjarët e tjerë kishin dëgjuar disa hapa. Ndërsa, në mbrëmjen e 22 marsit, vrasësi në fjalë ishte futur për t'i vrarë në gjakftohtësi Andreas-in dhe pesë anëtarët e familjes së tij, për t'u ulur më pas për ta shijuar darkën dhe për t'i ushqyer bagëtitë.

Vrasjet në Teksarkana të Teksasit

Paramendojeni se sa i rrezikshëm dhe tmerrues duhet të ketë qenë vrasësi, që i ka detyruar shumë njerëz që t'i braktisin shtëpitë e tyre, e shumë të tjerë t'i ndalin fëmijët nga shkolla dhe ta lënë punën, për të dalë nga shtëpia vetëm në rastet kur është dashur të blihen furnizime të ushqimit. Vrasësi Fantazmë, siç ishte bërë i njohur, kishte filluar t'i terrorizonte banorët e Taksarkanës së Teksasit në SHBA në pranverën e vitit 1946, duke sulmuar tetë njerëz brenda dhjetë ditësh. Pesë nga tetë të sulmuarit ishin vrarë dhe vetëm dy të sulmuarit e parë kishin arritur që t'ia përshkruanin policisë fytyrën e vrasësit. Vrasësi vazhdimisht kishte mbajtur maskë të bardhë, me vrima në pjesën e syve dhe atë të gojës, ndërsa viktimat e tij të preferuara kanë qenë qiftet nëpër vetura dhe parqe. Gjithsesi, policia nuk kishte arritur ta gjente vrasësin.

"Kush e ka vendosur kafkën e Bella-s në trung?"

Në prill të vitit 1943, në Uerçestershajër të Anglisë, katër djem kanë qenë duke luajtur përreth një peme kur papritmas ishin ndeshur me një gjë të frikshme. Në trungun e pemës, afër së cilës kanë qenë duke luajtur, ata kishin vërejtur një kafkë. Të tronditur, fëmijët ishin betuar që t'i mos i tregonin askujt, megjithatë më i vogli i grupit ishte frikësuar shumë dhe kishte shkuar për t'i treguar babait të tij, i cili më pas e kishte lajmëruar rastin në polici. Pasi që e kishte lajmëruar rastin, policia kishin shkuar në vendin në fjalë dhe e kishin gjetur kafkën, të cilën e kishin dërguar për identifikim. Megjithatë, pas gjashtë muajsh përpjekje, kafka nuk ishte identifikuar dhe si rrjedhojë, pema në të cilën ishte gjetur kafka ishte rrethuar me një mur prej betoni. Ndërsa, pa kaluar shumë kohë, në murin përreth pemës ishte shkruar: "Kush e ka hedhur kafkën e Bella-s në trung?", duke e zbuluar kështu identitetin e personit në fjalë. Megjithatë, detajet tjera në lidhje me këtë rast nuk ishin zbuluar kurrë.

Vdekja e Elisa Lam-it Njëzetenjëvjeçarja

Elisa Lam, një studente kanadeze, e cila ka vuajtur nga çrregullimi bipolar, për herë të fundit ishte parë e gjallë më 31 janar të vitit 2013. Ajo ishte konsideruar e zhdukur për disa javë, deri në momentin kur vizitorët e një hoteli kishin filluar të ankoheshin për shijen e çuditshme të ujit. Kur punëtorët e mirëmbajtjes kishin shkuar për ta shikuar tankun e ujit, ata e kishin gjetur trupin e Elisa-s. Duket se mysafirët e atij hoteli ishin pastruar me lëngjet e një kufome tri javë të vjetër. Disa kishin pretenduar që ajo ishte vetëvrarë për shkak të konsumimit të drogës, megjithatë raportet e mjekësisë ligjore kishin treguar që ajo nuk kishte përdorur drogë, së paku jo në kohën kur e ka humbur jetën. Tani, ndonëse kanë kaluar më shumë se dy vite që prej rastit tragjik, nuk dihet asgjë për vdekjen e Elisa Lam-it. (vijon nesër)

(Kosova Sot Online)