Mumia egjiptiane trondit shkencëtarët

  • E.K /
  • 03 May 2021 - 09:49
 Mumia egjiptiane trondit shkencëtarët

Një mumie e lashtë egjiptiane, që besohej se ishin mbetjet e një prifti është në fakt trupi i balsamosur e një gruaje në tremujorin e tretë të shtatzënisë. Lajmi u bë i ditur nga shkencëtarët polakë të premten.

Marzena Ozarek-Szilke, antropologe në ‘Projektin Mumie’ të Varshavës po ekzaminonte skanerat e një mumie në Muzeun Kombëtar në kryeqytetin polak, kur dalloi diçka të veçantë.

“Gjatë kohës që po shihja legenin e mumies u bëra kureshtare për çfarë kishte brenda… mu duk sikur pashë një këmbë të vogël”, tha Ozarek-Szilke për Reuters.

Ajo kërkoi mendimin e bashkëshortit, po ashtu antropolog, i cili punoi me këtë projekt.

“Im shoq pa foton dhe si baba i tre fëmijëve tha: Ajo është një këmbë. Në atë moment, e gjithë panorama nisi të kishte kuptim”, shtoi antropologia.

Mumia u dërgua në Poloni në shekullin e 19-të, kur Universiteti i Varshavës po krijonte koleksionin antik.  Për dekada me radhë u mendua se mumia i përkiste një prifti të Egjiptit të lashtë, të quajtur Hor-Dehuti.

Megjithatë, tanimë shkencëtarët thonë se mumia ishte në fakt një vajzë në të 20-at e saj, rreth 26-28 javëshe shtatzënë. Shkaku i vdekjes nuk është i qartë, por Ozarek-Szilke tha se shtatzënia mund të ketë pasur rol.

“Ka gjasa që shtatzënia vetë mund të ketë kontribuuar në vdekjen e kësaj gruaje. Tani ne kemi mjekësi moderne, grave që janë mes javës së 20 dhe 30 të shtatzënisë nëse kanë probleme, kanë shanse që të shpëtohen. Dikur ishte e pamundur”, tha ajo.

Shkencëtarët pritet që ta studiojnë më tej këtë mumie, për të përcaktuar shkakun e vdekjes dhe përse fetusi u la në trupin e saj.

(Kosova Sot Online)