Raporti amerikan: UFO-t s’janë projekt sekret i ShBA-së, ja çfarë mund të jenë

  • E.K /
  • 04 June 2021 - 10:02
 Raporti amerikan: UFO-t s’janë projekt sekret i ShBA-së, ja çfarë mund të jenë

Zyrtarët amerikanë kanë nxjerrë të dhëna nga një raport i klasifikuar rreth shfaqjes së objekteve të paidentifikuara fluturuese – UFO -, i cili pritet të publikohet këtë muaj.

Në raport thuhet se nuk ka dëshmi që e përkrah pretendimin se objektet që janë parë janë fluturake të jashtëtokësorëve. Megjithatë, raporti nuk i përjashton as jashtëtokësorët, i thanë gazetës “The New York Times” zyrtarët e administratës amerikane.

Raporti gjithashtu thekson një teori tjetër, atë se objektet misterioze mund të jenë armë të reja që janë zhvilluar nga Rusia ose Kina, por aty thuhet përfundimisht se fluturaket nuk janë pjesë e ndonjë projekti sekret të qeverisë amerikane.

Në këtë raport janë analizuar mbi 120 raste në të cilat pilotët amerikanë kanë parë objekte të paidentifikuara në qiell gjatë 20 viteve të fundit, shkruan Daily Mail.

Zyrtarë të lartë i thanë gazetës së njohur amerikane se këto objekte mund të jenë dëshmi të teknologjisë hipersonike të Kinës ose Rusisë, që nënkupton se këto dy shtete mund ta kenë lënë shumë prapa ShBA-në në fushën e zhvillimit të armëve.

Armët hipersonike janë raketa ose aeroplanët që mund të arrijnë shpejtësi më të lartë se Mach 5 – kufiri mes shpejtësisë supersonike dhe shpejtësisë hipersonike – apo rreth 6.400 kilometra në orë, duke i bërë pothuajse të pandalshme.

Vitin e kaluar, ligjvënësit amerikanë shtuan një dispozitë në buxhetin e ish-presidentit Donald Trump, duke kërkuar që sekretari i Mbrojtjes dhe drejtori i Inteligjencës Kombëtare të publikojnë një raport rreth atyre që qeveria di për UFO-t.

Një version i deklasifikuar i raportit të inteligjencës pritet t’i dërgohet Kongresit para 25 qershorit, ndërsa dokumenti do të përfshijë një shtojcë të klasifikuar.

(Kosova Sot Online)