Me çfarë shpejtësie përhapet errësira?

  • A.P /
  • 20 dhjetor 2021 - 16:46
Me çfarë shpejtësie përhapet errësira?

Errësira ‘udhëton’ me shpejtësinë e dritës. Më saktë, errësira nuk ekziston në vetvete si një entitet fizik unik, por është thjesht mungesa e dritës.

Sa herë që bllokoni pjesën më të madhe të dritës – për shembull, duke bashkuar duart së bashku – ju ‘arrini’ errësirë. Në kontekstin e të folurit për shpejtësitë, errësira është ajo që arrihet pasi drita ndalon së ardhuri, dhe për këtë arsye udhëton me shpejtësinë e dritës.

Për shembull, konsideroni se jeni në hapësirë të largët, larg nga të gjitha burimet e dritës dhe në anijen tuaj kozmike keni një llambë. Drita nga llamba po përhapet në të gjitha drejtimet nëpër hapësirë me shpejtësinë e dritës.

Nëse e fikni llambën tuaj për një kohë të shkurtër dhe më pas e ndizni përsëri, drita del në të gjitha drejtimet përpara se ta fikni llambën dhe pas saj ka dritë që udhëton në të gjitha drejtimet pasi ta keni fikur llambën.

Por midis dy sferave të dritës nuk ka dritë, sepse nuk u krijua asnjë dritë kur bluza ishte fikur për një kohë të shkurtër. Dhe pa dritë do të thotë errësirë. Pra, ekziston një brez i errësirës midis dy sferave të dritës.

Meqenëse të dy sferat e dritës po zgjerohen nga jashtë në të gjitha drejtimet me shpejtësinë e dritës, brezi i errësirës midis tyre duhet gjithashtu të udhëtojë me shpejtësinë e dritës.

Ju mund të mendoni se errësira është pikërisht ajo që arrihet meniherë pasi të mbarojë ‘pika e fundit e dritës’. Meqenëse pjesa e fundit e dritës udhëton po ashtu me shpejtësinë e dritës, gjendja menjëherë pas duhet gjithashtu të udhëtojë me shpejtësinë e dritës.

Nëse dielli do të zhdukej papritmas, ai do të ndalonte së ndriçuari tokën dhe toka do të errësohej. Por nevojiten 8 minuta e 19 sekonda që drita e diellit të arrijë në tokë.

Dritës së fundit të lëshuar nga dielli para se të zhdukej do të duheshin 8 minuta e 19 sekonda për të arritur në tokë, dhe errësira që vjen menjëherë pas dritës së fundit do të merrte gjithashtu 8 minuta e 19 sekonda për të arritur këtu.

Ne në tokë nuk do ta shihnim diellin të zhdukej nga qielli deri në 8 minuta e 19 sekonda pasi të ishte zhdukur.

Marrë nga: Science Questions with Surprising Answers
Nga: Dr. Christopher S. Baird – profesor i Fizikës në West Texas A&M University.
Përkthyer nga: Shkendije Berisha 

(Kosova Sot Online)