Shenjat e mungesës së vitaminave

  • 17 September 2019 - 17:37
Shenjat e mungesës së vitaminave

Trupi i njeriut, një mekanizëm i pabesueshëm, nga pak edhe në mënyrë të jashtëzakonshme na "lajmëron" çfarë i përshtatet dhe cilat nga vitaminat i mungojnë. Ushqimi i njeriut modern bazohet në ushqimin përplot me shtesa artificiale, konservans, ngjyra dhe më pak vlera ushqyese. Po ashtu, një ushqim i tillë mundet ta pengojë absorbimin e vitaminave dhe mineraleve të shëndetshme në sistemin tretës.  

BUZËT E PLASARITURA

Pëlcitja e lëkurës, skuqja dhe ndjenja e të djegurave në këndet e buzëve mund të jenë shenjë e mungesës së hekurit, zinkut dhe vitaminave të grupit B, si niacinës për shembull. Më shpesh probleme të tilla shfaqen te vegjetarianët, të cilët përmes ushqimit nuk marrin sasi të mjaftueshme të nutrienteve. Për ta zgjidhur problemin, hani sa më shumë mish, vezë, djathë.

SKUQJET NËN LËKURË

Skuqjet nën lëkurë, me dhimbje, që ngjasojnë me aknet, mund të jenë shenjë e hormoneve jo të ekuilibruara, por shpeshherë mund të jenë shenjë e mungesave të aminoacideve esenciale dhe vitaminave A dhe D. Zgjedhja është në konsumimin e peshkut, frutave të detit dhe frutave me lëvore të fortë. Po ashtu, shtesë e mirë në ushqime janë edhe farat e lirit, karotat, patatet dhe specat e kuq.

NJOLLA NË LINJËN KU I HUMBNI FLOKËT DHE NË FYTYRË

Njollat e kuqe, që zakonisht shfaqen në linjën ku bien flokët apo edhe në fytyrë, si dhe rënia e shtuar e flokëve mund të jenë shenjë e mungesës së vitaminave
B7. Derisa trupi mundet të ruajë vitaminat A, D, E dhe K, një gjë të tillë nuk mundet edhe me vitaminat B, të cilat treten në ujë. Kjo vitaminë mund të kompensohet përmes konsumimit të më shumë vezëve, salmonit, avokados, sojës, arrave, mjedrave dhe bananeve.

DRIDHJET NË DUAR DHE KËMBË

Ndjenja e ngërçeve, humbja e ndjenjave për një moment dhe dridhjet në këmbë dhe në duar janë shenjë e mungesës së acidit folik, përkatësisht vitamina B9, si dhe vitaminat B6 dhe B12. Në lidhje të fortë këto vitamina janë me sistemin nervor dhe mungesa e tyre shkakton pengesa, por edhe çrregullime që rezultojnë me ankthe, depresion, anemi dhe lodhje. Për të marrë vitaminat e tilla hani më shumë spinaq, shparguj, rrepë, fasule, vezë, fruta deti.

NGËRÇET NË MUSKUJ

Shfaqja e ngërçeve në muskuj, në rastet më të shpeshta, është shenjë e mungesës së magnezit, kaliumit dhe kalciumit. Nëse këto simptoma shfaqen shpesh, kjo është shenjë e mungesës kronike që nuk mund të përmirësohet vetëm përmes ushqimit më të mirë, por edhe me marrjen mineraleve shtesë. Nëse ushtroni rregullisht, atëherë vjen deri te humbja e mineraleve përmes djersitjes. Për ta kompensuar këtë humbje dhe mungesë, hani banane, badem, lajthi, kungull, mollë, grejpfrut, brokol dhe perime me gjethe të gjelbra.

(Kosova Sot Online)