Terapia me hormone e rrit rrezikun nga kanceri i vezoreve

  • 24 February 2020 - 12:19
Terapia me hormone e rrit rrezikun nga kanceri i vezoreve

Terapia zëvendësuese me hormone e rritë rrezikun nga paraqitja e kancerit të vezoreve, thotë një studim i ri. Shkencëtarët nga Universiteti i Oksfordit kanë konstatuar se, në çdo 1000 gra më të vjetra se 50 vjet, të cilat gjatë pesë viteve kishin marrë terapi zëvendësuese hormonale, paraqitet një rast i kancerit të vezoreve. Terapia hormonale përdoret për t'u zbutur simptomat e menopauzës, të cilat mund të jenë aq të theksuara, sa që ta pengojnë jetën normale.

Udhëheqësi i studimit, Richard Peto, thotë sesi thëniet se terapia e shkurtër hormonale nuk sjell asnjë rrezik, "thjesht nuk janë të vërteta", meqë studimi tregon se, në 1 milion gra që marrin këtë lloj të terapisë, do të paraqiten 1000 raste të kancerit të vezoreve. Sipas këtij studimi, ky rrezik bie pas ndërprerjes së terapisë zëvendësuese hormonale. Një terapi e tillë më parë është lidhur me rritjen e rrezikut nga paraqitja e kancerit të gjirit, por po ashtu është thënë se ajo e zvogëlon rrezikun nga paraqitja e osteoporozës dhe kancerit të zorrëve. Rezultatet e studimit janë botuar në revistën "Lancet".

(Kosova Sot Online)